Ambasada Franceze, një program ndihme për botimet shqiptare

May 13, 2011 | 11:00
SHPËRNDAJE

Në një kohë kur Shqipëria ishte një ishull i izoluar në mes të Europës, kur konsiderohej si një mister, e vetmja dritare që mund të përçonte diçka qoftë edhe në mënyrë të fshehtë, ishte libri. Ishin librat e Kadaresë dhe të Agollit që për së pari u përkthyen në gjuhën frënge. Franca u bë si një dritë shprese për shkrimtarët shqiptarë, si një vend përmes të cilit mund t’i përcillnin kumte Europës. Jo më kot edhe Kadare zgjodhi pikërisht këtë vend për t’u vendosur pas largimit të tij nga Shqipëria. Sot, falë edhe hapjes së vendit, kjo lidhje, dikur e fshehtë, është bërë edhe më e fortë. Të tjerë shkrimtarë ndoqën Kadarenë e Agollin. Sot është Fatos Kongoli, i cili përkthehet gjerësisht në gjuhën frënge, pasuar nga Ylljet Aliçkaj, Besnik Mustafaj e të tjerë autorë. Sot kjo lidhje është bërë edhe më e prekshme përmes programeve që Ambasada Franceze zhvillon në Shqipëri. Njëri prej tyre është “Programi i Ndihmës për Botim”. Një program i gjerë, i cili shtrihet në fushën e botimeve, përkthimeve, promovimeve e debateve. Një program që ka filluar qysh me hapjen e vendit, kur nisën të lulëzojnë shtëpitë e para botuese dhe mban emrin “Fan Noli”, një prej personaliteteve të letrave, por dhe politikës shqiptare. “Fillimisht ky program synonte botimin në shqip të autorëve francezë, të cilët ishin censuruar gjatë periudhës së diktaturës, ndërsa aktualisht i kushtohet promovimit të dijeve dhe debatit të ideve. Në qendër të programit janë vepra që trajtojnë problematikat e mëdha të ditëve tona, debatet botërore si edhe temat që janë prioritare për Shqipërinë. Rreth 200 vepra kanë përfituar nga ky program dhe ne kemi punuar me rreth 30 shtëpi botuese”, thotë Raymond Chaffort, shefi i Zyrës së Bashkëpunimit. Ndërkaq, përveç programit “Fan Noli” të Ambasadës Franceze, ekziston edhe një program tjetër i Ministrisë Franceze të Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Europiane, ai i ndihmës për të drejtat e autorit dhe drejtohet nga Instituti francez, i cili është edhe operatori i kësaj Ministrie. “Ministria franceze e Kulturës ka ngritur prej vitesh një program bursash për përkthyesit e rinj dhe ne punojmë bashkërisht me këtë departament për të ndihmuar përkthyesit shqiptarë të përfitojnë nga mundësitë që ofron ky program. Ai favorizon pikësëpari përkthyesit që kanë projekte përkthimi të veprave që trajtojnë tema që bëjnë pjesë në prioritetet e sipërpërmendura si dhe tema që janë prioritet për shoqërinë shqiptare”, vazhdon Chaffort. Ndërkohë që një tjetër drejtim i këtij programi janë edhe vizitat, apo pjesëmarrjet e autorëve shqiptarë e francezë në aktivitete të përbashkëta. Sipas Klea Kolekës, bashkëpunëtore për kulturën, pranë Ambasadës Franceze, prej vitesh përmes këtij programi mundësohet pjesëmarrja e poetëve shqiptarë jo vetëm në aktivitete të organizuara në Francë, por edhe në pellgun e Mesdheut. “Një pjesë e punës sonë i kushtohet ftesave të autorëve francezë në Shqipëri, veprat e të cilëve janë përkthyer në shqip. Ne punojmë bashkë me strukturat vendase (universitetet, në rastin kur autorët janë profesorë universitetesh apo kërkues shkencorë) dhe organizojmë debate idesh dhe konferenca, ku marrin pjesë jo vetëm specialistë apo intelektualë të fushave të ndryshme, po edhe një publik më i gjerë. Pra siç e shihni, ne përpiqemi që në një kontekst globalizmi të mbështesim projektet dhe autorët që trajtojnë problematikat e mëdha, si sociopolitika, gjeopolitika, zhvillimi i qëndrueshëm, po gjithashtu projektet që nxjerrin në pah problematiken e shoqërisë shqiptare, integrimi europian, vlerësimi i arkeologjisë, si dhe atë të rajonit”, thotë Koleka, teksa kujton edhe projektin 15-vjeçar për pasurimin e bibliotekave universitare, por edhe asaj Kombëtare me periodikë e revista franceze. Prej 20 vitesh ky program ka mbështetur shumë shkrimtarë e përkthyes shqiptarë e duket se do të vijojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.

Tituj

Disa nga titujt e botuar dhe mbështetur nga Ambasada Franceze janë: “Gjeopolitika e emocionit”, “Hyrje në gjuhësi”, “Dy burimet e moralit”, “Hyrje në historinë e Antikitetit”, “Fjalori Frëngjisht- Shqip për fëmijë”, “Komuniteti i Qytetarëve”, “Libri i Artë i autorëve francezë për shqiptarët”, “Mesdheu”, “Gramatika e Qytetërimeve”, “Ilirët”, “Historia e Adriatikut”, “Pasione shqiptare”, “E drejta penale evropiane”, “Identitetet periferike në Shqipëri”, “Demokracia, themelet dhe historia e saj”, “Ballkan Tranzit”, “Suitë franceze”, “Porporino ose misteret e Napolit” etj..

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura