Arben Bajo: Vota ime është skulptura

May 10, 2011 | 9:30
SHPËRNDAJE
Skulptori Arben Bajo, në studion e tij.

Ata qeshin pak. Disave u lexohen rrudhat mi ballë. Shumë mendim në fytyrat e pedagogëve…, më të çlirët studentët e fëmijët.Ka dashur t’i lexojë kështu, zhveshur nga patetizmat dhe fryrjet pompoze, modë e së shkuarës. Skulptori Arben Bajo ka hapur një ekspozitë personale skulpture në galerinë e Fakultetit të Arteve Pamore, FAP. Pas dy ekspozitash në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku nga temat mitologjike zbriti tek hiri i vatrës, kësaj here bëhet edhe më njerëzor dhe punon njeriun. Është një ekspozitë portretesh. Janë 26 syresh, ku nuk mund të mos dallosh mes tyre portretin e Gazmend Lekës, Najada Hamzës, Fatmir Mizirit, Gregor Ramës…, pedagogë e studentë të Akademisë së Arteve. Të tërheq menjëherë vëmendjen vendosja. Të duket vetja si në një pyll kokash. Pak rrëqethëse në fillim, por nuk mund të ishin vendosur më bukur… këto ditë, Bajo, i cili është edhe pedagog në Akademinë e Arteve pret e përcjell vizitorë në ekspozitën e tij, ku shumë janë studentë. Për të është e rëndësishme që ata ta njohin. Të shumtë janë edhe kolegët, skulptorë si ai, pak më të tërhequr dhe më të hershëm se piktorët apo lëvruesit e gjinive të tjera. Për skulptorin Pjerin Kolnikaj, historikisht në Shqipëri vlerësimi më i madh që i bëhej një artisti ishte të jepte mësim në Akademinë e Arteve dhe, si i tillë, Arben Bajo e ka merituar atë vend. Në një bisedë skulptori Arben Bajo na tregon për frymëzimet, vështirësitë e një skulptori, por dhe marrëdhëniet me politikën.
Nga tema e miteve kaluat tek vatra e tani tek portreti, çfarë ishte shtysa kësaj here?
Kjo ekspozitë është vazhdimësi e krijimtarisë sime. Jam skulptor figurativ. Më pëlqen njeriu. Janë punë të punuara në studio, ku më ishte grumbulluar një numër i konsiderueshëm punësh dhe thashë; përse të mos i ekspozoj.
Është e pamundur të mos dallosh portrete personazhesh të njohur…
Janë njerëz me të cilit unë kam marrëdhënie të përditshme. Shumë janë kolegë, kemi marrëdhënie pune, shkëmbejmë mendime artistike, janë studentë, fëmijë, apo edhe njerëz tërësisht të panjohur, që më kanë bërë përshtypje. Sigurisht që në studion time ka edhe shumë portrete të tjera, por që në këtë ekspozitë e pamë të udhës të paraqisnim vetëm 26.
Kanë pozuar për ju?
Sigurisht që kanë pozuar, por unë nuk i lodh modelët e mi, i mbaj shumë pak dhe po të vësh re, disa prej tyre duket që janë punuar shpejt, kanë një lloj freskie, nuk janë mbajtur gjatë në dorë, siç ka dhe të tjera, mbi të cilat është punuar më shumë, pasi kam marrë një impuls të parë nga modelët.
Portreti i Gazmend Lekës ngjan pak si filozofët e lashtë…
Është vetë portreti i profesor Gazit që ta imponon një gjë të tillë. Ai është një mendimtar, një njeri shumë i ditur dhe kjo reflektohet edhe në psikologjinë e tij. Po të shohësh këto portrete, ato janë psikologjike, nuk janë për t’u vënë tek koka e varrit. Kanë mendim, shprehje… dhe ky është emocioni që kanë dhënë tek publiku. Janë njerëzore, nuk janë butaforike apo me një pamje heroike e patetike, që jemi mësuar të shohim në 50 vjetët e fundit.
Duken paksa të trishtë, përse ky këndvështrim?
Kjo është mënyra se si unë i kam parë. Ndoshta kam përzierë tek ata edhe pak nga melankolia ime.
Të bie në sy menjëherë vendosja e punëve, pse kjo zgjedhje?
Kur realizon një ekspozitë me 26 portrete i trembesh monotonisë që mund të shkaktojë paraqitja e tyre. Për paraqitjen e saj më ndihmoi shumë një miku im, piktor shumë i talentuar, Ardian Kapo, që është edhe kuratori i ekspozitës, duke e trajtuar ekspozitën si një instilacion portretesh. Ekspozita i ngjan një pylli skulpturash, ku këto koka si të ngulura në hunj, japin një tjetër ndjesi.
Ka një logjikë në renditjen e tyre?
Jo, i përgjigjen thjesht logjikës estetike. Nuk ka arsye pse një kokë është më lart se tjetra, thjesht është mënyra e të ekspozuarit.
Keni gjetur një periudhë pak të vështirë për të ekspozuar, nuk e menduat se zgjedhjet mund të ndikonin në ndjekjen e ekspozitës?
Përgjithësisht kur i bëj gjërat nuk mendoj shumë në mënyrë praktike. E bëra këtë ekspozitë në Akademinë e Arteve për të qenë afër me miqtë, me studentët e mi. Është edhe një lloj reflektimi që dua t’u përcjell studentëve, që edhe në periudhat më të vështira, edhe në luftëra janë hapur ekspozita, dhe jo më në kohë zgjedhjesh. Mundohem t’u mësoj studentëve skulpturën e vërtetë dhe e hapa këtë ekspozitë që ata të më njohin, ndaj edhe mes punësh kam një portret të kohëve kur kam qenë studentë. Është një lloj bashkëbisedimi me ta. Ka rëndësi që studentët të njohin pedagogët e tyre, pasi kjo gjë pranohet apriori, por nuk dinë shumë rreth veprës së tyre. Është mirë të shfaqesh e t’u bësh të njohur se çfarë do të marrin ata prej teje. Me sa kam parë, kjo krijon një klimë të mirë dialogu mes nesh, për të folur mbi teknikat, plastikën, kohën kur janë realizuar etj. Një pedagog i mirë nuk është vetëm ai që di të flasë mirë, por edhe ta reflektojë me punën e tij. Jam i mendimit që galeria e Akademisë së Arteve, me njerëzit që punojnë në të, duhet të jetë gjithnjë e hapur dhe një shembull për të gjithë artin shqiptar.
Ndoshta kjo shërbeu për të larguar pak tensionin zgjedhor?
Kam dëgjuar se vetëm pak para se të pushtohej Berlini nga rusët, një artist gjerman hapi një ekspozitë shumë të madhe, ku mori pjesë edhe Hitleri. Art është bërë në çdo kohë në mënyrë konsekuente nga artistë konsekuentë, që e kanë dashur me të vërtetë artin. Asgjë nuk mund ta ndalojë një artist që të krijojë, sepse arti është arma e tij. Në këtë rast, vota ime është skulptura dhe si qytetar dhe artist duhet të përcjell emocion dhe frymëzim tek njerëzit me anë të punës sime.
Ka ardhur ndonjë politikan të shohë ekspozitën tuaj?
Jo, nuk kanë ardhur dhe as që do të doja të vinin, sepse ndodh që menjëherë të të etiketojnë nëse je me njërën, apo me tjetrën palë, duke krijuar keqkuptime. Shoqëria jonë është shumë e polarizuar e ngarkuar dhe ka më shumë nevojë për gjëra të bukura, nuk ka nevojë më për ulërima në fushatë e jashtë saj. Jemi lodhur 50 vjet gjatë diktaturës e 20 vjet pas saj. Duhet të prekim njërin. Kjo është arsyeja pse unë merrem me të.
Është e kotë t’ju pyes atëherë nëse mund të bënit një cikël me portrete politikanësh…?
Karikatura, atëherë.. Jo, absolutisht. Por po t’i trajtosh nga ana humane, nuk ka asgjë të keqe. Ata janë njerëz si gjithë të tjerët, që kanë përzgjedhur një profesion, ashtu si ka artistë të angazhuar. Por mendoj se arti është mbi të gjitha strukturat. Nëse një artist ka bindjet e veta politike, kjo është normale, Pikaso ka qenë komunist, Dali monarkist, por kjo nuk i ka penguar të jenë njerëz të mëdhenj. Unë hyj tek ata njerëzit që janë të paangazhuar. Përpiqem të jem një qytetar i mirë me aq sa mundem.
Ju jeni ndër të paktët skulptorë që ekspozojnë, përse kaq pak ekspozita skulpture, apo nuk përbën ndonjë qëllim?
Jo, sigurisht që nuk mund të jetë qëllim në vetvete. Njoh skulptorë mjaft të mirë, kolegë të mitë që shfaqen më rrallë, punojnë në studio, por kjo varet edhe nga dinamika e punës, kërkesat që kanë etj. Por as hapësira ekspozimi nuk ka. Ka pak sheshe, fasada, investime në këtë fushë dhe ky është faji i politikave shtetërore. Nuk kemi një shatërvan të bukur, në mos me skulptura, të paktën me një ndriçim të mirë, një fasadë të incizuar bukur. Këto janë gjëra që nuk kërkojnë shumë investime, por këtu neglizhohen tërësisht. Edhe nga ana praktike, skulptura është më e vështirë. Nëse një pikturë e blen dhe e var në mur, skulptura kërkon hapësirën e vet. Por është edhe pak i paragjykuar për shkak të “direktivave” nga jashtë. Për shkak të izolimit të gjatë, i cili ende vazhdon, pavarësisht heqjes së vizave, pak kohë më parë, informacionet që na vijnë nga jashtë janë shumë të cunguara. Thonë se në Europë nuk zhvillohet më skulpturë, por kjo nuk është e vërtetë. Zhvillohet skulpturë dhe pikturë e mirëfilltë. Mundohemi të përvetësojmë dhe të lëvrojmë gjini që nuk na vijnë natyrshëm, vijnë të sforcuara. Ne nuk mund të bëhemi dot suedezë, apo belgë. Ne jemi mesdhetarë, jemi tjetër gjë. Na bie drita në kokë e shpërthejmë në ngjyra, ndërsa shkon në ca ekspozita e sheh ca video të ftohta, sa të duket vetja sikur je në një spital psikiatrik. Ne kemi estetikën tonë, brumin dhe karakteristikat tona dhe është gabim fatal që t’i humbasim për të përqafuar gjëra të huaja.
Mos vallë skulpturën e ka dëmtuar ca edhe e shkuara, pasi menjëherë e identifikojmë me monumentet e diktaturës?
Ka një pikëpyetje të madhe për këtë çështje. Ajo është pjesë e historisë, por është një epokë e mbyllur. Vlerat janë të diskutueshme, ne nuk mund t’i vlerësojmë tani. Në botë janë shumë të kërkuara, ndërsa ne i shkatërruam. Pati edhe nga ata të zgjuar që i blenë. Jashtë ato janë të mbyllura nëpër muze. Në Hungari ka një park mbi realizmin socialist, shumë i vizitueshëm nga turistët. Por nuk duhet të harrojmë që kjo shkollë në këtë periudhë u ngrit, këta pedagogë kemi pasur. Ne kemi mësuar skulpturën prej tyre dhe po të shohësh në fondin e Galerisë së Arteve, gjen vepra me vlerë të Thoma Thomait, Muntaz Dhramit, Kristaq Ramës etj…, por që përbëjnë fillimet e skulpturës shqiptare, pasi tradita jonë është e varfër në këtë drejtim, pa marrë parasysh artin popullor.
Po punoni për ndonjë cikël tjetër ndërkohë?
Ndërkohë jam duke punuar për disa cikle, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me këtë zhanër. Është një cikël për fosilet, me të cilat po merrem gjatë. Për të mos u bërë i bezdisshëm, apo majdanoz që hyn në çdo gjellë, do lë ca kohë të kalojë, deri sa të shfaqem sërish.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura