A është Kadare “kalorësi që shpëtoi poezinë nga vdekja”, arsyeja pse kritika letrare e quajti “Monark të letrave shqipe”

May 16, 2024 | 13:44
SHPËRNDAJE

SEJDO HARKA/ Ismail Kadare, ky emër i madh i letërsisë së re moderne shqiptare, do të mbetet gjatë në memorien e lexuesëve, jo vetëm brenda kufijve tanë, por dhe përtej tyre.

ismail kadare

Pena e tij ka një jetë të tërë, që shkëlqen me krijimtarinë e tij artistike cilësore, gati në të gjitha gjinitë, llojet dhe nënllojet e saj, por veçanrisht në shumëllojshmërinë e romanit, i cili me problematikën e larmishme dhe stilin e tij të papërsëritshëm, i dha letërsisë shqiptare një vend të veçantë në kopshtin shumngjyrësh të letërsisë botërore. Kjo është arsyeja që kritika letrare, Kadarenë, herë e ka quajtur “Monark të letrave shqipe” dhe herë “kalorës që shpëtoi poezinë shqiptare nga vdekja”. Romani i tij karakterizohet nga metamorfoza kafkiane dhe mitizimi dhe çitizimi i ngjarjeve e herojve, nga kohezioni dhe shumëkohësia, nga universaliteti dhe qytetaria, nga humanizmi dhe filozofia, nga ëndrra për jetën dhe dykuptimshmëria….

Personazhët dhe karakteret e romaneve të Kadaresë shfaqen, herë realë e historikë dhe herë pjellë e fantazisë së tij krijuese, herë të vdekur dhe herë të gjallë, herë të papërsëritshëm dhe herë të ngjashëm si dy pika uji, herë njerëz të mirë e humanë dhe herë barbarë, kryeneçë e diktatorë të egër që janë të destinuar të pësojnë një fud të pashmangshëm tragjikomik. Romanet e tij kanë një stil të papërsëritshëm me një gjuhë brilante dhe një fjalor të pasur, që buron nga gjuha popullore, figuracioni i gjallë dhe nga aftësia e tij e rrallë për të krijuar një shumllojshmëri fjalësh të reja , duke dhënë një kontribut të madh për pasurimin e fjalorit të gjuhës shqipe. Romanet e Kadaresë janë të shumtë, por një nga romanet e tij më të mirë, të cilin e kemi bërë objekt të këtyre shënimeve tona është ai me titullin kuptimplotë “Kamaria e Turpit”.

Për herë të parë, ky roman u botua në vitin 1978, si pjesë përbërëse e librit “Ura me tre harqe”, me titullin “Pashallëqet e mëdha”. Shtypi shqiptar i asaj kohe heshti, ndoshta, për shkak të alegorisë me dy presa, që autori përdor shpesh në krijimtarinë e tij poetike dhe narative. Ai përshkruhet nga pathosi tepër cinik i ngjarjeve të kohës, që buron nga fuqia çmendarake dhe fundi i pashmangshëm i sistemeve të egra totalitare. I. Kadare, si mjeshtër i metamorfozës së përçudnimit kafkian, për të zbuluar përplasjen brenda Perandorisë Osmane, heq vija të qarta ndarëse mes ngjarjeve makabre dhe fundit të tmerrshëm të aktorëve që luajnë me vdekjen e tyre.

Ngjarjet e këtij romani zhvillohen, herë në skajet e saj, që nënkupton mjediset shqiptare dhe herë në qendër të Perandorisë, në Stamboll. Kamarja e Turpit është një zgavellë e tmerrshme, ku luhet drama e kokave të prera. Ajo pret e përciell koka të njerëzve të pushtetshëm, që guxojnë të kundërshtojnë ose të rebelohen kundër Portës së Lartë dhe Sulltanit, ”Zeusit” të saj absurd. Kamarja e Turpit ishte kthyer në një rit i zakonshëm. Ajo, herë shfaqej si një ekspoze argëtuese, për vizitorët që vërshonin si lumë, dhe herë si bombë vrastaree, me të cilën kërcënoheshin të gjithë vizitorët, se nëse do të guxonin të rebeloheshin kudër padishahut, koka e tyre do të pësonte të njejtin fat. Kokat e prera ishin kthyer një mit i frikshëm. Pyetjet që buronin natyrshëm para ”Kamares së Turpit” ishin: E kujt është kjo kokë? Kush e ka radhën pas saj”?

Në sheshin para Kamares së Turpit, vdekjen e përjetonin, jo vetëm të vdekurit, por edhe të gjallët. Ky roman përshkuhet fund e krye nga pathosi tragjikomik i ngjarjeve të kohës. Edhe vet mbikqyrësi i kokave të prera, Abdullai, edhe Tunxh Hatai, korieri i Oborrit dukej sikur i priste i njëjti fat. Me ta vdekja gjallonte çdo ditë, sepse ata e mirëmbanin çdo ditë si gjënë më të shtrenjtë. Me një gjuhë të rrallë personifikuese Kadare ka mundur të na përshkruajë në mënyrë tepër të frikshme udhëtimin e Abdullait drejt Stambollit me kokën e prerë të Ali pashait. Në këto pasazhe lexuesi ndjen, se si të gjallët tjetërsohen, metaforikisht, në të vdekur dhe të vdekurit, me bëmat dhe fatin e tyre të keq në të gjallë. Ali pashë Tepelena shfaqet si tertipi më tragjikomk i kësaj historie makabre. Titulli i këtij romani është, sa alegorik, aq dhe i drejtpërdrejtë.

Brendia e këtij romani e merr frymëzimin nga historia e trishtë e sundimit të egër të Perandorisë Osmane. Arkitektura e tij është një nga më të habitshmit në krijimtarinë e Kadaresë. Ali pashai, pasi rebelohet ndaj Portës së Lartë, përjeton sulmin e egër kokprerës të Sulltanit, për t’u dhënë një mësim të madh gjithë atyre, që do të guxonin të dilnin mbi urdhërat e tij të padiskutueshëm. Koka e kujtdo që do të rebelohej, vendin do ta kishte në ”Kamaren e Turpit”, e cila ishte syri tmerrues i shtetit totalitar të Sulltanit. Këtu qëndron dhe thelbi aktual gjithëkohor i brendisë së këtij romani.

Diktaturët kanë të njëjrtën fytyrë dhe të njëjtin shpirt barbar. Ato ndryshojë mjetet dhe metodat, por fruti i hidhur i tyre është i njëjtë. Ai është ”kokëpreri” i radhës, i cili ekspozohet si një lodër zbavitëse në Kamaren e Turpit. Kadare, si mjeshtër i alegorisë dhe i paralelizmit figurativ, ka ditur të zbulojë pjesën e nënujshme të aezbergut të ngjarjeve të tilla të trishta dhe të përcjellë mesazhin gjithëkohor për gjithë lexuesit, se kurrë nuk duhet të harrojmë forcën dhe helmin e shpatës së ditaturave, të cilat përherë qëndrojnë të mprehta mbi kokat e njerëzve që përballen me demonët e shtypjes dhe të shfrytëzimit. Është kjo një ndër arsyet që romani”Kamaria e Turpit”mbetet një nga veprat më të mira të letërsisë shqipe, që godet me forcë mbi totalitarizmin absurd e gjakatar. Koka e njeriut në atë sistem, s’është gjë tjetër veçse një lodër në duart e sundimtarëve.

Që lexuesi ta kuptojë më mirë thelbin e këtij deduksioni filozofiko-artistik, na duhet të ndalemi, jo vetëm te brendia e romanit, por edhe tek personazhët dhe karakteret, të cilët rendin herë të gjallë, herë të vdekur dhe herë, as të gjallë e as të vdekur. Në romanin ”Kamaria e Turpit” Shqipëria shfaqet, jo vetëm si vendi ku luhet tragjikomedia e një rebeli si Ali pasha, por dhe vendi ku luhet drama e shtypjes shkombëtarizuese e një populli të tërë. Ethet e këtij romani, sa vinë e shtohen. Kuptimi i drejtpërdretë i titullit të romanit”Kamaria e Turpit” është ”mësim nga mënxyra”. Në këtë Kamare të çuditshme vendosen kokat e prera të vezirëve rebelë dhe i dinjitarëve të lartë të Perandorisë Osmane, të cilët ngrejnë krye ndaj sundimtarit çnjerëzor të sulltanëve. Vendi ku vendosej ”Kamaria e Turpit”, zgjidhej në mënyrë të tillë që sytë e kokës së prerë të shihnin në të gjitha këndet e sheshit.

Ekspozimi i kokave të prera bëhej që, kushdo që do t’i sodiste ato, të mendonte kokën e vetë, nëse një ditë do të rebelohej kundër Sulltanit. Këtë duhet ta mendonte edhe Abdullai, shërbetori i Kamares së Turpit. Ai ishte një 30-vjeçar tepër i dobët, me gjymtyrë të gjata, që në çdo çast i gjëmonin veshët nga klithmat e kokave të prera. Ndaj, ai shpesh tmerrohej e lebetitej. Sa herë që hidhte vështrimin mbi kokën e prerë të Bugrahan-it, mendja i shkonte tek ferri dantesk, ku përpara i shfaqej Peshkopi Ruxher, i cili nga urrejtja që kishte për kundërshtarin, atje poshtë në Ferr, ia brente kokën e tij të mjerë, si të gëlltiste një ”gjellë e zezë”.

Të njejtin fat do të pësonte edhe Abdullai, nëse nuk do ta mirmbante mirë kokën e ekspozuar në Kamaren e Turpit. Nuk kaloi shumë kohë nga dita kur vendin e kokës së Bugrahan-it do ta zinte koka e pashait të Janinës, qeveritarit të lartë të Perandorisë Osmane. Ali pashai, pas një mosbindjeje të gjatë, kishte nisur rrebelimin ndaj Portës së Lartë. Ja si përshkruhet ky rebelim i pashait të Janinës në faqet e këtij romani: ”Ishte një rebelim i zgjatur valë-alë, si lëkundiet e tërmetit. Shtypi shkruante se, se Aliu i Zi, qeveritari i Shqipërisë me 7 shenja ndodhej i rrethuar në dhomat e fundit të kështjellës. Gjithë bota priste me ankth kokën e prerë të pashait kryeneç të Janinës, të cilën e kishte kërkuar si haraç Sulltani”. Për shkak të rebelimit absud, ai tashmë do të thirrej me epitetin Kara Ali( Aliu i Zi) . Abdullait, s’i kishte shkuar kurrë në mend se, një ditë do të mbikqyrte kokën e vezirit të tij të madh, Ali Tepelenës, të ekspozuar brenda ”Gurit të Ibretit”. Për shtypjen e Aliut të Zi Sulltani dërgoi, vezirin e madh Hrushid pashën, me kusht që, nëse nuk do të mundte të sillte kokën e pashait të Janinës, në vend të kokës së Aliut, në Kamaren e Turpit do të vendosej koka e tij. Ndërkohë Sulltani përpunonte planin dinak të faljes. Sapo pashai i Tepelenës do të dorëzohej, do t’i pritej koka. Erdhi çasti, kur Ali pashai bie në grackën e vdekjes së pabesë. Ja se si e përshkruan autori këtë çast tragjikomik:”Ena e argjendë, mbi të cilën ishte vendosur koka e Aliut të Zi nuk ishte një kokë e zakonshme njeriu, por një llambadar i përrallshëm, që mbante me dritë gjithë botën. Ali pashai, që dikur kishte qenë një gjëmim qielli, tani shfaqej si një gropë e shurdhët tërmeti”(52).

Një personazh tjetër interesant i këtij romani është Tunxh Hatai, korieri i Oborrit Mbretëror. Në çastin kur mori në dorë fermanin që urdhëronte kokprerjen e pashait të Janinës, të gjithë njerëzit përreth i dukeshin si pa kokë. Rendte maleve dhe kodrave për të shpurë atë ferman të zi dhe vetja i dukej si një njeri pa kokë. Ishin kohrat kur koka e njeriut vlente sa një kokë lakre. Redte drejt Stambollit, me kokën e Ali pashait në duar për ta ekspozuar në atë zgafellë ogurzezë që mbante emrin ”Kamaria e Turpit” dhe, si për çudi njerëzit rendnin me kërshëri të rrallë për të soditur atë kokë, duke harruar se një ditë mud të ishin vet ata, që do të pësonin të njejtin fat. Me ardhjen e kokës së pashait, sheshi para Kamares gjallërohet. Ishte çasti kur vendin e kokës së Burgahan-it, i cili u kryqëzua vetëm se nuk mundi ta gjunjëzonte pashain e Janinës, tashmë do ta zinte vetë pashai Ali Tepelena. Nuk kaloi shumë kohë nga dita kur Sulltani do të nxirte edhe fermanin e faljes me kushtet e saj poshtëruese. Ja ç’shkruante fermani i falies: ”Ata do të hanë në paqe bukën e skllavërisë, nëse do të dorëzojnë armët menjëherë. Urdhrohen të vishen me shajak të zi; të mos rritin flokët; të mos u hipin kuajëve…!”

Një personazh real, shumë interesant, edhe pse në këtë roman shfaqet si figurë episodike, është ajo e Vasiliqisë, bashkëshortes së pshait të Janinës. Ajo ishte një vajzë 22- vjeçare, që shquhej më shumë për bukurinë e saj të rrallë, se sa për mençurinë, përvojën dhe influencën e saj tek bashkëshorti për drejtimin e Pashallëkut të Janinës. Edhe pse ajo e këshillon Ali pashain të hiqte dorë nga rebelimi kundër Sulltanit, ai nuk hoqi dorë kurrë nga zulmi i tij kryeneç. Vasiliqia e kishte kuptuar, se qenkësh martuar me malin gjëmimtar, dhe jo me një burrë të zakonshëm. Ajo u bind se Ali pasha nuk e njihte as faljen, as vdekjen. Këtë kryeneçësi, gati absude të bashkëshortit të saj, ajo e njohu më mirë, kur ai, edhe në çastin kur e kishin goditur për vdekje, atje në bodrumin e fundit të kështjellës, i drejtohet asaj me fjalët: ”Jam i lumtur që armiqtë e mij, vetëm dy gjëra nuk do të mundin të m’i rrëmbejnë kurrë: Ty dhe vdekjen”. Dhe pas këtij çasti sublim, sytë i kishte dretuar nga shenjat e shtetit… Ndoshta mund ta kishte patur si ëndër krijimin e shtetit shqiptar, për të imituar zulmin e Skënderbeut, shekuj më parë. Po, a mud ta bënte Ali pashai me kryeneçësinë dhe egërsinë e tij anarkiste, gati absurde atë që bëri Skënderbeu, gati pesë shekuj më parë?! Në të vërtetë atë nuk e besuan as njerëzit e tij më të afërt. Që ta realizonte këtë ëndërr të madhe, ai, në radhë të paë, duhet të kishte luftuar me kohë për tu bërë prijës i shqiptarëve, ashtu si ashtu Skënderbeu. Po që të bëhej prijës, duhet ta donin të gjithë.

Po, si ta donin shqiptarët, kur ai i kishte shtypur, vrarë e prerë pa mëshirë, i kishte detyruar të kërcenin në lëmenj të mbushur me mërqinja. I kishte mbushur bugjet, që kullonin ujë, plot me shqitarë, më shumë se sundimtarët turq. Ali pashai, kishte përndjekur e detyruar të marin arratinë nëpër Europë fiset dhe prijësit e tyre fisnikë si Balshajt, Toptanët dhe Kastriotët. Ja , këto ishin arsyet që shqiptarët e braktisën pashain kryeneç e barbar në luftën kundër Sulltanit. Ai tërë jetën kishte ecur herë si macja e zezë, e herë si gaforja, herë majtas dhe herë djathtas, për interesat vetjake e jo për shqiptarët. Ndaj dhe shqiptarët u hakmorën me pashain e tyre cinik.

Ngjarjet e romanit vazhdojnë me ato që zhvillohen në skaj të Perandorisë, që do të thotë në trojet shqiptare. Për mbi 400 vjet Shqipëria kishte provuar të gjitha llojet e shtypjes barbare otomane. Gjëma më e madhe dhe më e gjatë ishte shkombëtarizimi, për realizimin e të cilit u përdorën të gjitha rrugët dhe mjetet. Çdo gjë e keqe ra mbi shqiptarët e atyre kohërave të mbrapshta, shkruan Kadare: ”Kryqëzimi, ngulja në hunj, thyerje eshtrash, prerje kokash, varrosje përsëgjalli, djegia dhe pjekia e njerëzve në furra”.(149) Pas eleminimit të Ali pashës, kohëra më të vështira do të vinin për shqiptarët. Administrimin e trojeve shqiptare e mori ushtruia turke. Për realizimin e platformës së shkombëtarizimit të plotë të shqiptarëve, Sundimi Osman e thelloi përndjekjen e fiseve më të shquara, duke i detyruar ata të shpërndahen si zogjtë e korbit nëpër Europë.

Kështu, Balshajt dhe Kastriotët u vendosën në Romë, ndërsa Aranitasit dhe Dukagjinasit, në Venedik, të cilët, gradualisht u asimiluan, duke mos u rezistuar dot titujve dhe çifligjeve. Procesi i shkombëtarizimit, sa vinte e bëhej më më i egër e më i organizuar, sipas doktrinës së fshehtë të ”Kra-krasë, e cila kalonte në pesë faza. Ai niste me zhdukjen landore dhe të idesë së rebelimit dhe më pas vazhdone me rrënimin e kulturës, zakoneve, gjuhës dhe shuarjen ose dobësimin e memorjes kombëtare. Procesi më i gjatë i procesit të shkombëtaruisimit ka qënë zhdukja e gjuhës së shkruar dhe të folur. Teza më e egër e osmanëve ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, në ato kohëra, ka qenë mosgjuha. Në funksion të mosgjuhës u krijua një administratë e specializuar. Kulmi i procesit të mosgjuhës ishte ndalimi i gjuhës së shkruar shqipe. Vetëm kështu kjo administratë do të treste shkronjat e fjalës së bukur shqipe ”Atdhe”.

Kuptimplotë paraqitet në këtë roman edhe zulmi dhe fundi tragjikomik i vezirit të madh Hrushid pasha, i cili pa shijuar mirë lavdinë dhe zulmin fitimtar mbi kokën e prerë të Ali pashait, erdhi një ditë që ai do të pësone fatn e viktimës së tij, sepse akuzohet si grabitës i arit, që pashai i Janinë kishte fshehur në bodrumet e kështjellës së tij. Populli thotë: Çdo të mbjellësh, do të korrësh. Vdekjen mbolli kudo, tërë jetën, ndaj dhe vdekjen e tij të pashmangsme do të korrte. Kamarja e Turpit nuk mund të rrinte bosh. Radhën, këtë herë, do ta kishte koka e vezirit më të madh të asaj Perandorie, që po i vinte fundi. Fantazma e vdekjes kishte nisur ta ndiqte këmba-këmbës si një qen i tërbuar. Edhe pse ëndrrat nuk u besonte shumë, një ditë prej ditësh, pasi kishte vrarë gjumin, vendosi të viztonte një barakë ëndrrash për të pyetur, se ç’ëndërra të frikshme ishin regjistruar në këtë istitucion, në emrin e tij. Nuk kaloi shumë kohë nga çasti kur Hrud pashai, papritur do të merrte një letër nga ministri dhe miku i tj i ngushtë Gizer, e cila mbante brenda këtë lajm të hidhur:” Nesër niset për tek ti një korier i Degës së Tretë të Oborrit, që thuhet se ka një ferman që nuk është me hair.

Më mirë mos u pafshim kurrë, sesa të të shoh e të mos më shohësh”.(173) Siç duket miku i tij i kërkonte të arratisej, ndryshe do të gjente fundin e pashmanshëm të pararendësve të tij. Kokën e tij e priste vendi bosh në Kamaren e Turpit, ku do të derdhen për ta soditur mijra njerëz, që vinin nga të gjitha anët e Perandorisë. Për Tunxh Hatain kokat e prera po mernin famën e shenjave qiellore, që sillnin përkeqësimin e motit. Kësaj here, aktore e teatrit tragjikomik të Kamares së Turpit po bëhej koka e Vezirit zullumqar Hrushid Pashai, i cili, pasi përjetoi lavdinë e fitores mbi Ali Tepelenën, tani shijon helmin e ”mjaltit të artë” të floririt përvehtësuar, prapa krahëve të ”Zeusit” të Perandorisë Osmane. Kur Tunxh Hatai preku me dorë thesin që mbante brenda kokën e vezirit të madh Hrushid, e pyeti atë sikur të ishte gjallë:” Veziri ynë i madh. A të kishte shkuar ndonjëherë në mend, se do të hyje në Stamboll me kokë të prerë!?. Ndërsa vizitorët e Kamares së Turpit, pasi soditin të tmerruar kokën e prerë të Vezirit, me vështrimin nga njeri-tjetri, duket sikur i thonë njeritjetrit të dëshpëruar: ”Ja, kjo është Shqipëria e kohës. Një shpendnajë me pula të përgjakura”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura