Anëtari i PS në KQZ, Denar Biba flet me gjuhën e Metës: Merreni me qetësi e dashuri

Jun 2, 2015 | 23:23
SHPËRNDAJE

Thënia e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta “me qetësi dhe dashuri” ka filluar të ketë një përdorim të gjerë në politikë. Madje, ky slogan është riprodhuar edhe në tryezën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Nenkryetari i KQZ, Denar Biba

Dy anëtarët e KQZ-së, Debar Biba i propozuar nga PS dhe Hysen Osmanaj i propozuar nga Partia Demokratike, janë përplasur dje për thënien e Metës.

Nënkryetari i KQZ-së ka kërkuar prej kolegëve të mos bëjnë retorika politike gjatë diskutimit në KQZ, por kjo ka acaruar anëtarin Osmanaj, i cili e ka akuzuar kolegun se është larguar në zgjedhjet e shkuara duke iu bindur urdhrave të partive politike.

“Ti je bindur politikisht dhe e ke lënë komisionin me katër anëtarë. Të kanë dhënë urdhër të ikësh dhe je bindur politikisht. Ti s’mund të na bësh moral”, tha anëtari Osmanaj.

Por nënkryetari i KQZ ka thënë se largimi i tij është bërë për shkak të heqjes që i bëri maxhoranca e djathtë anëtarit të LSI-së, Ilirjan Muho.

Biba ka përdorur dhe thënien e Metës, çka ka acaruar kolegët e propozuar nga PD. “Kur të të heqin ty Hyseno, siç hoqën Ilirjan Muhon, unë prapë do e jap me deklaratë se do të largohem nga këtu. Kur të heqin ty zvarrë. Ky vendim me qetësi dhe dashuri…”, tha Biba.

Por kolegu i ka kërkuar që këto deklarata politike t’i bëjë në Parlament dhe jo në mbledhjen e komisionit. “Thuaji në Parlament ato ti, thuaja Ilirit, se prej atij i ke këto”, tha Osmanaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura