Analiza e Faik Konicës për fqinjët në 1919-ën/ “Naçertania”, doktrina famëkeqe e Çubrilloviçit, koha kur serbët hartuan platformën antishqiptare

May 10, 2024 | 13:55
SHPËRNDAJE

konicaPROF. ARBËR KOSOVA

Faik Konica, figurë madhore e kombit shqiptar, ka shkruar e botuar shumë studime, artikuj, monografi. Ka drejtuar revista e gazeta. Ai është ndalur në analiza dhe ndaj fqinjëve tanë, që na rrethojnë. Pikërisht për këto analiza bën fjalë edhe kjo trajtesë për të, me titull: “Faik Konica flet”, botuar në gazetat e kohës në Itali ( “Kuvendi”, Romë, 1919, 9 qershor) para gazetarëve, në një nga qytetet e mëdha të Italisë, i ardhur në Itali, mbas një arresti në Baden të Vienës, ku i bastisën shtëpinë e banimit dhe e ndalojnë në fund të majit 1916

Arresti erdhi për shkak të një broshure të botuar nga Konica në Lozanë, në vjeshtën e vitit 1915, kundër politikës Austro-Hungareze ndaj Shqipërisë: “L’Allemagne et Albanie”. Intervista e tij zgjoi interes te gazetarët e huaj. Atij iu bënë disa pyetje, të cilat morën përgjigje nga Konica dhe analizat e tij ishin me shumë interes, për shkak të momenteve historike të vështira që kalonte Shqipëria dhe në kohën kur i kalonte ato. (1919-1920). Ndër të tjera gazetarët shtrojnë pyetjen: “A mund të bëhet një marrëveshje ndërmjet serbëve e grekëve me shqiptarët?”

Nga konteksti i intervistës, këtu nuk është fjala për marrëdhënie tregtare apo kulturore të serbëve e grekëve me shqiptarët. E thënë açik: “A do të bashkohen ndonjëherë serbët e grekët me shqiptarët?”

Në përgjigjen e tij Konica, ndër të tjera, citon: “Serbët dhe grekët kanë lënë të shkojnë dhjetë raste për të lidhur miqësi me shqiptarët dhe nuk deshën të bëjnë as sakrificën më të vogël për një “afrim” të tillë”.

Historia e marrëdhënieve serbe dhe greke me shqiptarët është e hershme. Ajo ka kaluar përmes luftërave, shpërnguljeve, dëbimit me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre, gjakut, genocidit, dhimbjes, sepse pretendimi territorial ndaj trojeve etnike të shqiptarëve ka qenë prezent në etapat historike, që kanë kaluar shqiptarët. Historia dëshmon, për periudhën e dyndjeve sllave në Ballkan, invazionin e tyre në trojet e Ilirisë (shek. VI, VII, VIII), për të cilën autori i njohur i periudhës bizantine, Prokopi i Qezaresë, shkroi veprën “Historia Arcana” (Historia e misterit), që jep të dhëna me vlerë për masakrat sllave në Iliri

Por le të ndalemi në gjysmën e parë të shek. XIX, atëherë kur serbët hartuan platformën antishqiptare “Naçertania” të I. Garashaninit dhe kohë më vonë doktrinën famëkeqe kundër shqiptarëve, të V. Çubrilloviçit.

Mendimi më i përhapur sllav ka qenë ai i urrejtjes së shqiptarëve ndaj serbëve, apo i arbanasëve, siç i quanin ata shqiptarët. Në dhjetëra e dhjetëra botime, si: artikuj, pamflete, studime e botime librash të autorëve serbë, mendimi më i përhapur dhe shprehur në to, ka qenë ai për urrejtjen ndaj serbëve.

Në këto rrethana historike, nga fillimet deri në ditët e sotme, vështirë se mund të formësohet paqe, harmoni, nën breshërinë e një goditjeje politike të implementuar plot urrejtje të përhapur ndër vite e vite, të mbarsur me mendime tendencioze për shqiptarët, duke e parë si të vetmit mjet, me të cilën makineria e propagandës serbe, krijoi te populli serb urrejtjen ndaj arnautëve “të egër”.

Që në gjysmën e dytë të shek. XIX, nga autorë, si: H. S. Ristiq (1864), janë artikuluar dhe kanë zënë vend në veprat e tyre, ide dhe mendime të tilla se shqiptarët janë “armiqtë më të këqij të fesë së krishterë…”, ndërsa H. Vasileviq, në veprat e tij në vitet 1906, 1909, 1913, i vlerëson shqiptarët si “kundërshtarët më të flaktë të serbëve”, por edhe si “armiqtë më të mëdhenj të tyre…” Autorët e kësaj periudhe janë ndalur edhe në manipiulimin e elementëve të tjerë të arbanasëve, duke pohuar se fiset shqiptare nuk kanë nevojë për shtet dhe as për aftësi civilizuese për organizimin e shtetit të pavarur dhe, si produkt i këtyre viteve, jepen dhe “argumente” se Skënderbeu është serb (?!)

Në vitet ’80 (1980) e më pas establishmenti i Beogradit fillon të rafinojë e sofistikojë politikën e tij dashakeqe ndaj popujve të tjerë në ish-Jugosllavi, veçanërisht me shqiptarët e Kosovës, Preshevës, Medvegjës, Bujanovcit. Në fjalorin politik zunë vend termat: “genocid”, “shtypje”, “dhunim”, “plaçkitje”, “masakra”, “përdhunim”, terma të përdorura prej tyre.

Në një nga botimet për Kosovën, i autorit D.Bogdanoviq (1985), si dhe intervistave të dhëna në këtë kohë, shkrimet për shqiptarët për botim, pranohen vetëm të shkruara si dëshmi të një “genocidi të planifikuar” ndaj serbëve. Autori aktivizon pseudoteza dhe “argumente” të vjetra se vendosja e shqiptarëve në tokat serbe nga shek. XVII deri në kohën tonë, ka lënë “gjurmë të përgjakshme të dhunës në ndërgjegjen historike të popullit serb”, “dëbimin e serbëve nga tokat e tyre” dhe se “populli serb është bërë viktimë, sipas një plani për ta shkatërruar atë fizikisht”. Si mund të qëndrojë në këmbë një ngrehinë e tillë si akademia e shkencave, ndërtuar mbi manipulimin, duke përhapur një tymnajë me këtë konotacion tepër negativ, duke bërë vlerësime për lëvizjen politike shqiptare si “agresive, pushtuese, revanshiste, nacionaliste”, me qëllim shkatërrimin e popullit serb dhe përvetësimin e tokës serbe”

Edhe për M. Mlladenoviqin (1989) aparteidi dhe genocidi në Kosovë nuk mund të kontestohen, ndërsa prejardhja ilire e shqiptare është një “mjegullnajë arkeologjike, për të pretenduar të drejtën e tyre, mbi atdheun paraardhës prehistorik të shqiptarëve të sotëm”.

Ndërsa për autorin A. Jevtiq (1992), qëllimi i shqiptarëve në Kosovë, historikisht ka qenë “sa më shumë tokë, sa më shumë fëmijë dhe sa më shumë armë”, duke u veshur atributet e “frymës primitive fisnore”, si dhe “frymës myslimane”.

Vështirë se mund të gjenden në historinë moderne europiane e më gjerë mendime, gjykime, qëndrime, studime e botime me këto platforma, ideologji për të mbjellë urrejtjen e një populli mbi një popull tjetër, të serbëve kundër shqiptarëve, të cilat kanë vijuar pareshtur historikisht, por është po aq e vështirë të mendosh që manipulimet ideologjike, historike, gjeografike, etnologjike, antropologjike e fetare, të arrijnë deri në një shkallë të tillë. Në një përmbledhje të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, për serbët dhe shqiptarët në shk. XX, autori M. Joviçiq (1991) elaboron tezën primitive se me traditën dhe grumbullimin e përvojës, lindin predispozita të caktuara biologjike e kombëtare, ku theksohet se thuajse tërë shtresat e popullsisë shqiptare “e kanë në gjak dhunën, urrejtjen ndaj popullit serb”. E thënë shkurt, shqiptarët janë, siç thotë autori, “armiqtë e gjakut të Serbisë dhe të serbëve…”, çka dëshmon “pamundësinë e krijimit të kushteve të një bashkëjetese normale të etniteteve që ekzistojnë në Kosovë e Metohi…”

Në këtë trajtesë regjistrohen edhe autorë, të cilët me objektivitet kanë përshkruar në botimet e tyre ngjarje e periudha të ndryshme historike për shqiptarët, si: O. Milisavleviq etj. Por propaganda dhe dhuna serbe kanë vijuar pa ndërprerje ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndaj atyre të Preshevës, Medvegjës, Bujanovcit e Sanxhakut. Në luftën e Kosovës (1999) ata ushtruan një genocid të vërtetë, një spastrim të paparë, madje dhe një vit më pas (2000), ky proces vijoi në Mitrovicën e Veriut, ndonëse forcat e NATO-s larguan ushtritë serbe nga Kosova.

Propaganda antishqiptare serbe vazhdon sot e gjithë ditën kundër shqiptarëve. Gjatë gjithë historisë së tyre janë përpjekur duke ia arritur qëllimit, të manipulojnë, tjetërsojnë, të grabisin, përvetësojnë historinë e popujve të tjerë të Ballkanit, veçanërisht të shqiptarëve.

Piktori i njohur serb, Paja Jovanoviç, autor i një tabloje të arrirë në vaj, të shek.XIX, e njohur nga europianët, specialistët e kësaj fushe, me emrin “Luftëtari Arnaut”, thotë se piktura u ble në një shtëpi ankandi në Londër nga shteti serb (Muzeu i Beogradit), më 9 nëntor 2023. Ajo që është për të ardhur keq, qëndron në faktin se serbët tablosë i ndërrojnë emrin në “Pushimi i bashibozukut” (Odmor bašibozuka), vetëm e vetëm për të mos përmendur emrin shqiptar….

Serbët kanë dhe një “detyrë” tjetër manipulimi. Monumentit, shtatores në qendër të Beogradit, që i kushtohet udhëheqësit kryengritjes së parë serbe kundër Perandorisë Osmane, më 1804, shqiptarit Kondo Bimbashi, me plis në kokë, u duhet t’ia heqin plisin nga koka…

Historia e kontakteve, lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe grekëve është e hershme, sepse ajo ka të bëjë me arvanitasit, me popullin arvanitas vendës, të cilët njihen që nga shek. IX-XIII e.r., ku afërsisht banojnë mbi 550 fshatra në zonën e Epirit, në zonën e Thrakës, Peloponezit, Thesalisë, Livadhiasë, në ishujt e Korfuzit, Hidrës, Specias, Psaros, Andros, Salaminës, të cilët njihen si arvanitas vendës, një popullsi që gjuhën shqipe e flet që në vatër. Por në rreth 140 fshatra banohen nga shqiptarë të ardhur më vonë në Greqi

Një nga periudhat më të lavdishme të tyre është ajo e “Revolucionit Grek”, e pjesëmarrjes së drejtpërdrejtë të tyre, e drejtimit të tij nga arvanitasit, që solli fitoren e këtij revolucioni (1821). Le të kujtojmë kohën kur ata drejtonin qeverinë, parlamentin në kryeqytetin e parë të Greqisë, Nafplio. Të mos harrojmë kontributin e popullit të Çamërisë në këtë revolucion.

Emri “Çamëri” (T’chamis), në disa harta romake e helene tregon se është më i vjetër se emri “Epiri”, i përdorur vetëm nga popullsia shqiptare në disa shekuj. Popullsia çame është një etnitet me tradita e zakone të mirëfillta shqiptare. Po çfarë ndodhi më pas me arbërorët? Po me historinë e tyre? Si rrodhën ngjarjet?

Të gjitha këto u fashitën në mjegullën e historisë dhe u tretën në brymë të kohës. Gjithmonë thuhet se historinë e bëjnë fitimtarët… Forcat janë rreshtuar në fushën e betejës. Historia dëshmon se vijat në harta gjithmonë janë hequr me majën e shpatës.

Beteja do të fillojë në gjysmën e parë të shek. XIX (1844), ku nga arkivat shpalosen hartat etnike, botime arkivore, dokumente dhe nis lufta me këtë armë shpirtërore, e cila vihet në shërbim të ndërtimit të platformave ideologjike, e projekteve nacionaliste, në themel të të cilave ishin pretendimet territoriale. Ato u shfaqën hapur nga J. Koleti me “Megali Idenë” (Ideja e Madhe), për pretendimet mbi Jugun e Shqipërisë, pretendimi grek për Vorio-Epirin.

Me interes është të citojmë se po në këtë periudhë hartohet në Beograd “Naçertania” serbe e I. Garashaninit, platformë nacionaliste, me pretendim ndaj trojeve shqiptare. Pas Traktatit të Shën Stefanit dhe mbas qershorit 1878, grekët pushtojnë Artën, Shqipërinë e Poshtme, një emërtim i hershëm nga të huajt, duke pushtuar Çamërinë, një zonë etnikisht shqiptare. Objektivi i ardhshëm ishte Epiri i Veriut. Në vitin 1913 Konferenca e Londrës vendosi copëtimin e trojeve shqiptare. Vorio-Epiri përfshinte kufij të gjerë të Shqipërisë etnike, deri në lumin Shkumbin, duke futur brenda Himarën, malet Akrekeraune (Malet e Vetëtimës), Gjirokastrën, madje deri në Lezhë.

Në vitin 1914 filloi lëvizja për Vorio-Epirin dhe në 2 prill të këtij viti në Korçë shpërtheu e ashtuquajtura “Kryengritje e Epirit të Veriut”. Ushtri me uniformë e pa uniformë, andartët grekë, të drejtuar nga komandanti i ushtrisë, Damianos dhe kapiteni Vardhas, masakronin të gjithë ata që kishin dalë kundër tyre dhe popullsinë e pafajshme. Me tërbim u nisën drejt pazarit të famshëm të asaj kohe në Korçë, rrëmbyen gjithçka dhe i vunë zjarrin çdo gjëje, nën pretekstin se ato ishin të myslimanëve.

Në korrik të vitit 1914 në Panarit u bë ajo që në histori njihet si masakra e Panaritit nga andartët grekë, ku u masakruan 374 shqiptarë të pafajshëm, 75 të tjerë, në përpjekje për t’u larguar, vdiqën rrugës nga uria, ndërsa 217 banorë patën të njëjtin fat me ata, që është e njohur si masakra e Hormovës, pranë Tepelenës. Të njëjtin fat patën edhe popullata që u sulmua në Kolonjë, Leskovik, Labëri, Tepelenë, Këlcyrë, Përmet, Delvinë, Devoll, Gjirokastër, në zonën e Bregut, Skrapar, Berat e Tomorricë. Duke zbatuar politikën e tokës së djegur, u shkatërruan, u dogjën, plaçkitën e masakruan mbi 250 fshatra shqiptare, pa llogaritur këtu shpërnguljet e shumta të popullsisë. Të dhënat dëshmojnë se rreth 50 mijë shqiptarë, popullsi e pafajshme, u masakruan apo vdiqën nga uria, sëmundjet në emër të këtyre ideve e platformave nacionaliste greke të Vorio-Epirit, ku Jugu e Juglindja e Shqipërisë u dogjën, u përvëluan dhe u bënë shkrumb e hi.

Por ky plan ogurzi nuk mbyllet këtu. Traktati i Fshehtë i Londrës (1915), do t’i jepte një goditje fatale copëtimit të trojeve shqiptare. Greqia duhej joshur përsëri me troje, që ajo të aderonte si anëtare pa ekuivok e bllokut të Anglisë e të Francës etj. Por këtë projekt do ta ndalonte Presidenti amerikan, Ëillson, në Konferencën e Paqës në Paris (1920). Ngjarjet rrjedhin me shpejtësi. Shqipëria ishte në tehun e shpatës dhe për shqiptarët nuk frynin erëra të mbara. Marrëveshja e Lozanës turko-greke, vendosi mbi shkëmbimin e popullsive (1923) grekë ortodoksë të Anadollit, me turqit myslimanë të Greqisë, të cilët në fakt ishin shqiptarë të besimit musliman, nga krahinat e Çamërisë. Një shkëmbim i tillë do të realizohej vite më pas dhe me shqiptarët muslimanë të Kosovës, duke i konsideruar si turq.

Tabloja e mëpasme do të na japë një panoramë të tillë të situatës politike midis Greqisë e Shqipërisë: Në fund të gushtit 1923 vritet nga grekët gjeneral Telini, kryetar i delegacionit, i caktuar ndërkombëtarisht për përcaktimin e kufijve ndërmjet dy vendeve tona. Më 7 prill 1939 pushtohet ushtarakisht Shqipëria nga Italia fashiste. Në janar-prill 1940 fillon Lufta Italo-Greke, ku bëhet pushtimi i saj në tetor nga Italia. Ky agresion solli edhe vendosjen e ligjit të luftës me Shqipërinë, i cili edhe sot e kësaj dite nuk është ratifikuar në parlamentin grek, ndonëse është shfuqizuar me një dekret qeveritar.

Në prill të vitit 1942 situata në Çamëri u bë dramatike nga politika shoviniste greke, ku vijojnë kërkesat për largimin e çamëve nga trojet e tyre në Çamëri me manipulimin si myslimanë turq nga zonat e Anadollit. Më 13 mars 1942 përfaqësues të popullsisë çame, me një numër të konsiderueshëm, u tubuan në qytetin e Pargës për t’u dalë zot trojeve të tyre etnike, duke ngritur lart flamurin kuq ë zi, për t’u bërë me dije grekëve, italianëve dhe gjithë Fuqive të Mëdha se Çamëria është Shqipëri. Në qershor 1944, në Pramithi u bë masakër, genocid ndaj popullsisë çame nga trupat e Napolon Zervës, duke masakruar rreth 3000 civilë të pafajshëm, nën akuzën si bashkëpunëtorë të nazizmit.

Me vendosjen e regjimit komunist në Shqipëri, në verën e vitit 1949 nga forcat greke, në kufi me Shqipërinë, organizohen provokacione, të njohura si provokacionet e gushtit, ndaj territorit shqiptar. Në vitet 1960 Greqia përjetoi një krizë të thellë. Koha nga vitet 1960-1967 prodhoi disa qeveri njëra pas tjetrës, deri sa më 1967 vjen në fuqi junta ushtarake greke, e cila edhe ajo vuajti pretendimet e saj territoriale për kufijtë e jugut të Shqipërisë. Përfundimisht, në maj të vitit 1967 mbas disa peripecive vendosen marrëdhënie diplomatike me Shqipërinë. Për të ardhur deri në ditët e sotme, në krizat peroidike që i kanë përshkuar marrëdhëniet shqiptaro-greke, kujtojmë vitin e mbrapshtë 1997, ku në Shqipëri ra shteti, u shkërmoqën institucionet, Greqia qe përgatitur për ndërhyrje ushtarake në trojet shqiptare, por qe ultimatumi i kryeministres turke të kohës, Tansu Çiler, drejtuar Greqisë, për të mos prekur aleatin e hershëm të saj, Shqipërinë, ultimatum që i preu hovin qeverisë greke dhe kërkesave të hershme shoviniste të saj.

Këtë tablo të përgjithshme të “miqësisë”, të historisë, të marrëdhënieve serbe e greke me shqiptarët, intervistën e tij Faik Konica e përfundon me gazetarët me fjalët: “Në qoftë se tani vijnë me të vërtetë e na flasin për marrëveshje (serbët dhe grekët. Shën. im ), besoj se kemi mjaft shkaqe për të mos besuar se flasin të pastër. Po kushedi? Çdo gjë mund të ngjasë në këtë botë. Unë nga ana ime nuk kam besim në një miqësi të grekëve e serbëve me popullin shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura