Ambasadori turk te “Luarasi”: Shqipëria meriton të jetë në BE

May 11, 2019 | 14:10
SHPËRNDAJE

Një tjetër përfaqësi e huaj i është shtuar rrjetit të partnerëve ndërkombëtarë të universitetit “Luarasi”.

murat

Bëhet fjalë për ambasadën turke në vendin tonë, një partner strategjik i hershëm i Shqipërisë, tashmë edhe i universitetit elitë në vend. Për të konsoliduar më tepër marrëdhëniet midis dy shteteve, veçanërisht në fushën e arsimit, “Luarasi” priti në një takim të hapur ambasadorin e Turqisë, z. Murat Ahmet Yörük. Si personalitet me karrierë në fushën e diplomacisë, kreu i bordit të administrimit të universitetit, Dashnor Dervishi, shprehu dëshirën që miqësia me Turqinë të shtrihet edhe në edukim e ekonomi.

Përfaqësuesit e universitetit me ambasadorin turk
Përfaqësuesit e universitetit me ambasadorin turk

“Është një kënaqësi e madhe të kemi ambasadorin e Turqisë në universitetin tonë. Edhe Shqipëria me politikën e saj të jashtme, nëpërmjet marrëdhënieve miqësore e vëllazërore që ka me Turqinë, rregullonte ekuilibrat e veta me vendet e tjera fqinje. Ne do të donim që kjo miqësi, kjo traditë, kjo histori e përbashkët midis vendeve tona të reflektohet më shumë në marrëdhëniet ekonomike. Nëpërmjet ambasadorit, të gjejmë hapësira më të mëdha për të shtrirë bashkëpunimin tonë në fushën e arsimit”.

Duke folur për politikën e jashtme të vendit tonë, kryediplomati turk vlerësoi se Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian pas transformimeve pozitive që ka pasur, ndërsa garantoi bashkëpunim edhe më të ngushtë me vendin që përfaqëson. “Turqia dhe Shqipëria gjithmonë kanë pasur marrëdhënie shumë të mira dhe speciale e të dyja vendet ecin përkrah njëra-tjetrës edhe në ditët e sotme. Kjo marrëdhënie e mirë na shtyn të kemi një bashkëpunim edhe më të ngushtë mes dy shteteve.

Shqipëria e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Europian, pasi në gjithë këto vite është transformuar pozitivisht. Shoqëria shqiptare është shumë dinamike, shumë e integruar dhe ka një vend strategjik në hartën europiane. Gjithashtu, ka qenë faktor stabilizues dhe ka potencial ekonomik për t’u zhvilluar shpejt”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura