Ahmetaj: S’heqim dorë nga paketa e solidaritetit, ja sa do ulet borxhi publik

Nov 15, 2018 | 8:20
SHPËRNDAJE

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, deklaroi dje në Komisionin e Ekonomisë se borxhi publik në vitin 2019 do të ulet 2 për qind. Ministri i Financave deklaroi se qeveria nuk ka devijuar nga strategjia për uljen e borxhit. Ministri Ahmetaj tha se në këto kushte qeveria nuk do të heqë dorë nga paketa sociale dhe ulja e taksave.

ahmetaj komision

“Në vitin 2019, ne targetojmë një reduktim të borxhit publik, me rreth 2 për qind. Këtu i referohem konceptit të borxhit neto, pra, i zhveshur nga efekti momental i Eurobondit. Ndërsa në afatin e mesëm, ne synojmë të arrijmë të ulim borxhin rreth 60 për qind në vitin 2021, në përputhje gjithashtu edhe me premtimin tonë elektoral. Niveli i deficitit të përgjithshëm, që ne targetojmë në buxhetin e vitit 2019, është 1.9 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, (pra, vijon të jetë me ulje nga targeti i një viti më parë dhe vijon të jetë niveli më i ulët që është targetuar historikisht në një ligj buxheti)”, tha Ahmetaj.

Ministri Ahmetaj gjatë raportimit për shifrat e borxhit publik tha se në 2019-n do të arrijë 64,9 për qind. Kreu i Financave u shpreh se qeveria nuk do të heqë dorë nga paketa sociale dhe ulja e taksave.

“Borxhi këtë vit do të jetë 66,9 për qind neto dhe vitin tjetër do të jetë 64,9 për qind. Pra, praktikisht nuk kemi devijuar nga strategjia, praktikisht kemi axhustuar strategjinë. Strategjia është orientuese dhe praktikisht ne jemi në një trajektore intensive të uljes së borxhit publik, ndërkohë që nuk heqim dorë nga dy elementë; pikë së pari nga paketa jonë sociale, së dyti nga ulja e barrës fiskale dhe mbajtja e investimeve publike në 5 për qind”, u shpreh Ahmetaj.

Projektet e infrastrukturës që do të ndërtohen me koncesion nëpërmjet programit “1 miliardë euro investime” do të rrisin ekonominë 1 për qind. “Një nga projektet e Partneritetit PublikPrivat ka përmbyllur një transaksion kredie të madhe me një bankë vendase. Pra, menjëherë u materializua nevoja dhe furnizimi i nevojës me likuiditet, në rastin e një PPPje. Një koncesion në infrastrukturë shumë i rëndësishëm dhe me një shifër të konsiderueshme. Kuptohet që në varësi të hyrjes në ekonomi të të gjithë ose të bërjes së këtyre investimeve, besoj që ndër vite në ritmin e rritjes do të ketë të paktën 1 për qind plus në rritjen ekonomike, përveç faktorëve të tjerë konsekutivë, që do t’i numërojmë në muajt apo vitet në vazhdim”, u shpreh ministri.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura