10 arsye pse koalicioni “Bashkë fitojmë” po e tremb kaq shumë Rilindjen

Mar 21, 2023 | 8:19
SHPËRNDAJE

-640-0-641221799a80c

KRISTIAN KINA*

1- Më në fund ka një bashkëpunim dhe bashkim të sinqertë opozitar!

Që prej ditës së mërkurë, ka një ankth të madh në kampin e Rilindjes. Me sa duket, nuk e prisnin një koalicion të tille, që ata e dinë mirë që do të shënjojë fillimin e fundit të tyre. Që nga marrëveshja e 17 majit 2017, Edi Rama dhe ortaku i tij në opozitë, Lulzim Basha, kanë bërë gjithçka që të mos kishte një bashkim të fortë opozitar.

2- Qytetarët e kanë më të lehte për ta përkthyer pakënaqësinë e tyre në kutitë e votimit, ku do të numërohet e do të vlejë çdo votë.

Kur ka një bosht të qëndrueshëm, rreth të cilit vërtitet i njëjti ideal dhe e njëjta qasje, pra, dënimi i kësaj forme qeverisjeje, edhe njerëzit që janë të paangazhuar me politikë e kanë më të lehtë që të shkojnë të votojnë. Ata kërkojnë ndryshimin dhe kur ekziston një formacion solid dhe i madh që e garanton këtë, ky i fundit shërben si një magnet thithës.

3- Votat që humbitnin kur partitë garonin më vete, të cilat nuk mjaftonin për një të zgjedhur më shumë, tashme do të bien në “thesin e madh të koalicionit” kundër Rilindjes dhe do të prodhojnë më shumë rezultat konkret, pavarësisht emrit të partisë përfituese në zona të caktuara të vendit. Në çdo zgjedhje, kemi parë sesi vullneti i mijëra qytetarëve nuk ka prodhuar rezultat. Kanë qenë me mijëra vota, ato të cilat janë konsideruar si “bishta” dhe nuk i kanë kaluar asaj force politike për të nxjerrë fitues një të zgjedhur më shumë. Ndërsa tani, kur janë disa parti së bashku, votat “shtesë” të secilës mblidhen bashkë dhe nxjerrin një apo disa fitues më shumë të koalicionit.

4- Ky bashkëpunim ka treguar të jetë i suksesshëm e solid edhe në të kaluarën, ku u rritën pagat, pensionet, u bënë hapa shumë të rëndësishëm drejt integrimit europian etj. Ajo çfarë po e tmerron më shumë Rilindjen është pikërisht ky fakt, se alternativa politike që ka përballë është në gjendje të sjellë prosperitet dhe begati për ekonominë e vendit, më shumë se ajo. Nevojitet me patjetër një politike me qasje “nga frigoriferi e dollapi” dhe jo “nga televizori”; çfarë ka për të ngrënë në darkë për fëmijët është më e rëndësishme sesa batutat e Edi Ramës apo pallatet e pikturuara anës rrugës. Shqiptarët kanë nevojë të plotësojnë fillimisht nevojat e tyre fiziologjike. Varfëria është rritur, inflacioni ka arritur kulmin, mallrat e shportës po konsiderohen si mallra luksi, të papërballueshme për t’u blerë.

5- Shpifjet dhe diversionet prej disa muajsh, me kosto aq të lartë mediatike e financiare, për të krijuar ndasi e përçarje midis kampit opozitar nuk shërbyen për asgjë. Aludime nga më të shumëllojshmet kemi dëgjuar këto muaj. Çdo përpjekje për të krijuar dyshime e për të larguar palët nga njëra-tjetra, rezultuan të kota. Mediat në shërbim të pushtetit mbushën ekranet, duke tentuar të krijojnë pakënaqësi dhe mosbesim, por më kot. Beteja për të risjellë shpresën te shqiptarët, për të risjellë shqiptarët e dëbuar nga atdheu i tyre, është më e fortë se gjithçka tjetër.

6- Qytetarët e pavendosur, që i përkasin “elektoratit gri”, ndihen më të sigurt dhe politikisht më afër një koalicioni të madh opozitar, sesa ndaj një qeverie kaq shumë të korruptuar, që ka një dekadë në pushtet. Nëse je një person që nuk angazhohesh e madje as nuk interesohesh fare për politikë, ku do ta gjeje më shumë veten? Te një parti që ka 10 vjet në pushtet, tej e përtej e korruptuar, që ka larguar 900 mijë shqiptarë gjatë qeverisjes së saj apo te një koalicion i madh opozitar që tenton me çdo kusht që të sjellë ndryshimin në këtë vend, të rikthejë shpresën për ditë më të mira? Nëse forcat politike më të mëdha opozitare bëhen bashkë, kjo përcjell më shume besim te çdo votues, tregon që beteja kundër së keqes është serioze, është drejt fundit dhe shumë shpejt do të vije ndryshimi i shumëpritur.

7- Entuziazmi dhe fryma për ndryshim krijohet shumë herë më shpejt kur ka një bashkërendim kombëtar të aksionit opozitar. Loja e skuadrës del gjithmonë fitimtare. Kurthi që ngriti Edi Rama dhe ortaku i tij në opozitë, në zgjedhjet e kaluara, kur kandidatët, qoftë edhe nga e njëjta parti, takonin qytetarët në mënyrë individuale, e vështirësoi shumë ngritjen e një fryme të përbashkët opozitare. Imagjinoni tani, kur kandidatët e Opozitës së Bashkuar do të dalin së bashku nëpër takime, duke shkelur kështu çdo pëllëmbë të territorit të Bashkisë dhe duke takuar çdo votues. Fryma e kompaktësimit dhe ekipi solid do të bindin çdo qytetar të lëkundur, që t’i bashkohet shumicës dhe të votojë të dielën e 14 Majit, për koalicionin “Bashke Fitojmë”!

8- Aleatët e Ramës, pseudo-opozitarët e kanë tashmë të pamundur dëmin ndaj Opozitës së Bashkuar. Sa mund ta shkatërroje një liliput, një kështjellë me mure të forta, me gurë të gdhendur mirë, tok së bashku? Një ortek gjigant nuk mund të ndalojë fuqinë e tij shkatërruese ndaj Rilindjes vetëm se një shtëllungë e vogël dëbore, krejt e papërfillshme, e mbron Rilindjen me çdo kusht!

9- Shumë shqiptarë që Rilindja i dëboi, janë më të motivuar të kthehen për të votuar ndryshimin, kur shikojnë qëndrueshmëri dhe seriozitet ne kauzën opozitare. Shpopullimi i Shqipërisë duhet të mbarojë një orë e më parë. Kjo hemorragji shkatërrimtare që Rilindja e ka bërë sipas një skeme të mirëfilltë, e ka shërimin e sigurt me ardhjen në pushtet të alternativës opozitare. Shqiptarët që janë dëbuar pa dëshirë, do jenë edhe më të motivuar se më parë, që të vijnë të votojnë ndryshimin!

10. Krijimi i koalicionit është një hap gjigant ndaj fitores së pakthyeshme të 14 Majit në të gjithë Shqipërinë! Më në fund, ka një formacion të mirëstrukturuar opozitar që paraqet fillimin e fundit të afërt të Rilindjes! Shumica e bashkive do t’i përkasin koalicionit “Bashkë Fitojmë’, shumica e këshillave bashkiake do kenë kryetarin nga radhët e opozitës, zëri i çdo qytetari do të jetë i përfaqësuar denjësisht dhe nuk do të ketë me asnjë mundësi që të vërtetat të fshihen! ‘Bashkë fitojmë’ do të jetë alternativa më e mirë politike e krijuar ndonjëherë përballë Rilindjes. Gjallërimi i ekonomisë do të risjellë shqiptarët në atdheun e tyre.

Dallëndyshet shtegtojnë në kohet e vështira të dimrit, por në pranverë, kur dielli fillon të shkëlqejë dhe jeta të gjallërohet, ato kthehen përsëri…

*Pedagog i Ekonomisë, anëtar i Kryesisë Partia e Lirisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura