11 shkurti, si platformë bashkimi

Feb 8, 2023 | 8:15
SHPËRNDAJE

RUDINA HAJDARI

rudina-hajdari

Rasti “McGonigal” shpalosi qartë intrigën e gatuar në oborrin e Edi Ramës kundrejt opozitës. Skenari tashmë është i qartë për çdo shqiptar. Edi Rama, pasi gjeti një zyrtar të lartë të FBI-së, i cili sipas institucioneve amerikane ishte i korruptuar, i kërkoi atij kundrejt shpërblimeve që të niste një hetim mbi lobimin e opozitës.

Hetimi u bë dhe falë metodave jo fort korrekte të drejtimit nga ish-kryetari Basha, gjetën probleme lidhur me pagesat e me anë të së cilave për disa vite ishkreu u opozitës u shantazhua dhe u mbajt nën kontroll nga Edi Rama, nën kërcënimin e një penalizimi të mundshëm mbështetur edhe nga ish-zyrtari i FBI, duke sjellë kështu daljen e opozitës nga Parlamenti dhe nga pushteti vendor e duke i dhuruar praktikisht të gjitha pushtetet Edi Ramës. Ky skenar solli edhe përjashtimin e Sali Berishës, akt i cili çoi në çarjen përfundimtare të opozitës dhe rithemelimin e saj.

Pra, qartazi të gjitha aktet e ndërmarra nga Lulzim Basha dhe të cilat kanë dëmtuar rëndë opozitarizmin në vend, ishin akte të diktuara nga shantazhuesi i tij dhe jo të udhëhequra nga parime apo ide. Për rrjedhojë, sot gjykoj se është absurde që demokrate dhe demokratë, qofshin këta deputetë, ish-drejtues të strukturave apo anëtarë të thjeshtë, të qëndrojnë mënjanë Partisë Demokratike apo të bëjnë plane për të garuar veçmas në zgjedhjet lokale, duke e ditur fare mirë se ky veprim thjesht do të vazhdonte shërbimin ndaj njeriut që financoi dhe ideoi këtë përçarje të opozitës, pra, Edi Ramës.

Nuk mund ta kuptoj dot më, mbas zbulimit të këtij skandali, se si mund të vazhdojë mëria apo ndasia mes disa demokratëve, kur e dinë se synimi i skenarit Rama-Mcgonical ka qenë pikërisht ky, përçarja dhe shkatërrimi i opozitës. Ndaj, mendoj se ky skandal duhet të sjellë vetëm një reagim nga ana e demokratëve dhe ai duhet të jetë bashkimi. Nuk ka moment më të mirë se sa protesta e 11 shkurtit, për t’u bërë të gjithë së bashku në shesh. Në shesh duhet të jenë të gjithë deputetët, të cilët e konsiderojnë veten në opozitë. Në shesh duhet të jenë të gjithë ata anëtarë të strukturave të PD që janë kundër kësaj qeverie. Në shesh duhet të jenë të gjithë ata që kanë menduar se do të kandidonin veçmas këto zgjedhje.

Në shesh duhet të jenë të gjithë demokratët, së bashku me të gjithë shqiptarët e ndershëm. Unë nuk besoj se ka një vend tjetër ku Kryeministri kapet mat duke shantazhuar dhe përçarë opozitën, duke përdorur para e pasuri publike dhe ai vazhdon të jetë në pushtet. Në asnjë demokraci të vërtetë, ky akt nuk do të tolerohej, ndaj nuk duhet të tolerohet as te ne nëse duam të ndërtojmë një demokraci reale dhe funksionale. Por të parët që nuk duhet ta tolerojnë këtë, janë ata të cilët kanë hyrë në Parlament me besimin e demokratëve. Sot që e kanë kuptuar se si erdhi ndarja, si erdhi sherri mes nesh e si u mboll mëria e mërzia, duhet të ngrihen mbi inatet e vogla dhe egot personale dhe t’i dalin përballë Edi Ramës së bashku me gjithë ne të tjerët.

Të vazhdosh dhe t’u frysh ideve me kandidatë të veçantë, me përçarje, me grupe të ndryshme parlamentare, sot kur është e qartë si drita e diellit se ky ishte skenari i Edi Ramës, do të thotë që nuk je më viktimë e këtij skenari, por je pjesë e tij dhe kjo sigurisht që nuk ka për t’u toleruar nga demokratët. Akti më i zgjuar dhe më i fortë që të gjithë së bashku mund të ndërmarrim sot është pikërisht bashkimi. Bashkimi i demokratëve është rrënimi i skenarit të Edi Ramës dhe bashkë me të edhe fundi i pushtetit të tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura