95-vjetori i lindjes: Hazis Ndreu, ikonë e artit e kulturës kombëtare

Feb 1, 2023 | 7:50
SHPËRNDAJE

halilramaHALIL RAMA

Si e kanë vlerësuar Dritëro Agolli, Moikom Zeqo, Kolë Jakova, Drago Siliqi, Agron Tufa, Prof. Bujar Kapexhiu, Prof. Ramazan Bogdani, Reshat Arbana, Skënder Sallaku e Luftar Paja, ish – partizanin e Brigadës I S, që ngjiti majat e pushtetit vendor e të institucioneve kulturore artistike.

E kanë quajtur “Ezopi i Dibrës”, “Burri i Odës Dibrane”, “magu”, i cili me prekjen e tij magjike e ngre peshë zemrën e çdo shqiptari. Ndoshta si për askënd tjetër, për ish-partizanin e Brigadës së Parë Sulmuese dhe të parin drejtues vendor në Zall Dardhën ku ka lindur, koreografin e valltarin që me talentin e rrallë të të kërcyerit ka mahnitur jo vetëm publikun shqiptar por edhe atë rus në Festivalin e gjashtë Botëror të Rinisë e Studentëve në Moskë më 1957, për artistin, poetin, studiuesin dhe shkrimtarin e mirënjohur Hazis Ndreu – Nderi i Kombit, janë shkruar, botuar dhe promovuar bujshëm katër monografi. Dhe jo nga autorë të rastësishëm, por nga personalitete të mirënjohura të letrave, si: Prof. Bujar Kapexhiu – Nderi i Kombit, Prof. dr. Ramazan Bogdani – “Mjeshtër Madh” – shkrimtar dhe studiues i etnomuzikologjisë dhe etnokoreografisë, Xhezair Abazi – shkrimtar dhe kritik i mirënjohur letrar dhe nga prozatori e poeti Xhafer Martini – ish-Kryetar i Degës së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Dibrës.

I vlerësuar gjithashtu nga personalitetet kryesore të letrave e artit: Dritëro Agolli, Kol Jakova, Drago Siliqi, Moikom Zeqo, Bujar Kapexhiu, Ramazan Bogdani, Agron Tufa, Skënder Sallaku, Reshat Arbana, Luftar Paja, Agron Xhangolli, etj., si ikonë e artit e kulturës kombëtare, ky artist, studiues e shkrimtar me rrezatim mbarëkombëtar, këtë 1 shkurt do të festonte 95-vjetorin e ditëlindjes.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë (në 80-vjetorin e ditëlindjes) u realizua një spektakël madhështor në përkujtim të “Artistit të Merituar” Hazis Ndreu. Skenarist, regjisor dhe prezantues, prof. Bujar Kapexhiu – “Nderi i Kombit”, i cili pas disa vitesh do ta përjetësonte atë në veprën e tij monumentale “Burri i Odës Dibrane”. Një spektakël për një artist dhe njeri të madh, ku interpretuan artistë dhe njerëz të mëdhenj të botës së artit, kulturës e shkencës.

Për të arritur deri te ky spektakël-show, Kapexhiut iu deshën muaj të tërë parapërgatitje… Dhjetëra takime me studiuesit e Institutit të Folklorit, prof. dr. Ramazan Bogdani, Agron Xhagollin, Skënder Sallakun, Skënder Calën, Inajet Shehun etj. Të gjitha takimet të monitoruara besnikërisht nga djali i madh artist i Hazizit, Avni Ndreu – “Mjeshtër i Madh” (drejtues dhe koreograf i Ansamblit Artistik që mban emrin e babait të tij), sipas të cilit: “Baba interesohej për të gjithë, të njohur e të panjohur, që ishin në hall apo që kishin ndonjë problem me zyrtarët. Interesohej për ata që hynin në burg, që i pushonin nga puna, për ata që s’kishin Triskë Fronti, për të futur dikë në shkollë, për vizitë te ndonjë mjek i zoti…. Ishte me një fjalë, derë e hapur për popullin, njoft e panjoft… e dinin që Hazizi të mbaron punë se është i njohur dhe e duan të gjithë… deri në Tiranë… te qeveria”.

Po, i tillë ishte Hazis Ndreu ‘magu’, i cili me prekjen e tij magjike ngre peshë zemrën e çdo dibrani, pasi arti i tij i flet atij për gjërat më të vyera të pajës më të vyer shpirtërore, siç shprehet për të shkrimtari i mirënjohur Agron Tufa.

PAK NGA AUTOBIOGRAFIA PËR “DOSJEN E KUADRIT”

Referuar autobiografisë së shkruar më 1954 për “Dosjen e Kuadrit”, Xhezair Abazi, në librin “Ezopi i Dibrës” ndër të tjera na njeh me faktin se pasi kishte qenë dy muaj xhandar, në shtator 1944 Hazis Ndreu radhitet si partizan në Brigadën e Parë Sulmuese. Në kreun e I (Jeta) të këtij libri ndër më të kërkuarit nga lexuesit, Xh.Abazi i mirënjohur për kontributin madhor në fushën e kritikës dhe të studimeve letrare dhe që për 30 vjet (1979-2009) punoi në Lidhjen Shkrimtarëve, redaktor në “Drita”, shef i sektorit të kritikës dhe botues në SHBL, shkruan se: “… Për vetë faktin që xhanadar ndejti vetëm 2 muaj dhe, në shtator rradhitet në Brigadën e Parë Sulmuese, mendoj se Hazizi po lëvizte jo thjesht për të siguruar jetesën e familjes. Një djalosh, që e kishte filluar ‘jetesën’ që 7 vjeç, tanimë duhet të zgjidhte rrjedhën e së ardhmes”. (fq.27). Dhe, në të vërtetë, kjo do të ishte zgjedhja më e mirë e djaloshit që “nga mosha 7-16 vjeç u rrit duke punuar në dyert e botës, nëpër male, stërka, në borë e shi, duke fjetur në rrogoz, duke e zgjuar me këmbë dhe duke ngrënë çfarë u tepronte të zotëve”, që sipas Xh.Abazit, do të thotë t’ia kalosh Oliver Tuistit.

Ish-partizani që mori pjesë në luftën heroike për çlirimin e Tiranës, (luftë ku ranë dëshmorë 3-4 djem nga Dardha), ndonëse vetëm 16 vjeç do të merrte pjesë në rrugëtimin e gjatë të kësaj brigade deri në janar të ‘46-ës kur e kaluan në Brigadën e Mbrojtjes së Popullit, dhe kur filloi të marrë rrogë si ushtarak efektiv. “Pesë vite të jetës së tij (16-21 vjeç) rrjedhin si partizan dhe ushtarak efektiv. Kanë qenë vitet kur i është lidhur ashti i trupit, por edhe ashti i shpirtit. Një fëmijë që e ka filluar 7 vjeç ‘shërbimin civil’ për ta vazhduar me pesë vite shërbim ushtarak. Për dy vite të tjera (1950-51) punon përsëri ushtarak, por këto në organet e Sigurimit të shtetit”,-shkruan Xh.Abazi në librin ‘Ezopi i Dibrës’, (fq.32). Më pas për dy vite (1952-54) Hazis Ndreu qe kryetar lokaliteti në Zall Dardhë, për të vijuar si Sekretar Komiteti në Shumbat kur Dibra u bë Qark dhe Shumbati rreth, dhe po në vjeshtën e atij viti (1954) e transferojnë shef të Fuqisë Punëtore të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Dibër.

HAZIS NDREUT I BURONTE MAGJI ARTISTIKE TËRË QENIA E TIJ

Gjithsesi, Hazis Ndreu, fëmija i dytë i Halim Ndreut dhe Vaskë Barës, që kishte lindur në Zall Dardhë më 1 shkurt 1928, do të bënte emër e karrierë në fushën e artit e kulturës. Kështu në harkun kohor të tri dekadave (1957-1987 ai kryen më së miri funksione të rëndësishme si: Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës Peshkopi; Drejtor i Estradës dhe Shtëpisë së Kulturës Peshkopi; Inspektor i Kulturës në Komitetin Ekzekutiv të rrethit Dibër, si aktor, orkestrant e koreograf në Estradën Profesioniste etj. Ndërkohë gjatë këtyre viteve merr pjesë në Festivalin e Rinisë Botërore në Moskë, ku midis 103 grupeve konkurruese fiton çmimin e tretë si valltar (1957), fiton çmimin e parë në Festivalin Kombëtar të Fjalës Artistike, me kryetar jurie Kujtim Spahivoglin (1964) kur shkruan poemën “Dibrës sime”; merr pjesë në turneun tre mujor të Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve në Kinë (1967); merr çmimin e dytë në konkursin kombëtar për poemën satirike “Ma kadalë, or Kapidan” (1969).

Dhjetë vite më vonë, më 1979, i jepet titulli “Artist i Merituar”; Më 1982 merr çmim të dytë për poezi satirike nga revista “Hosteni” dhe po atë vit, me Ansamblin “Kukësi i Ri” shkon në një turne njëmujor në Kosovë, ku repertori i tij pati një pritje dhe jehonë të jashtëzakonshme.

Në vitet ‘80-të, Hazis Ndreu ka qenë pjesë e turneut të Ansamblit Shtetëror të Këngëve e Valleve në Turqi…

Autorit të librit “Ezopi i Dibrës” do t’i mjaftonte kjo karrierë e shkëlqyer artistike për të konkluduar se Hazis Ndreut i buronte magji artistike tërë qenia e tij.

TË MËDHENJTË E LETRAVE, ARTIT E KULTURËS PËR HAZIS NDREUN

Veprimtaria krijuese e Hazis Ndreut është vlerësuar nga personalitete të shquara të letrave, të artit e kulturës.

Nëse për Dritëro Agollin, “Si Hazis Ndreu, mjeshtër i humorit dibran, sot e kësaj dite, si ai nuk gjen më, i papërsëritshëm, i papërtuar, modest dhe shpirtmirë”, për Moikom Zeqon, Hazisi është unik. Duke veçuar dy aspekte të figurës multidimensionale, që përbëjnë këtë njeri krijues unik, Zeqo ka vlerësuar veçanërisht studimin e tij për Skënderbeun, përmes toponimeve dhe gjurmimeve në zonën e Dibrës, që nuk ka qenë vetëm një shkencë e terrenit. “Për Skënderbeun ka disa studime të tipit gojëdhënor, por studimi i Hazis Ndreut është diçka e re dhe serioze, që më ka bërë shumë përshtypje. Janë studime që lidhen me veriun dhe jugun e vendit, ndaj të gjithë studiuesit duhet të marrin për bazë këtë libër dhe këtë studim të Hazis Ndreut”, është shprehur Moikom Zeqo. Ndërkohë Zeqo ka vlerësuar edhe përmbledhjen me tregime alegorike dibrane të H. Ndreut, që sjell rrëfime të popujve. “Libri Tregime alegorike dibrane nxjerr në pah mençurinë e popullit tonë përmes karakterit linear të rrëfimit. Shkruesi i librit ka dimensione të veçanta dhe trashëgimia e tij është më shumë se ai fizikisht”, ka vlerësuar Moikom Zeqo.

Hazis Ndreu ishte i veçantë, i rrallë në çdo krijimtari të tij, ku ka tërhequr vëmendjen e shumë shkrimtarëve me mënyrën e veçantë të të rrëfyerit, duke qenë një nga pasuritë më të mëdha në rrafshin e ligjërimit, jo vetëm kombëtar, por ndoshta edhe europian.

Kolë Jakova vlerëson se “Hazis Ndreu asht ngritë mbi rapsodët aktualë të Veriut… Ai e ka nda çiftelinë dhe shkruan në frymën e Fishtës. Madje, në disa konceptime epike Ai ma shumë pin ujë në Eposin e Kreshnikëve”. Po në këtë linjë e vlerëson edhe Drago Siliqi, sipas të cilit: “…Ky Hazizi i Dibrës asht me kryet tek Eposi i Kreshnikëve dhe Lahuta e Fishtës”.

Po. Te Hazis Ndreu, – shkruan Bujar Kapexhiu, arti gërshetohet në mënyrën më brilante. Ka shkelur në të gjitha gjinitë e tij dhe ka lënë gjurmë. Jeta e pasur artistike e ka veshur me pavdekësi këngëtarin, poetin, aktorin, rapsodin, historianin dhe etnografin Hazis Ndreu.

Teksa dëgjon emrin e tij nuk ka se si të mos të kujtohen rapsoditë e bukura të zonës së veriut, që vijnë në sfond sapo ndriçohet skena. Por jo vetëm kënga, edhe vallet e mrekullueshme, poezitë dhe studimet për Skënderbeun do të mbeten gjithmonë në mendjen e shqiptarëve.

Hazisi, si kërcimtar, në shumë festivale kombëtare e ndërkombëtare, qe fitues i shumë çmimeve, sidomos në vallen dyshe dibrane me kërcimtarin e mirënjohur Besim Zekthi. Vlerat e tij si koreograf e valltar i evidenton më së miri prof. dr. Ramazan Bogdani në librin e tij “Hazis Ndreu, Korabi i valles dyshe dibrane”. Studiuesi Agron Xhagolli, veç të tjerash, flet për Odën Dibrane si institucion dhe për burrin e saj, Hazis Ndreu. Ai ishte dhe mbetet një universitet që ua kalon shumë universiteteve me emër, për nga forca e riprodhimit të ngjarjeve, interpretimit, për nga mençuria dhe ironia e hollë, aspak fyese për mikun, por shumë favorizuese edhe për t’u formuar në të…. Këtë e pohon artistikisht edhe “Artisti i Popullit”, Reshat Arbana, njëherësh edhe “Nderi i Kombit”. Artisti i Popullit, Skënder Sallaku, ka pohuar meritën e padiskutueshme të Hazis Ndreut, i cili duke eksploruar në rrënojat e lashtësisë, si një historian i mirëfilltë, e futi Historinë e Dibrës në shina të sigurta për të ecur me dinjitet në fushën e madhe të Historisë sonë Kombëtare.

Shkrimtari Xhafer Martini, në librin e tij “Hazis Ndreu – Prsonaliteti, krijimtaria”, ndër të tjera shkruan se: “Te Hazizi vepronte si te rrallë njerëz, teoria e kompensimit: Zoti i kishte mohuar ato që ua kishte dhënë të gjithëve, por nuk e kishte nxjerrë nga sytë: për të do të kujdesej si për të rrallët, do ta pajiste me talent dhe dhunti për shumë fusha. Një fjalë e urtë thotë: ‘Kur të do Zoti, nuk ke nevojë për të tjerët’. Megjithatë, Hazizin e kanë dashur edhe të tjerët. Kjo është meritë e tij”. Krijimtaria e Hazis Ndreut është vlerësuar nga kompozitori i mirënjohur Edmond Zhulali, nga “Artisti i Popullit”, Luftar Paja, nga Behar Mera, Skënder Cala, Llesh Nikolla si dhe nga këngëtarët Arif Vladi, Lirie Rasha, Qerim Sula, Vera Laçi, Saje Poleshi…

Shkrimtari i mirënjohur Agron Tufa vlerëson se: “…Thjesht, Hazis Ndreu arriti shumë shpejt ta ngrejë në nivele kombëtare e ndërkombëtare emrin e artit dhe mençurisë së Dibrës. Ne kemi pasur fatin që jemi përfaqësuar si kulturë përmes një artisti si ai”.

Me botimet e tij: “Ushtima e Maleve” – libër me poezi (1961; “Valet e Drinit te Zi” – poema dhe vjersha (1966); “Këngë e vargje” – libër poetik (1970); “Nje trim i Skenderbeut ne Diber” – poeme rapsodike (1972: “Tregime alegorike dibrane” (1983; “Elez Isufi – trajtresa, dokumente” – (1996; “Kastriotët dhe Skënderbeu në trojet arbnore” (1999 ; “Dibra ne udhen e historise – tradite, kanun, lufte histori” (2003) etj., Hazis Ndreu ka hyrë me dinjitet në fondin e artë të letërsisë shqipe.

Le ta kujtojmë, nderojmë e respektojmë si të tillë në 95-vjetorin e ditëlindjes së tij Hazis Ndreun, si simbolin e Odës Dibrane, gati-gati si një institucion lëvizës ndërshekullor i traditës, të cilin, shumëformësia e qasjes, ribërja letrare e evenimenteve historike, aftësia vrojtuese, kultura e begatë e shkathtësia përpunuese e lëndës së trevës së vendlindjes, me gjithë gamën përjetuese, e bëjnë të kapërcejë nga Dibra në vizionin e botës shqiptare në përgjithësi.

* Mjeshtër i Madh

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura