“Amnistia” e Bujar Alimanit, premierë në kimenatë e Tiranës

May 2, 2011 | 11:33
SHPËRNDAJE

Pasi ka marrë një çmim në Berlinale, tre të tjera në Leçe si dhe ka marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar në Kopenhagen, Danimarkë, “Amnistia” e Bujar Alimanit mbërrin në Shqipëri. Tanimë është zyrtare. Edhe posterat janë gati. Në datën 27 maj filmi do të ketë premierën në rrjetin e kinemave “Imperial”. “Amnistia” ka një histori interesante. Është sprova e parë për regjisorin Bujar Alimani, i cili deri më sot ka realizuar me sukses disa filma me metrazh të shkurtër, të cilët kanë fituar edhe çmime. Kur më shumë se dy vjet më parë projekti filmik i Alimanit u paraqit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë, ai nuk e mori mbështetjen e Qendrës. Por kjo nuk e stepi Alimanin. Ai do t’i shkonte kësaj rruge deri në fund. Kësaj here provoi më lart, në “Eurimage”, ku Shqipëria u bë anëtare vetëm një vit më parë. “Amnistia” ishte aplikimi i parë për Shqipërinë dhe qëlloi në shenjë. Përfitoi menjëherë ndihmën financiare të “Eurimage”. Pas kësaj, “Amnistia” përfitoi edhe ndihmën e QKK-së. U xhirua në një kohë rekord në Tiranë e në Pogradec, u montua po aq shpejt e menjëherë nisi rrugën e projeksioneve e të konkurrimeve. Në muajin shkurt konkurroi në kategorinë “Forum”, të Festivalit Ndërkombëtar të Berlinit, ku edhe fitoi një çmim si “një film mbi përplasjen e brezit të ri me strukturat tradicionale patriarkale të shoqërisë së tyre. Dashuria rrit dëshirën për ndryshim, por përballet me pamundësitë për t’u realizuar ende. Gjithsesi, filmi jep shenja shprese për të ardhmen, siç është solidariteti mes të rinjve. Skenari origjinal dhe montazhi i japin mundësinë publikut t’i njohë hap pas hapi personazhet kryesorë dhe të përbashkëtat në jetën e tyre të përditshme”. “Amnistia” tregon një histori dashurie të ndaluar mes një burri dhe një gruaje, bashkëshortët e të cilëve vuajnë dënimin në burg. E ndërsa presin amnistinë, dy personazhet e filmit, të cilët e ndeshin njëri-tjetrin në ambientet përreth burgut, dashurohen. Një histori e cila lind në mënyrë të pazakontë dhe që nuk mund të ketë një fund të lumtur. Historia e Alimanit lëkundet mes të mundurës dhe të pamundurës, mes të moralshmes dhe të pamoralshmes. Një kufi i vështirë për t’u vënë. Në rolet kryesore të filmit interpretojnë Luli Bitri, Karafil Shena, Todi Llupi etj.

Çmimet

– Berlinale
“C.I.C.A.E.” – Confederation Internationale des Cinemas d’Art et Essai AWARD, BERLIN 2011.
– Festivali Europian i Filmit në Leçe, Itali
– Çmimi CINEUROPA 2011
– Çmimi FIPRESCI (Konfederata Ndërkombëtare e Kritikëve të Kinemasë)
– Çmimi special i jurisë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura