Ardian Vehbiu si kurbetçiu i akçihaneve

SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Intervista e kantautorit Gjergj Leka u bë shkak për potere të madhe. U shndërrua në ngjarje kombëtare, zbriti nëpër shtëpi e lokale, në sheshe e plazhe, në mal e vrri, në festa e gosti. Për vërtetësinë apo pavërtetësinë e saj nuk jam në gjendje të jap asnjë argument pro e kundra. Autori e di vetë çfarë do t’i mbetet në fund, kuraja e trimit apo turpi i shpifësit!

Por tema është tejet grishëse, sepse të shpie te një fenomen mbi të cilin nuk kemi bërë kurrë dritë. Errësira dhe misteri shkojnë krah për krah. Hamendësimet dhe dilemat rreth tyre me pezëm vërtiten. Kështu, sepse në të kaluarën tonë ka zona krimi të mëdha dhe krim nuk është vetëm vrasja dhe burgu i padrejtë. Nëse ndryshe, do të ishte zhurma e saj, e cila ende vazhdon, do të shuhej sa hap e mbyll sytë. Ajo godet në ndërgjegjet personale  dhe publike.

Gjithkujt i kujton diçka që e di secili individ e nuk e dinë të tjerët ose e dinë grupe të ngushta. Mes nesh një histori u shumëzua me qindra-mijëra. Në vapën e gushtit gjumi boll i paqetë kthehet në ankth. Një rast i padëshiruar për të kujtuar sesi jeta jote dhe jeta e tjetrit ndërthuren të kushtëzuara nga faji yt. Si pafajësia e tjetrit është mëkati yt.
Si virtyti dhe vesi alternoheshin, duke treguar dobësinë e pakufi të njeriut, por edhe anën e tij të mirë, si të penalizonte njëri dhe si të bëhej aleat tjetri?!

Si bëhej karrierë, e merituar apo e pamerituar në komunizëm dhe këtu nuk kam parasysh personat të cilët nominohen nga Leka, edhe për faktin se në adoleshencë i dëgjoja me kënaqësi dhe jua çmoja talentin, aq sa dija ta çmoja atë. “Fama” e këtyre dëshmive është tregues i një paqetësie të madhe shpirtërore. Ndërgjegjja ngjan me një pus. Kushdo kujton Dunkanin e vet. Pse mjaftuaka një rrëfim objektiv a subjektiv  për ta trazuar moralisht një shoqëri të tërë?!

E thjeshtë! Ne nuk jemi ndarë kurrë etikisht me diktaturën,  ndryshe nga të gjitha shtetet ish-komuniste. Një mungesë e madhe qytetërimore kjo, e cila po merr trajtën e një faji kolektiv, ashtu si sjellja në komunizëm kur nuk ka qenë i tille as atëherë e as tani. Në këtë tokë nuk ka pasur kurrë bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë, por fajtorë, viktima dhe kundërshtarë. U përpoqëm të mbyllnim dreqin në shishe. Për 25 vjet kemi manipuluar me dosjet e Sigurimit të Shtetit, abuzuar në emër të tyre.

Askush nuk u mor me kupolën e Sigurimit të Shtetit, mekanizmin më pervers që ky vend ia ka dalë të krijojë. Spiunet nuk vdiqën kurrë. I përdori politika e re, u bënë pjesë, hierarkë, vetë fytyra e saj. Ata janë moralistët e rinj, teksa viktimat e tyre morën dhenë. Intervista e Lekes me disa aspekte të saj e ka kthyer shiritin mbrapsht në kohë, pikërisht tek ai moment i pakrahasueshëm me të tjerë, ku me dëshirë a me dhunë dikush ka   hedhur një firmë, kur ka bërë spiunimin e parë, në familje, në lagje, në shkollë, në punë e kur prej tij ka marrë benefitin e parë, të dytë e kështu me radhë, një bursë studimi për brenda a jashtë vendi, një punë, një karrierë, një e drejtë botimi, një dalje në skenë, një pashaportizim në qytet, një apartament, një ndryshim pozicioni shoqëror e plot të tjera.

Ka ndodhur që shpërblimi të mbështetej mbi dënimin, jo pak herë ngjitja e dikujt shoqërohej njëkohshëm me zbritjen, me udhëtimin e dikujt tjetër drejt Spaçit, Burrelit apo Qafë Barit etj. Askush  nuk i kërkoi falje vëllait, komshiut, kolegut apo të shënjuarit. Njeriu shqiptar nuk e tejkaloi kurrë thyerjen e vet. Duhet të ketë tmerrësisht shumë për të rrëfyer, për të dëgjuar, për të  reflektuar, së paku për të mos përzier nderin me turpin, meqenëse drejtësia nuk e penalizoi kurrë krimin.

Në këtë kontekst, jo vetëm ky rast, sado i diskutueshëm, por edhe shumë të tjera që gazeta “Panorama” ka publikuar gjatë këtyre viteve janë një shërbim i madh në rrugën e vështirë të kërkimit të të vërtetave. Harresa është përligjje.
Por çuditërisht, një person, Ardian Vehbiu i dërguar nga PPSH nga mesi i viteve ‘80 për studime në Itali (me të cilat nuk qullosi gjë) si i rrethit të tretë të Bllokut ish-komunist, vigjilon, qëndron mbi të gjithë, dhe lëshon anatemat si “rrufe zhgjetare” nga akçihania e tij virtuale.

Për ta pasur këtë privilegj studimi,  nuk di në ka hedhur apo jo ndonjë firmë siç ka qenë zakon  rekrutimi i një brezi të rinjsh pas vdekjes së Enver Hoxhës për të siguruar mbështetës në rast ndryshimi. Nuk e akuzoj dot, se nuk e di, por edhe se nuk më pëlqejnë shpifjet, por ligjërimi i tij agresiv ndaj një institucioni të lirisë së fjalës, gazetës më të rëndësishme të Shqipërisë, siç është gazeta “Panorama” dhe të debatit që ajo përcjell, nuk më lë indiferent.

Unë kam respekt të madh për emigrantët të cilët jetojnë e punojnë me dinjitet, sepse ata janë histori e jetës sime, kam qenë njëri prej tyre për arsye pune e studimi në kushte lirie i padërguar nga Partia. Një status që e kam ndryshuar me dëshirë.
Shumë nga ata, me djersen apo talentin e tyre, e pastrojnë imazhin e ndotur të këtij vendi nga sharlatanët dhe eskrokët tek jetojnë për vete me dinjitet. Por ndonjë i galamucosur mërzie, si Ardian Vehbiu, për dështimet e veta vistër në zejin e fjalës, si kategori sociale nuk është bërë dot qytetar i vendit ku jeton në kuptimin kulturor, por as emigrant që rezonon ndryshimet e vendit të origjinës, ka mbetur thjeshtë kurbetçi, një jaran i komplekseve gjithfarësh.

Kësisoj, mbushur me pezëm, ngarkuar me mllef si zog dreqi, edukuar me urrejtje ndaj çdo vlere me insistim klasor, ndaj çdo personaliteti të kombit shqiptar, ndaj vetë historisë së tij kinse për të demontuar diskurset kombëtariste nga lartësia e “modernitetit” ku është ngjitur në kërkim “të vërtetash absolute”  vetëm shpif e shfryn me duf. Çdokush mund ta shohë blogun e tij, i cili ngjan me një makinë fekalesh të azdisura.

Aty me zell nihilisti, me talentin e smirës, cilësi që nuk e shfaq kund tjetër, merret ditë pas dite me Skënderbeun, Ismail Kadarenë, Nënë Terezën etj., duke pocaqisur mendimet e tij të dhjamosura nga  kujtimet e trashëgimisë politike që bart. Por, dy ditë më parë, na çmeriti. Na sfidoi në imagjinatë dhe pritshmëri. Na shastisi veç për pak, aq sa mblodhëm veten për t’i bashkuar bëmës njeriun, betejës kalorësin, pallës dorën, dhe qelibarllëku u kthye mes nesh si shiu në të thatë.

Ai u bëri thirrje editorialistëve të gazetës “Panorama” që ta bojkotojnë atë dhe të mos shkruajnë më aty, derisa ajo të korrigjohet se qenkësh e padenjë se mbështet lapardharinë, kurvërinë, banalitetin, shpifjen etj., etj. A thua se “Panorama” rastësisht qenka kjo që është, se pameritueshëm ka numrin më të madh të lexuesve në botën shqiptare, një investim dhe besim reciprok disavjeçar kur shtypkësh virtytin dhe lartësuekësh vesin në tregun e ideve dhe blogu i tij zulmëmadh u rri te koka gjithë armiqve që ka bota! Po e lënë mënjanë për një çast fyerjen për të gjithë ata që punojnë aty, të cilët e bënë atë kaq referenciale. Hajde rradake, hajde!?

Guxim prej të marri, hatërmbetje prej të përbuzuri,  mendjemadhësi prej të sëmuri mendor, ligësi prej pinjolli të diktaturës që pagjumoset nga çdo prishje e statuskuosë që hap kapakun e dosjeve shqiptare. Kurbetçiu fluturak përcakton kush është vulg e kush elitë, se çfarë duhet të bëjë Preç Zogaj e çfarë Fatos Lubonja, nga lartësia e epërsisë morale, intelektuale,  ku e pozicionon vetën. Nuk më është dukur ndonjë proverb kushedi çfarë “si gjeli maje plehu”, por në këtë rast shkon sepse Vehbiu, ndryshe nga këndesi lozonjar e sevdalli që hip mbi plehun e lopës, ky hip mbi të vetin dhe nuk ka prodhuar pak nga ai material. Duket se gëzon shëndet të mirë qerratai. Por ngushëllohet se në Tiranë, ndonjë zaliset e shkrifet tek i mban erë.

Ah more Ardian djali, ah more jetim i ideologjisë komuniste, laj enët atyre kthinave se ua ke marrë dorën, thonë që je shpuzë, dhe lëri dokrrat. Anispse të dhembin kyçet, të ther mesi, të buhavitet fytyra nga pagjumësia, të trashet zëri nga marazi e zemërimi, por ama është pune e ndershme dhe fiton bukën me dinjitet, të ngjitet për qiellzë kur e ha nga lodhja, por edhe kënaqësia e fitimit tek qeton brinjët që ziejnë nga ajo që di të bësh më mirë, por jo kështu, se kjo është bukë haram, duke kërkuar kacidhe kundër lirisë së fjalës nga nderimi për kobet e  diktaturës, duke kërkuar emrin që nuk e ke kundër një institucioni të shtypit shqiptar emërmadh. Mos bre, se është marre, sus more qyqar se qelbe dynjanë. Kush ta ka borxh?!

Mos gjuaj masturbimet e tua të përditshme mbi mediat, se nuk të kanë faj, por potomise angështinë dhe vetminë tek vajton fatin e mbrapshtë me kuraje dhe mos u ngashëre. Bëhu burrë dhe ktheju asaj punës që di të bësh më mirë, hë të keqen, se nuk merremi më me ty, kësaj herë na u dhimbse pa të këshilluam, se për sa e shpenzove fjalën nuk ta vërshëllen njeri. Xhaxhai, nofka që ledhesh me të, është fjalë e dashur për ne shqipot, rixha të kemi, mos insisto që ajo të na kujtojë kodoshët.

Te lidhura


Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

11 KOMENTET

Comments are closed.