ZYRTARE/ Nga Partizani te Flamurtari në Shqipëri, prezantohet trajneri Agostineli: Nuk erdha për zhytje
Andrea Agostineli ka vendosur ta vazhdojë karrierën si trajner te Mgarr Junajtid në Maltë. Bëhet fjalë për një klub që garon në kategorinë e dytë të futbollit maltez. Për më tepër është zbuluar se Mgarr e kërkonte gjatë kohës që ishte trajner i Flamurtarit.

Kontrata është firmosur 1-vjeçare, ndërsa kujtojmë se për herë të fundit Agostineli drejtoi Paradison në kategorinë e tretë zvicerane. Trajneri italian duket se preferon aventurat dhe ndryshimet e ambientit, ndërsa është në moshën 69-vjeçare.
Në Shqipëri është afruar tri herë për projekte ambicioze. Partizani dhe Skënderbeu e prezantonin me objektiv titullin kampion, ndërsa Flamurtari e largoi një vit më parë ndërsa synonte ngjitjen në elitë.
“Kam ardhur këtu sepse para së gjithash, kam një pasion të madh për punën time. Përndryshe, në një moshë të caktuar njeriu ndalon. Dhe mbi të gjitha, këtë punë nuk mund ta bësh pa një pasion të madh.
Pse janë këto skuadra, edhe të vogla që nuk kanë një histori të madhe, që nuk mund të arrijnë diçka të rëndësishme? Por mund të bëhet. Mund të bëhet, megjithëse, sigurisht, nuk është e lehtë. Nuk është rasti që thjesht paraqitesh dhe thua po. Duhet të punosh, duhet të kesh ambicien për ta bërë dhe dëshirën për ta realizuar.
Shoh atë që më pëlqen më shumë, entuziazmin tuaj të madh, që nuk do të thotë domosdoshmërisht të fitosh. Por entuziazmi që keni është ngjitës për të gjithë, për lojtarët, për gjithçka, për të gjithë ambientin. Jam shumë entuziast dhe nëse shoh rreth meje entuziazmin që pashë sot, atëherë jemi tashmë në një nisje të rëndësishme. Më shumë se kaq, është e vështirë të thuhet.
Jam mirënjohës sepse nuk më duhet të falënderoj një klub të madh. Kur më thirri Napoli ishte e lehtë ta falenderoja, apo jo? Një prezantim para 60 mijë tifozëve. Këtu, edhe nëse jemi vetëm 10 veta, futbolli është i njëjtë. Prandaj, për mua është e njëjta kënaqësi si kur më telefonon një person, ashtu edhe kur më telefonojnë 100 mijë njerëz. Futbolli është i njëjtë kudo.
Sigurisht, do të synojmë të fitojmë. E rëndësishme është që po e nisim me një projekt, jo thjesht për të qëndruar në këtë kategori dhe për t’ia dalë disi. Nuk kam ardhur në Maltë për të bërë një ose dy zhytje në detin e bukur. Jam këtu për një sfidë personale. Nuk kam nevojë të jem trajner. Këtë e kam bërë tashmë. Nuk kam nevojë të ndërtoj karrierë nga kjo. Kam ardhur këtu për t’ju ndihmuar të fitoni bashkë me mua dhe ky është një bast që kam vendosur ta bëj”, u shpreh Agostineli ndër të tjera.
EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL













