“Asllani e Broja duhet të huazohen”, Lala bëhet nostalgjik në rrëfimin për “Panorama TV”: Ne nuk kishim Instagram, në Kombëtare nuk rrinim të ndarë

Mar 23, 2023 | 18:11
SHPËRNDAJE

Altin Lala ka qenë i ftuari i emisionit “Panorama Sport” në “Panorama TV”, në një intervistë mjaft të veçantë ku është ndalur në shumë etapa të karrierës së tij, me klubin e sidomos me kombëtaren ku ka mbajtur shiritin e kapitenit.

Lala ka kujtuar nga fillimet e tij, e deri te sukseset me fanellën kuqezi, në një karrierë që e bëri një emër shumw tw njohur në futbollin europian.

“Që kur hyn te shkallët e stadiumit, që për mendimin tim kanë bërë një gjë jashtëzakonisht shumë të bukur për të ruajtur traditën e kujtesën për shumë tifozë që edhe janë në moshë, kur vij këtu më kujtohet gjithmonë “Qemal Stafa”. Më kujtohet kur kam qenë i vogël, se edhe shtëpinë nuk e kam pasur larg stadiumit. Pothuajse në çdo ndeshje në stadiumin “Qemal Stafa” isha i pranishëm.

Me Kombëtaren e kam filluar në janar të 1998, atëherë ishte ndeshja e parë. Kisha pasur edhe këmbë të mbarë se fituam 4-1 me Turqinë atëherë, ishin fillimet e para. Nuk luajta nga fillimi por u aktivizova gjatë pjesës së dytë, u dëmtua Tole i cili luante në të djathtë, e zëvendësova dhe fituam 4-1. Diçka e jashtëzakonshme dhe diçka jashtëzakonisht e bukur. Më pas janë 14 vite me Kombëtaren.

Momenti më emocionues si kuqezi? Absolutisht, më emocionuesja ka qenë ndeshja me Greqinë. Ka qenë diçka ndryshe edhe për mua që kam luajtur në Gjermani në stadiume të mëdha me plot tifozë. Ajo ka qenë ndeshja e jetës. Se pritshmëria ka qenë jashtëzakonisht shumë e madhe, mbaj mend kur kemi ardhur me autobus te Skënderbeu dhe kemi parë një lumë kuqezi dhe ajo ka qenë një adrenalinë… Kam qenë thuajse si i mpirë gjithë ndeshjen. Filloi-mbaroi ndeshja, nuk kam ndjerë asgjë, sikur nuk kisha vrapuar fare. E theksoi se presioni ishte jashtëzakonisht i madh, jashtë ishte plot, stadiumi plot i mbushur. Ajo atmosferë atë ditë, nuk e mbaj mend diku në ndonjë vend tjetër.

Çdo futbollist, apo fëmijë që luan futboll, e ka ëndërr të luajë me kombëtaren. Unë jam rritur afër stadiumit, kam qenë i pranishëm në futboll dhe një ditë të luash për kombin tënd, ka qenë e jashtëzakonshme dhe që e kam shijuar jashtë mase. E kam bërë deri ditën e fundit me përgjegjësi dhe pasion.

Eksperienca te Hanover? Faktikisht ishte viti 1998 kur nënshkrova kontratën, kemi pasur një ndeshje në 1997 me U21, në ato muaj kam nënshkruar me Hanoverin. Kur kam nënshkruar, Hanoveri ishte në Bundesligën 2 dhe pas 4 vitesh dolëm në Bundesligë dhe nga aty e ndjeva veten mirë, të respektuar. Ka qenë zgjedhje e duhur. Po të të nisesha edhe një herë, do të bëja të njëjtën zgjedhje. Kam qëndruar 14 vjet dhe po themi e mbylla aty karrierën.

Jeta si emigrant? Shumë e vështirë, jashtëzakonisht shumë. Po të mendohesha edhe një herë, do e mendoja pesë herë nëse do shkoja apo jo, edhe pse për mua ishte me fund të lumtur. Ka qenë jashtëzakonisht e vështirë. Nuk kemi qenë të orientuar, kishim zero njohuri, është edhe për të qeshur njëkohësit se më kujtohet kur kam zbritur në aeroport, kam kapur edhe asfaltin me dorë se dukej i drejtë, çdo gjë të dukej një botë tjetër. Dhe të futësh në ato shina, të mësosh gjuhën, mentalitetin, kohën e keqe… Ato vitet e para kanë qenë shumë të vështira për mua, kam qenë në kamp azilantësh, por edhe më ka bërë më të fortë. Gjermania është shtet ku nëse punon e je serioz në gjërat që bën, të jep hapësira të jesh i suksesshëm.

lala

Kur kam shkuar atje, shkova nga një ekip më i vogël nga Liga e tretë në të dytën. Ishte një ekip jashtëzakonisht i ri, mosha mesatare ishte 22 vjeç mos gabohem atëherë dhe u përshtata jashtëzakonisht shpejt. Dhe prej asaj kohe pastaj isha pjesë e skuadrës dhe anasjelltas dhe vit pas viti edhe unë bëja pjesë te ai grup lojtarësh që kur vinin lojtarë të rinj mundoheshim që t’i integronim sa më shpejt. Në ato vite ku kam luajtur, e kanë thënë edhe ata që janë larguar që dhomat e zhveshjeve në Hanover kanë qenë me një atmosferë shumë të mirë. Ndoshta nuk kemi pasur kualitetin më të mirë, por kemi qenë një grup i mirë dhe i suksesshëm në Bundesligë.

Shoku im më i ngushtë që kam nga periudha atje është Stiv Çerundolo. Ai është amerikan, ka luajtur 15 vite aty, kemi luajtur pothuajse një jetë të tërë se ashtu është të luash kaq gjatë futboll në një klub. Ne kemi luajtur bashkë 13 vite e gjysmë, kemi ruajtur relatat. Para dy muajsh isha në Amerikë dhe e vizitova, ai doli kampion në Amerikë se është bërë trajner i suksesshëm, është njeri jashtëzakonisht shumë i mirë dhe e dua si ta kem vëlla.

Jeta pas lënies të futbollit? Unë faktikisht angazhohem prapë me sport, kam një agjenci me talente dhe mundohem të jap eksperiencën time, suportin tim. Kam edhe dy partnerë që punojmë bashkë, është në Gjermani po mund të punosh në të gjithë botën, qendrën e kemi në Hanover. Vazhdoj të angazhohem në sport dhe pak biznes në Shqipëri.

Nostalgjia për Kombëtaren? Jam me të vërtet nostalgjik dhe i kujtoj shpeshherë, janë momentet shumë të bukura që kemi kaluar, i kujtoj dhe na jep energji pozitive. Kemi qenë një grup i jashtëzakonshëm që vinim nga një shkollë e vjetër, postkomuniste, ose e Lindjes siç ka qenë në atë kohë. Kemi qenë grup jashtëzakonisht i mirë. Tani nuk jam shumë afër kombëtares aktuale, por di se shumë vijnë nga jashtë, ka shumë gjuhë të ndryshme sado që prindërit janë shqiptarë, nuk është e njëjta gjë siç e kemi pasur ne. Kjo është diçka pozitive r se bashkë kur vinim rrinim edhe 10 vetë në tavolinë, jo grupe-grupe. Kjo ndoshta na ka bërë në një kohë të vështirë të jemi bashkë, Mua më ka mbetur si fiksim që edhe mund të kishim arritur më tepër. Kemi bërë lojëra jashtëzakonisht të bukura kundër kundërshtarëve shumë të fortë.

Në vitin 2003, në grup me Rusinë, Irlandën, Zvicrën dhe Gjeorgjinë kishim shanse të kualifikoheshim. Në atë vit kemi bërë ndeshje jashtëzakonisht të mira, humbëm për fat të keq ndaj Irlandës me autogol në sekondë të fundit. U mundëm edhe në Zvicër, ishin dy ndeshje që po të merrnim katër pikë kishim shanse që të dilnim në vend të parë ose të dytin.

Simon Simoni në Bundesligë? Unë faktikisht e kam ndjekur atë djalë, e kam parë shpeshherë nëpërmjet TV-së, dhe është diçka që më bëhet shumë qejfi që ka arritur deri në Frankfurt me shumë punë e  vullnet. Shpresoj që të ambientohet sa më shpejt, të mësojë gjuhën sa më shpejt që është kryesore e të përshtatet me mentalitetin gjerman. Pastaj me punë mund të arrijë gjithçka. Është ende i ri, ka ende për të mësuar punën. Të bësh hap nga Kategoria e Parë shqiptare në Bundesligë është hap i madh. I duhet kohë për Bundesligën që të luajë, i duhet durim me punë. Kualitetin e ka dhe mund të bëjë më shumë. Simoni duhet të punojë fort, kjo është gjëja kryesore dhe disiplina, këto janë të domosdoshme. Kush do të bëhet futbollist, duhet të dijë edhe të vuajë.

Si kanë ndryshuar futbolli me kohën? Ne nuk kishim Instagram  por kohët ndryshojnë dhe mendoj që ndryshon edhe mentaliteti. Edhe në kohën tonë thoshin të vjetrit ‘si silleni ju’. Ndryshojnë kohët, por komunikimi mes lojtarëve duhet të jetë i mirë. Por aty postohet ushqimi, postohet çdo gjë, çorapet, etj. Çdo gjë është më tepër në rrjetet sociale.

Broja dhe Asllani? Ata të dy absolutisht hyjnë te lojtarët më cilësorë që ka Shqipëria. Broja fatkeqësisht është dëmtuar e Asllani nuk po merr minutazh. D të uroja të huazohet që të ketë më shumë minuta në këmbë, për atë së pari. Ai ka cilësi që të luajë edhe te Interi por në këto lloj skuadrash është thuajse e pamundur të ketë minuta. Broja fillimisht të shërohet, duhet të jetë më i qëndrueshëm për ekipin e tij . Te Çelsi është e vështirë të ketë shumë hapësira, se kanë bërë edhe shumë transferime dhe është shumë e vështirë. Te Sauthempton pati ngritje për rendimentin e tij si lojtar”, tha ndër të tjera Lala në rrëfimin e tij.

NË PËRDITËSIM

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura