Asimetria e reagimit

Apr 12, 2024 | 8:32
SHPËRNDAJE

1200px-Genc_Pollo-e1569348544252-570x410-1GENC POLLO

Në 11 janar 2011 një televizion pranë Partisë Socialiste opozitare shfaqi një video, ku dy anëtarë të qeverisë dukej se po diskutonin një aferë korruptive. Dhjetë ditë më vonë, shefi i PS duke mobilizuar militancën në të tërë vendin, thirri një “demonstratë” me skuadrone të dhunshme (ju kujtohen “kokëpalarët e Tomës”) që sulmuan policinë a Gardën me pasoja tragjike për katër veta.

Ndër dy anëtarët e qeverisë në fjalë, njëri ishte shkarkuar prej një viti e tjetri dha dorëheqjen fill pas publikimit të videos. Ky fakt nuk e ndali opozitën të demonstronte dhunshëm, edhe pse kërkesa fillestare (dorëheqja) ishte e përmbushur. Sot shoqëria civile dhe opozita thirri të dytin tubim proteste para Bashkisë Tiranë, ku oratorët kërkuan dorëheqjen e kryebashkiakut Veliaj (max) dhe mbledhjen e Këshillit Bashkiak sipas mocionit të këshilltarëve PD/LSI (min); policia shtyu protestuesit dhe këta hodhën shashka e flakadanë tek muret e bashkisë. Ndryshe nga janari 2011, sot kemi një vendim gjykate të detajuar, ku natyra e korrupsionit dhe abuzimit te jkalon jo vetëm precedentët, por edhe imagjinatën.

Ndryshe nga janari 2011, sot kryebashkiaku, bazuar në çfarë lexojmë në vendimin e gjykatës e çfarë dimë nga ai para e mbas arrestimit të drejtorëve bashkiakë, është krejt i ekspozuar jo vetëm moralisht e politikisht, por edhe penalisht. Ndryshe nga janari 2011, sot gjykata kërkon hetimin e kryebashkiakut Veliaj, të cilin prokurori i posaçëm, me një “miopi” që po kthehet në model, e kishte lënë jashtë hetimit. Edhe për ndonjë tutkun, që ende beson se korrupsioni i vitit 2011 është më problematik se ai i vitit 2024, është e qartë se sot jo vetëm natyra e korrupsionit, por sidomos arroganca e të korruptuarve është përtej precedentit dhe imagjinatës. Prandaj edhe reagimi publik nuk ka pse të jetë mesatar.

Bashkia Tiranë nuk është një ndër shumë syresh, por qendra e dytë e pushtetit në vend siç e formuloi saktë zv.kryeministri në arrati. Edhe opozita nuk mund të mjaftohet më me thirrje për tubim të lëshuara përnatë para mikrofonit e pastaj në grupe “Whatsapp”-i. Një mobilizim i madh në Tiranë e përtej do të duhet për këtë skandal të madh. Pa “kokëpalarë” të dhunshëm, por me vullnet e vendosmëri!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura