“Luiza Miler”, triumfi i Ermonelës

May 2, 2011 | 12:08
SHPËRNDAJE
Ermonela Jaho në operën “Luisa Miler”

Një tjetër sukses për Ermonelën. Tanimë, kudo ku ajo këndon do të flitet me superlativa.Sopranoja shqiptare tanimë është një nga emrat më të lakuar të operistikës botërore dhe emri i saj shkruhet me germa të mëdha në kalendarët e teatrove më prestigjiozë të Europës, por edhe më gjerë. Mbrëmë ajo kishte natën e fundit të shfaqjes “Luiza Miler” në skenën e Operës së Lionit (“l’Opéra de Lyon). Një operë e dirigjuar nga i pagabueshmi Kazushi Ono dhe që është mirëpritur nga publiku dhe nga kritika. Një vepër që nuk mund të ishte jashtë vëmendjes së mediave franceze gjithashtu. “Ermonela Jaho mishëron një Luisa Miler tepër tronditëse në operën e Verdit, krijuar më 1849 sipas dramës së poetit gjerman Shiler. Edhe një herë më shumë, sopranoja e mrekullueshme shqiptare tregon talentin e saj të jashtëzakonshëm”, shkruan Florence Leray në “Lyon info”.

Vepra
Luiza është një vajzë e re fshatare. Ajo jeton vetëm me të atin, një ushtarak të vjetër. Ajo është e dashuruar dhe dashurohet nga i riu Rodolfo, i biri një njeriu mjaft të pushtetshëm, Kontit Walter. Konti është kundër lidhjes së të birit me Luizën, sepse ai ëndërron të martojë të birin me dukeshën Federica, duke gjuajtur kështu rangun shoqëror. Në fakt, Konti Walter, dikur ka çuar në vrasje të atin e dukeshës, për të rrëmbyer titujt e tij. Rodolfo, duke ditur këtë të fshehtë të tmerrshme, kërcënon të atin se do të tregojë të vërtetën, nëse ai nuk e lejon martesën e tij me Luizën. Një strategji e shkuar dëm, pasi njeriu i besuar i kontit, njëkohësisht i dashuruar me Luizën, do të përgatisë një komplot që do të çojë në ndarjen e çiftit të ri.

Shtypja vazhdon
Edhe 150 vjet pas krijimit të saj, “Luiza Miler” (“Luisa Miller”) nuk e ka humbur aktualitetin e saj. Edhe nëse martesat e detyruara janë bërë të rralla në shoqëritë perëndimore, dominimi i  të fuqishmit mbi të dobëtin është për fat të keq ende shumë aktual. Opera denoncon gjithashtu shtypjen e grave nga patriarkati. Ato nuk janë më shumë se lodra të thjeshta në duart e burrave.
Një mesazh i theksuar në vënien e amerikanit David Alen, i cili, në një nga pjesët e  shumta të korit, zbulon një të re e cila prostituon, duke kaluar dorë më dorë si një kukull prej lecke, në një rreth borgjezësh me veshje të shtrenjta. Edhe vetë i ati i Luizës, i mishëruar në mënyrë të jashtëzakonshme nga baritoni Sebastian Cantana, shqetësohet për vëmendjen e të birit të kontit ndaj së bijës: të jetë vallë veçse një feminist? Modeli ideal i dashurisë prindërore, i shqetësuar më së shumti për nderin e tij sesa për lumturinë e së bijës.

Momente hijeshie dhe lumturie të paster
Nëse ka diçka që duhet theksuar, kjo është loja sublime e hijeshisë, dëlirësisë dhe e virtuozitetit të sopranos Ermonela Jaho. Shumë shpesh, e tejkalon regjistrin human për t’u ngjitur në mbretërinë e engjëjve: e në këtë rast, për ta ndier këtë sensacion të papërshkrueshëm, nuk ka nevojë të jesh një njohës i hollë i operës, pasi mbetesh i prekur në thellësi të shpirtit nga loja e saj. Lulëzimi i dashurisë së saj për Rodolfon dhe duetet me të atin janë momente të pastra lumturie. Vetëm për këtë “Luiza Miller” meriton të rishihet.

Skenografia dhe kostumet nga Gidéon Davey tentojnë simbolikën dhe qartësinë
Një atelie ku nënvizohet gjendja modeste sociale e Milerve, një statujë gjigande e një kali mbi të cilën qëndron një amazonë, dukesha Federica, një flamur gjermanik, simbol i përkatësisë së saj aristokratike perandorake. Një gabim shijeje ndoshta është krevati i metaltë i Luizës, i cili të jep më shumë përshtypjen e një krevati spitali, sesa i një nuseje ë re. Një zgjedhje që sugjeronte tragjedinë që do të vinte? Gjithsesi, të gjitha këto janë pak përpara interpretimit të shkëlqyer të Ermonela Jahos.

 

ALMA MILE

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura