“14 vjeç dhëndër”, komedia ngjitet në skenën e “Metropolit”

Oct 4, 2012 | 13:23
SHPËRNDAJE
Komedia “Gratë në Parlament”, shfaqur sezonin e shkuar në Teatrin e Metropolit

Qendra kulturore “Tirana” hap sezonin artistik.

Gjatë sezonit të shkuar llogariten 30% më shumë të ardhura nga biletat se një vit më parë.

Me një bilanc pozitiv e ka nisur sezonin e ri artistik qendra kulturore “Tirana”. Rreth 30% më shumë të ardhura nga biletat se një vit më parë, më shumë shfaqje, më shumë artistë të rinj, më shumë publik.  Dje, në një konferencë për shtyp, drejtuesit e QKT-së, përveçse hapën zyrtarisht sezonin e ri, bënë edhe një bilanc të sezonit që lamë pas. Sipas drejtoreshës Suela Konjari, gjatë periudhës janar-qershor të këtij viti, të ardhurat nga biletat kapën shifrën e 2.1 milionë lekëve. Por, përkundër asaj që shkoi, Konjari shprehet optimiste për sezonin e ri, e cili vjen pa borxhe ndaj artistëve dhe me çatinë e “Shekspirit” që nuk fut më ujë. Gjatë këtij sezoni, i cili përkon edhe me pikun e festimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, do të ketë shfaqje të reja, për fëmijë e për të rritur, ekspozita e festivale. Vepra e parë që do të ngjitet në skenën e “Shekspirit”, pikërisht nesër, është komedia “Ëndrra në papafingo”, me regji nga Erion Isai, ku interpretojnë aktorët Natasha Sela, Kastriot Rramollari, Albana Sançolli, Ajlin Petrela, Lorenc Kaja, Denis Kurushi, Olta Çali dhe Klesta Shero. Sipas regjisorit, kjo vepër është një shfaqje e një stili të veçantë, ku nuk kemi një grup statik personazhesh nga fillimi në fund. “Janë 8 aktorë që veshin dhe zhveshin lëkura të shumë personazheve”. Vepra e autorit Haqif Mulliqi, “Katër epoletat”, do të ngjitet premierë në skenën e teatrit “Metropol” në fillim të nëntorit, nga regjisori Ilirjan Gjini. “Katër epoletat” është një dramë surealiste, e cila trajton temën e vlerësimit dhe zhvlerësimit të periudhave diktatoriale të historisë, si dhe personazheve pjesëmarrëse në to. Paralelisht do të shfaqen për fëmijët “Në qytetin e kafshëve”, “Gara e flamujve” dhe “Kopshti i Çudirave”. Sezoni do të kulmojë me një mbrëmje gala më 28 nëntor dhe një ekspozitë me veshjet e personazheve që janë ngjitur në skenën e Teatrit të Metropolit.
“14 vjeç dhëndër”
Një nga pikat e forta të këtij sezoni do të jetë komedia e Andon Zako Çajupit, “14 vjeç dhëndër”. E kemi lexuar dramë, e kemi parë edhe film në variantin e Dhimitër Anagnostit, në filmin “Përrallë nga e kaluara”, por kësaj here regjisorja Elma Dorezi do të sjellë një tjetër këndvështrim të veprës së njohur. Dorezi ka ditë që ka nisur provat me aktorët. Do të luhet me groteskun në interpretimin e aktorëve, trajtimin e personazheve, kostumografi e skenografi. “Është bërë një adaptim i tekstit, i bazuar te Çajupi, me të njëjtat personazhe, por duke sjellë skena dhe karaktere të ndryshme dhe interesante. Nuk do të kemi ndryshim kohe, por ndryshim në strukturë, kostumografi, skenografi e interpretim. Një nga trajtimet e personazheve do të jetë ndryshimin i gjinive jo tek aktorët, por në interpretimin e personazheve, që do të thotë, gratë do të sillen si burra dhe burrat si gra. Gjë që do të vihet re kryesisht te dyshja jonë kryesore, Tanë dhe Vangjel, apo dhe tek dyshja Gjino- Marigo”, thotë Dorezi. Kështu që publiku nuk duhet të presë: “Marigonë e zotit Kore dhe të bukur, edhe punëtore”, megjithatë burrat do të vazhdojnë të rrinë hijeve. Interpretimin e kësaj pjese, Dorezi ia ka besuar aktorëve Devis Muka, Marsela Lena, Lorenc Kaja, Erjona Kaçeli, Arjeta Dhima, Alban Musa, Aldjon Matarangasi, Genti Deçka, Ajlin Petrela.

Krahasuar me një vit më parë
    janar- qershor 2011     janar- qershor 2012

Premiera    6    10 + 1 ekspozitë fotografike
Spektatorë    5480    9036
Bileta të shitura    4580    6886
Të rinj të aktivizuar    62    89
Të ardhura     1 615 000 lekë    2 100 000 lekë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura