ZYRTARE/ Partizani fitoi titullin e fundit kampion me Kolelan, trajneri italian befason dhe ulet në stolin bardhekaltër
Xhovani Kolela është trajneri i ri i Kalvi Noale. Trajneri italian ka befasuar duke firmosur në kategorinë e katërt të futbollit italian, pikërisht në Serinë D.

Kalvi Noale ia doli me vështirësi që të mbijetonte duke e mbyllur në vendin e 12-të. Kolela sjell nostalgji te Partizani pasi bashkë me të u fitua titulli i fundit kampion. Ishte viti 2023, kur të kuqtë festuan për herë të parë te stadiumi “Arena e Demave”.
Njoftimi i klubit italian:
“FC Kalvi Noale ka kënaqësinë të njoftojë Xhovani Kolelan si trajnerin e ri. Një trajner me përvojë të gjerë dhe me një profil të njohur, Kolela i sjell ekipit bardhekaltër personalitet dhe një etikë të fortë pune, të zhvilluar gjatë viteve të stërvitjes në futbollin italian dhe ndërkombëtar.
Gjatë karrierës së tij, ai ka drejtuar disa klube të shquara italiane të futbollit, duke përfshirë Komo, Viçenza, Renate dhe Robur Siena, si dhe shumë përvoja të tjera që kanë konsoliduar profilin dhe aftësitë e tij në menaxhimin e ekipit.
Klubi e mirëpret trajnerin e ri me krenari, i bindur se ardhja e tij do t’i shtojë vlerë udhëtimit sportiv të ekipit. Një mirëseardhje e ngrohtë dhe urimet më të mira trajnerit Kolela për të ardhmen”.
PANORAMASPORT.AL













