“Leksioni” i Ioneskos vjen në Teatrin Kombëtar

May 17, 2011 | 9:31
SHPËRNDAJE
Posteri i shfaqjes “Leksioni”

Një pjesë nga Ionesco ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar. Pas një “frymëzimi” mbi tragji-komedinë shekspiriane “Romeo dhe Zhulieta”, në skenën e TK, nga 19-22 maj, vjen pjesa “Leksioni” me regji të regjisorit Frantz Helmer. Bëhet fjalë për një pjesë teatrale me një akt nga Eugène Ionesco, shkruar në vitin 1950. Ajo tregon historinë e një profesori të moshuar, i cili jep leksione në shtëpinë e tij. Vajza maturante, ka ardhur të përgatitet për konkurs në shkollën e lartë. Gjatë dhënies së leksionit, nxënësja gjithmonë e më shumë nuk arrin të kuptojë se përse flet profesori. Ndoshta ai qëllimisht ia vështirëson mësimin asaj, për të gjetur edhe motivin e nervozizmit të tij, që sa vjen dhe rritet, deri sa “detyrohet” ta vrasë dhe të shënojë kështu viktimën e tij të 40-të brenda ditës. Ky veprim është sa absurd edhe i pa besueshëm, por jo pa qëllim autori e vë ngjarjen në një vend dhe kohë diktatoriale. Jonesko është një francez me origjinë rumune. Fëmijërinë e vet e ka kaluar nën një regjim diktatorial komunist në Rumani, çka reflektohet edhe në disa prej veprave të tij. Dhe tanimë kjo vepër vjen edhe në Shqipëri, në një nga vendet që e ka përjetuar më egër histerizmin politik të diktaturës. Kjo pjesë nën drejtimin e Helmer, për të cilin nuk është hera e parë në Shqipëri, vjen si një bashkëpunim mes Aleancës Franceze në Tiranë, Teatrit Kombëtar dhe Shërbimit Kulturor të Ambasadës Franceze. Dy vjet më parë, Helmer ka qenë në Tiranë për të ngjitur në skenë komedinë “George Dandin” nga Molier, në bashkëpunim me Teatrin e Metropolit. Për të interpretuar në këtë vepër Helmer ka përzgjedhur aktorët Vasjan Lami, Marsela Lena dhe Natasha Sela. Skenografia është realizuar nga artisti Genc Mulliqi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura