Ambasada Amerikane thërret prokurorët dhe gjyqtarët që ua refuzoi vizat

Jan 29, 2017 | 8:29
SHPËRNDAJE

Ambasada Amerikane në Tiranë në mënyrë individuale ka njoftuar të gjithë ata gjyqtarë e prokurorë që u është revokuar viza amerikane.

DonaLD LuLajmi konfirmohet për “Abc News” nga burimet pranë prokurorive dhe gjykatave, ku ushtrojnë detyrën këta individë, që tashmë janë shpallur “non grata” nga shteti amerikan.

“Abc News” ka kontaktuar me disa nga këta prokurorë e gjyqtarë, të cilët gjatë ditës së premte janë parë në hyrje të Ambasadës Amerikane, ku u është komunikuar revokimi i vizës 3-vjeçare që ata kishin marrë me parë në ambasadë.

Ata sqarojnë se revokimi i vizës u është bërë nga zyra konsullore e ambasadës, e cila edhe i ka njoftuar për këtë vendim. Gjyqtarët e prokurorët, nuk japin detajet për arsyen e revokimit të vizës, edhe pse disa prej tyre janë shprehur të habitur për vendimin e ambasadës.

Mësohet se në mesin e gjyqtarëve që u është revokuar viza, janë edhe gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, asaj të Apelit në Tiranë dhe rrethe si dhe gjyqtarë të shkallës së parë.

Listës së personave që u është revokuar viza, i janë shtuar edhe prokurorë të niveleve të ndryshëm.

Mes tyre ka prokurorë të Prokurorisë së Përgjithshme, Apelit dhe Shkallës së Parë, duke mos përjashtuar këtu edhe titullarë të lartë të institucionit të akuzës në vend.

Veç revokimit të vizës së tyre, të marrë qoftë zyrtarisht për shkak të ndonjë vizite zyrtare apo vizite familjare, mësohet se ambasada u ka revokuar vizat edhe bashkëshorteve të tyre, duke i njoftuar për vendimin.

Zyrtarisht ambasada nuk ka pranuar të prononcohet për këtë fakt, duke u mjaftuar me deklaratën e shpërndarë për media pasditen e së enjtes.

Mes të tjerash aty thuhet se “Ambasada e Shteteve të Bashkuara ka revokuar vizat jo-emigruese për disa gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë pasi ka dalë në përfundimin që këta zyrtarë nuk kualifikohen për këto viza.

Për shkak se të dhënat e vizave janë konfindenciale sipas ligjit të Shteteve të Bashkuara, ne nuk mund të komentojmë mbi raste individuale. Ambasada e Shteteve të Bashkuara e ka ndërmarrë këtë veprim përpara procesit të pritshëm të vetingut, i cili do të vlerësojë lidhjet e zyrtarëve të caktuar me korrupsionin, si dhe në përgjigje të një rasti që përfshinte abuzim flagrant të një vize zyrtare nga një prokuror i nivelit të lartë dhe bashkëshortja e tij, gjë që çoi në revokimin e vizave të tyre”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e ambasadës amerikane.

ABC News/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura