Populizmi grek dhe precedenti gjerman

Jan 24, 2015 | 13:03
SHPËRNDAJE

MARSELA SAKO

      Në zgjedhjet e së dielës në Greqi nuk pritet te ndodh nje rotacion i thjeshte politik, por pritet të filloj nje epokë e re për Greqine dhe vetë Europën. Pas më shumë se 40 vitesh e dominuar në mënyrë alternative nga partia e djathë e Demokracisë së Re dhe partia socialiste Pasok, respektivisht e udhëhequr prej vitit 1974 dhe për një periudhë të gjatë kohore prej familjeve Karamanli dhe Papandreu, politika greke po tronditet me thyerjen e kësaj tradite dhe mbi të gjitha me ardhjen në pushtet të një partie të ekstremit të majtë. Ndryshime këto që nuk reflektojnë vetëm krizën e politikës së saj tradicionale, por në thelb janë refleksione të një krize të politikës tradicionale europiane.

Kandidati potencial për kryeministër i Greqisë, Aleksis Tsipras drejtues i të majtës radikale Greke dhe njëkohësisht një nga nënkryetarët e grupimit të së Majtës Europiane (vlen te nënvizojmë se e majta europiane dhe partitë socialiste nuk janë e njëjta gjë), shënoi për herë të parë kulmin e popullaritetit të tij në zgjedhjet e zhvilluara në 17 Qershor të vitit 2012, në të cilat doli partia e dytë me 26, 89% pas partisë Demokracia e re që mori 29, 66%, duke lënë pas partinë e  Pasok-ut (Partia e Majtë) me 12, 28%.

Me një popullaritet gjithmonë e më shumë në rritje, Siriza ka përforcuar pozicionin e saj si një pikë referimi në të gjithë europën për një ndryshim të madh dhe të domosdoshëm të strategjisë së politikës.  Duke argumentuar se menaxhimi neoliberal që i është bërë krizës ka rezultuar i dështuar, propozon se e vetmja mënyrë realiste për të dalë nga kriza në fakt është rruga progresiste, bazuar te solidariteti dhe drejtësia sociale.

Një ndër pozicionimet e forta të Sirizës lidhet me krizën greke, e cila nuk duhet konsideruar si një rast i izoluar, por si një situatë e krizës në Europë. Për këtë arsye propozojnë që qethja e borxhit të Greqisë të jetë e ngjashme me zgjidhjen që Konferenca Ndërkombëtare e Londrës i dha krizës Gjermane në vitin 1953. Qëndrimet revolucionare të Sirizës i mëshojne idesë se Gjermania nuk ka të drejtë morale apo dhe historike të refuzojë në Europë sot, atë cka Europa me shume bujari i ka ofruar asaj në vitin 1953, me marrëveshjen e Londrës dhe planin Marshall.

Gjithsesi, vendet europiane dhe vecanërisht Gjermania e shohin me shume skepticizem ardhjen në pushtet të një partie të majtë radikale, e cila nëse i mbetet stoike programit te saj revolucionar do te shkaktoje nje ndryshim në gjithë politiken europiane. Beteja e sirizes nuk perfundon te dielen me zhvillimin e zgjidhjeve, por në fakt fillon të hënën me fitoren e zgjedhjeve dhe pritet te jete nje beteje e ashper për të cilën duhet te jene të pregatitur mirë.

Fitorja e Sirizes padyshim që ka nje domethenie mbi te gjitha europiane, duke nënkuptuar se në një Europë ku ndjenjat antieuropiane të qytetareve të saj pësojnë vazhdimisht rritje progresive, në një Europë te dominuar nga kriza ekonomike, dhe nën kërcenimin e vazhdueshem të akteve terroriste, fitorja e një partie si Siriza nuk është thjesht nje problem me shumë, por konsiderohet fillimi i nje problemi te madh per shtetet e fuqishme Europiane. Pjesemarrja e nje numrit te larte te perfaqesuesve te partive te majta europiane ne mbylljen e fushates se sirizes, dhe perkrahja e vazhdueshme qe kane treguar pergjate  fushates te majtet spanjolle, italiane, irlandez etj, në fakt reflekton shpresën e madhe për nje rilindje të së majtës europiane. Frika e shteteve të fuqishme europiane është se termeti me qëndër Greqinë mund te shkaktoje lëkundje të forta në të gjitha vendet  e Europes Jugore që jane futur ne rrethin vicioz të krizës ekonomike dhe sociale për shkak edhe te politikave shtrenguese të imponuara ndaj tyre.

Në një situate të tilla dilemat e Brukselit dhe Berlinit më shumë sesa me marrjen në konsideratë të kërkesave të Sirizës duhet të fokusohen tek orientimi dhe vullneti politik që një popull europian shpreh me votën e tij të lirë. Dhe nëse fitorja e sirizës do të ketë efektin zinxhir edhe në vëndet e tjera të Europës Jugore të sipërpërmendura, atëherë cështja shtrohet a duhet të tregojë Brukseli dhe Berlini solidaritet dhe mirëkuptim ndaj qytetarëve të saj europian.  Pothuajse të gjitha vëndet e prekura nga kriza dhe ndaj të cilave janë ndërmarrë masa të forta shtrënguese nga Gjermania, përballën me votën e lirë të qytetarëve të tyre. Portugalia përballet me zgjedhjet  në muajin Tetor, Spanja vëndi tjetër i prekur rëndë nga kriza ka zgjedhje në muajin Nëntor, ku sipas të gjitha të dhënave të sondazheve të deritanishme rezulton se drejtuesi shumë popullor i të majtës radikale spanjolle Podemos (Mundemi) kryeson të gjitha sondazhet. Nëse ky avantazh ruhet deri në zgjedhjet e përgjithshme, që me shumë gjasa pritet të ndodh kështu, atëherë shprehja e Tsiprës se “Greqia është vetëm fillimi” do të konkretizohet. Nga ana tjetër është  Italia që përballet gjithmonë e më shumë me pakënaqësinë e qytetarëve te saj pjesa dërrmuese e të cilëve sipas të dhënave të sondazheve shprehen për daljen e Italisë nga zona e euros. Por situata merr dimensione të tjera në vëndet europiane ku forcat e eksptremit të djathtë po fuqizohen gjithmonë e më shumë. Deklaratat e Marin Le Pen se: “nuk jemi miq me partinë e majtë, Siriza,  sepse ndryshojmë në shumë qëndrime dhe vecanërisht në cështjet e emigracionit, por ne e mbështesim Sirizën sepse shpreh vullnetin popullor dhe përfaqëson interesat e popullit grek”, lexohet si një përkrahje ndaj votës anti-masash shtënguese të vendosura nga shtetet e fuqishme europiane, në thelb ndaj votës anti-memorandum.

Kjo nënkupton se Brukseli dhe Berlini ndodhen përball dy forcave ekstremiste shumë të kundërta me njëra tjetrën, të djathtën ekstremiste: një force me qëndrime të pastra antieuropiane, që i mëshon idesë së forcimit të identitetit kombëtar, një force raciste që pretendon dëbimin e të gjithë emigrantëve nga europa, dhe kundërshton diktimin e politikave në nivel kombëtar nga fuqitë e mëdha, dhe të majtën ekstreme një force që përkrah europianizmin, lëvizjen e lirë, përkrahjen dhe integrimin e emigrantëve.  Ajo që bashkon këto dy forca të kundërta ekstremiste është kundërshtimi i cdo politike që të fortët imponojnë ndaj të dobtëve.

Sigurisht që fitoja e Sirizës e vë Eurozonën përballë dy alternativash që janë: ose të ruajë monedhën euro jo vetëm nga dobësimi, por edhe nga zhvlerësimi duke realizuar një bashkim ekonomik me qethjen e borxhit të Greqisë, ose të procedojë me nxjerrjen për herë të parë të një vëndi nga zona euro. Marrja e vendimit për nxjerrjen e Greqisë nga eurozona është ndoshta gjëja më e lehtë për t’u ndërmarrë, (por mesa duket me pasojat më të rënda për vetë zonën euro), përballë alternativës për një rishikim të marrëveshjeve që nënkupton faljen e një pjese të borxhit, uljen e normës së interesit dhe zgjatjen e periudhës së shlyerjes së borxhit të mbetur. Përball një precedenti të tillë të marrjes së pushtetit nga një forcë që pretendon të sfidojë politikat imponuese të fuqive të mëdha në funksion të përmbushjes së interesave të qytetarëve të saj europianë, zgjidhja që do preferojë Berlini dhe Brukseli do përcaktojë në afatgjatë dhe fatin e vetë Europës.

Pedagoge e Shkencave Politike UT

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura