Artan Fuga: Pranimi i albanologes kineze Ke JING në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë: Një elozh dhe një kritikë

Nov 17, 2023 | 9:57
SHPËRNDAJE

Akademia E shkeancave FugaNGA ARTAN FUGA

Dje në datën 16 nëntor 2023, Asambleja e Akademisë së Shkencave në Republikën e Shqipërisë, pranoi si anëtare nderi të saj albanologen kineze Ke Jing. Dhe mirë bëri!

Albanologia kineze ka një kontribut të shquar, sikurse e paraqiti në fjalën e saj inagurale të pranimit përpara akademikëve shqiptarë, si edhe gjuhëtarëve të tjerë të pranishëm, sidomos në përpjekjen madhore të saj për hartimin e fjalorit shqip – kinezisht. Duke drejtuar për një kohë katedrën përkatëse në Universitetin e gjuhëve të huaja të Pekinit, dukej qartë se zonja jo vetëm shprehte një dashamirësi të admirueshme për gjuhën, kulturën, historinë, antropologjinë mbi identitetin kombëtar shqiptar, por edhe kishte dhënë edhe kontribute personale madhore për të bërë të njohur gjuhën dhe letërsinë shqipe në kulturën e një vendi të madh, me tradita kulturore të pasura sikurse është Kina.

Aq më tepër që si edhe më pas ajo drejton projekte të mbështetur nga shteti kinez që kanë të bëjnë me ura komunikimi dhe bashkëpunimi midis universeve linguistike dhe kulturore midis dy vendeve. Me një shqipe për t’u pasur zili ajo paraqiti në leksionin e saj një sërë konceptesh dhe parimesh metodologjike shumë të rëndësishme që lidhen me strategjinë e hartimit të fjalorit duke dhënë shpresa se vërtet do të kemi një vepër të rëndësishme që i bën nder shqipes, sikurse nderon edhe profesoreshën Ke JING, ekipin e saj, si edhe katedrën përkatëse në Universitetin e gjuhëve të huaja të Pekinit.

+++

Thënë të gjitha këto me sinqeritet dhe dorë në zemër, dëshiroj edhe të formuloj një kritikë për një nga piket e rëndësishme që u shtjelluan në leksionin magjistral të saj.

Sipas saj, atje në katedrën në universitetin ku ajo punon, kishin vendosur që fjalën e rëndësishme “web” t’a shkruanin në shqip “ueb”. Argumenti i kolegëve kinezë, sikurse e paraqiti zonja JING, ishte se shqipja nuk ka 37 germa, por 36, pra germa “w” nuk bën pjesë në alfabetin shqip. Për rrjedhojë fjala e përmendur duhet shkruar me “u”.

Me këtë arsyetim dhe përfundim nuk jam fare dakord dhe i një mendjeje me të.

Nuk do ja vlente të diskutonim për një gërmë në një fjalë. Por, problemi është shumë më serioz sesa duket. Sepse nuk është vetëm një fjalë, pra vetëm “web” që hap debat, por një sërë fjalësh të tjera të përveçme në epokën e shkrimit online. Shkrimi onlinë, sidomos nga mënyra e funksionimit të platformave dixhitale, nuk është njësoj sikur të shkruhet në pllaka guri, në papiruse, në shtypshkronjat e Gutenbergut, apo në shekullin e 19-të. Filozofia e shkrimit të shqipes nuk mund të mbetet në skema tradicionale që sigurisht nuk mund të hidhen poshtë, por edhe nuk janë kanune të palëvizshme që nuk i përshtaten kohës. Mbi të gjitha kemi të bëjmë me marrëdhënien e teksteve shqipe me universin dixhital të të shkruarit on line, i cili do të ketë në dekadat e ardhëshme, sigurisht, horizonte të reja përpara tij. Shkrimi on line ka rregullat, semantikën, semiotikën e vet, dhe çdo qëndrim i ngurtë përpara tyre sjell pasoja që nuk besoj se do të ishin të suksesshme.

Nga pikëpamja ime do të sugjeroja që për fjalorin që vendos korrespondencat e fjalëve midis shqipes dhe gjuhës kineze, sesi do të shkruhen fjalët e reja në shqip, çfarë forme do të marrë leksiku i shqipes në kodet e shkruara, këtë do ta vendosin institucionet e Shqipërisë, Kosovës. Janë gjuhëtarët shqiptarë që do të marrin vendime, të konsultuara gjerësisht, të krahasuara me gjuhë të tjera, sipas nevojave të kulturës shqiptare, që u takon vendimi për mënyrën e shkrimit të fjalëve të reja të integruara në gjuhën shqipe. Madje nuk i takon vetëm Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe Kosovës ekskluziviteti i marrjes së vendimeve. Janë edhe katedrat e gjuhës, letërsisë, informatikës, komunikimit në universitetet shqiptare, ku veçoj ato të Universitetit të Tiranës që u takon të marrin një vendim. Askush nga albanologët e nderuar të huaj të mos nxitohen në këtë fushë, por ose të konsultohen, ose të presin vendimet tona.  Do të ishte kësisoj e tepërt për shembull që në hartimin e fjalorëve dygjuhësh gjuhëtarë apo dijetarë kosovarë ose të Shqipërisë të vendosnin si do të shkruhej një fjalë në arabisht, japonisht, apo greqisht. Për rrjedhojë edhe në gjuhën kineze.

Është e padiskutueshme që shqipja ka 36 germa në alfabetin e saj dhe nuk ka asnjë arsye që të shtojë germa të tjera. Unë jam dakord me profesoreshën JING për sa më sipër. Por, aty ku unë nuk jam dakord me të është që prej këtej fjalën “web” ta shkruajmë si “ueb. Më poshtë po shtjelloj argumentet e mia.

Nuk kuptoj për shembull se përse kolegia ka zgjedhur të propozojë të shkruhet si “ueb” dhe jo si “veb” fjala “web”. Por, e anashkalojmë këtë detaj pa rëndësi.

Është po aq e ditur që në historinë e të shkruarit shqip fjalët e huaja janë shkruar sipas parimit të shqiptimit, pra shkruhen si shqiptohen, me germa shqipe. Ta zëmë fjala “republic” apo në format e tjera të shkruara që ka marrë në botë, shkruhet “republikë”. Pra sipas parimeve fonetike dhe alfabetike shqipe. Kështu edhe me pafund fjalë të tjera.

Mirëpo ajo që është e vërtetë për këto forma të asimilimit të fjalëve të huaja në shqipen e shkruar apo të folur, nuk mund të zbatohet kaq lehtësisht kur është fjala për fjalë të përveçme që kanë të bëjnë sidomos me strategjitë shumë të rëndësishme të shkrimit on line. Kanë të bëjnë:

Së pari me fjalë kyçe të përveçme që lidhen me përdorimin e motorëve të kërkimit on line, si edhe me përdorimin e chatbot-ëve, si edhe mbledhësve automatikë të biga datave linguistike në web.

Së dyti me referencimin e teksteve të shkruara në shqip kur është fjala për të ndërtuar hierarkinë e informacionit dhe të ndërtimit të listës organike të rezultateve të kërkimit.

Së treti kur është fjala për ndërtimin e bibliografive në web, në punime shkencore etj.

Ka një dallim të madh i shkruari on line nga të shkruarit në letër. Këto dallime duhen mbajtur mirë parasysh. Ka shumë syresh. Nuk janë pak. Mbi të gjitha shkrimi on line është i bazuar në hipertekstin, pra pak a shume, pa u zgjatur, ka ndërtuar një univers të ri të të shkruarit, së paku midis gjuhëve me bazë alfabetin latin, kryesisht të botës perëndimore, veçanërisht të gjuhëve kombëtare të Evropës Perëndimore, madje më gjerë në kontinentin tonë, me të cilin i shkruari i teksteve on line, të dixhitalizuara, në shqip komunikon. Tekstet e shkruara në shqip në matricën e të shkruarit on line ndodhen në një botë të hipertekstit që në përmbajtje, në disa drejtime, i kalon dasitë kombëtare. Në shumë drejtime tekstet si hiper-tekste, si ndër-tekste, etj, krijojnë një univers përtej – kombëtar.

Si do ta shkruaj në shqip ta zëmë në një referencë në web simbolin e url WWW… etj.? Do ta shkruaj : UUU…? Ku do të më çojë ky puritanizëm i të shkruarit të një teksti shqip në këtë mënyrë? Cila strategji e ndërtimit të linqeve do të ma pranonte këtë lloj të shkruari nëse do të doja që teksti im i shkruar në shqip të klikohej për të qarkulluar në botën e ndër-tekstit dixhital? Ata që komunikojnë shqip në universitetin on line e kuptojnë se kjo do të krijonte probleme të rënda komunikimi, referencimit, listimi, etj.

Si do të arsyetoj ta zëmë kur të shkruaj “facebook”? Do të them se meqë “oo” në shqip jep “u”, atëherë fjalën “facebook” do ta shkruaj “fejsbuuk”?  Le ta vendos në motor kërkimi “fejsbuk” dhe të shohim nëse do të futem dot në këtë platformë!

I njëjti problem do të krijohej edhe në se do të shkruaja tekste shqip ku në vend të emrit të madh ta zëmë Maks Weber, të shkruaja Maks Ueber! (Shqipja nuk ka as germë “ks”). Në vend të emrit të madh Witgenstein të shkruaja Uitgeinstein!!!Cili motor kërkimi do të ma referenconte si duhet?

Imagjinojmë se çfarë pasojash do të mund të kishte financiarisht kjo logjikë në botën e marketingut dhe të reklamës!!!

Unë jam dakord për atë që shqipes nuk ka nevojë hëpërhë t’i shtohet ndonjë germë, apo t’i hiqet ndonjë e tillë. As të shkruaj në shqip ta zëmë “@” se do të ishte ekzagjerim! Por, edhe ky opsion i shtimit të ndonjë germe mbase nga brezat e ardhshëm nuk përjashtohet. Germat nuk janë ikona të shenjta, por kode komunikimi që evoluojnë. Ndërkaq, nëse bëhemi të ngurtë, rrezikojmë një pastërti të rrezikshme izoluese.

Kur në një tekst shqip përdor edhe germa si ö, ü, w, etj., kjo nuk do të thotë aspak që shtoj germave të alfabetit shqip germa të tjera. Larg meje ky pretendim. Por, nëse përdor pa fund fjalë me origjinë të huaj, kur është nevoja, për efekt të shkrimit on line, si edhe për efekt të respektimit të hipertekstit dhe ndërtekstit, jam i detyruar të përdor ndonjë germë të huaj. Nisur këtej, le të them si shqiptarët e kanë bërë tashmë këtë zgjedhje në praktikë. Mendon dikush se norma mund t’i kundërvihet tashmë praktikës të suksesshme tridhjetëvjeçare?

Si do ta shkruante emrin e përveçëm një kinez kur në gjuhën e tij të bukur dhe të pasur, desha të them të mrekullueshme, do të donte të shkruante ta zëmë Max Weber?

+++

Ky debat me zonjën JING që unë besoj se ajo do ta mirëkuptojë me dashamirësinë e etikës në shkencë, me bën të përsëris disa parime që Akademia e Shkencave në Shqipëri deri tani nuk ka dashur as t’i dëgjojë.

E para për hartimin e fjalorit në shqip ka nevojë të debatohet thellë, gjerë, gjatë, një platformë në planin epistemologjik, semantik, semiotik. Pastaj të hidhemi te fjalët.

Së dyti, fjalori nuk është çështje ekskluzive gjuhëtarësh, por e ekipeve ndërdisiplinore, politologë, informaticienë, semiologë, filozofë, lëvrues të shkencave mbi letrat, programues, etj.. Unë militoj për një albanologji të re ndërdisiplinore.

Së treti, i shkruari on line ka specifika shumë të rëndësishme dhe atje nuk mund të vihet me horizontet e ngushta të të shkruarit sipas kulturës së Gutenbergut.

Së katërti, ne nuk mund të krijojmë një “ueb”, një “fejsbuuuk” vetëm për Shqipërinë. Atë që një vend i madh mund ta bëjë, për ne do të ishte izoluese dhe shkatërruese. Do të izoloheshim. Kultura shqiptare gjallon sot në një botë të hapur dhe përfiton nga kjo hapje.

Së pesti, Akademia e Shkencave ka nevojë t’i ikë përqasjeve thejsht  ceremoniale, dhe të bëhet një vend debati shkencor, sipas parimeve të shkencës, edhe kur është rasti fatlum të presë në gjirin e saj albanologë klasi si zonja JING.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura