EKSKLUZIVE/ Faruk Sejdini analizon në detaje skuadrat e Europës: Komercializëm, lojtari ikën për 300 mijë lekë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2026 | 23:44

EKSKLUZIVE/ Faruk Sejdini analizon në detaje skuadrat e Europës: Komercializëm, lojtari ikën për 300 mijë lekë (E PLOTË)

Skuadrat shqiptare janë duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve për në Europë, teksa Faruk Sejdini sheh vetëm Egnatian si skuadrën më të mirë.

faruk sejdini

Në një intervistë për “Panorama Sport”, Sejdini shprehet se edhe Dinamo meritonte më shumë në ndeshjen e parë, duke qenë i bindur se në Astana ka shanse, edhe pse janë të vogla. “Xhaxhi” u ndal edhe te lojtarët që largohen nga skuadrat e tyre menjëherë pas fundit të kampionatit, duke u shprehur se ka ndryshuar mënyra e futbollit.

Profesor, Dinamo u mposht në shtëpi nga Astana në ndeshjen e parë. Si e patë paraqitjen e skuadrës dhe si e analizoni këtë takim?

Mendoj se, bazuar në mënyrën se si u zhvillua ndeshja, Dinamo të paktën e meritonte të merrte një barazim. Skuadra u tregua disi e kujdesshme, ndoshta me bindjen se do ta fi tonte ndeshjen ose se do të arrinte të shënonte. Megjithatë, duhej të kishte qenë më e vëmendshme, pasi ishte e qartë se Astana do të kërkonte të godiste me kundërsulme dhe të shfrytëzonte hapësirat për të realizuar.

Një tjetër faktor ishte fakti që Astana ndodhet në ritëm të plotë garash, ndërsa Dinamo vjen pas një periudhe ndryshimesh në organikë. Janë afruar lojtarë të rinj dhe ndoshta nuk ka pasur ende kohën e nevojshme që skuadra të konsolidohet dhe të funksionojë ashtu siç duhet. Nga ana tjetër, mendoj se Dinamos i mungon mbi të gjitha një sulmues tipik, një lojtar që garanton gola. Po ashtu, skuadra ka nevojë edhe për një organizator të mirëfilltë në mesfushë, një futbollist që t’i japë ritëm lojës, të zhvendosë aksionet me cilësi dhe të krijojë situata në hapësirat e lira. Besoj se afrimi i këtyre dy lojtarëve është i domosdoshëm.

Sa besim keni se Dinamo mund të bëjë diçka ndryshe në ndeshjen e kthimit, duke parë paraqitjen e të dyja skuadrave në takimin e parë?

Duhet ta pranojmë se futbolli nuk është gjithmonë i parashikueshëm. Historia e ka treguar vazhdimisht se rezultatet nuk varen gjithmonë nga ajo që shihet në letër apo nga paraqitja në një ndeshje të vetme. Megjithatë, nëse do ta vlerësoja objektivisht, do të thosha se Dinamo ka rreth 35% mundësi për ta përmbysur rezultatin dhe për t’u kualifi kuar. E them këtë sepse skuadra ka ende disa mangësi të rëndësishme. I mungon një sulmues që garanton gola dhe një organizator i mirëfi lltë në mesfushë, dy elementë që janë vendimtarë në ndeshje të këtij niveli.

Po ashtu, Dinamo nuk ka pasur kohën e nevojshme për t’u konsoliduar si ekip, ndërsa Astana është në ritëm të plotë garash. Në këtë aspekt, shumica e faktorëve janë në favor të kundërshtarit. Megjithatë, në futboll gjithmonë ka vend për surpriza. Shpresoj që Dinamo të arrijë të marrë rezultatin e nevojshëm, ta çojë përballjen në një moment ku gjithçka të mbetet e hapur dhe më pas të shfrytëzojë mundësinë për të synuar kualifi kimin.

Profesor, ju përmendët se Dinamo nuk kishte kohën e mjaftueshme në dispozicion. Megjithatë, kampionati përfundoi në fund të muajit maj. Çfarë nuk shkoi sipas jush?

Është një pyetje me vend, por kur them se koha ishte e pamjaftueshme, e mbështes këtë në përvojën time. Është e vërtetë që kampionati përfundoi në fund të muajit maj, por futbollistët kanë nevojë për të paktën dhjetë ditë ose dy javë pushim pas ngarkesës së një sezoni të gjatë. Kjo është krejtësisht normale. Më pas nis faza e përgatitjeve, por ndërkohë Dinamo përjetoi edhe ndryshime të rëndësishme në organikë. Disa lojtarë u larguan, qoftë me dëshirën e klubit apo të vetë futbollistëve. Një nga largimet më të rëndësishme ishte ai i Bregut.

Me cilësitë që kishte, ai ishte një lojtar kyç për lojën e Dinamos. Jo vetëm që i jepte ritëm dhe frymëmarrje skuadrës, por krijonte hapësira dhe ishte gjithashtu një futbollist që shënonte gola. Një lojtar i tillë nuk zëvendësohet brenda pak javësh. Pati edhe largime të tjera, ndërsa erdhën disa futbollistë të rinj. Harmonia e një skuadre nuk krijohet menjëherë. Duhet kohë që lojtarët të njihen me njëritjetrin, të përshtaten me idetë e trajnerit dhe të funksionojnë si një grup i konsoliduar. Unë ndoqa edhe ndeshjen miqësore që Dinamo zhvilloi në Ohër.

Ishte ndeshja e parë e përgatitjeve dhe ishte normale që skuadra të mos ishte ende në nivelin optimal, pasi kishte vetëm pak ditë që kishte nisur punën. Megjithatë, dukej se ky proces nuk ishte përfunduar ende në momentin e përballjes me Astanën. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar se Astana është një skuadër me eksperiencë në arenën europiane dhe, mbi të gjitha, ndodhet në ritëm të plotë garash. Ata e kanë kaluar prej kohësh fazën për të cilën po flasim te Dinamo, gjë që përbën një avantazh të rëndësishëm. Nuk i përmend këta faktorë për të justifi kuar humbjen.

Për mua, Dinamo kishte potencialin për ta kaluar këtë kundërshtar. Megjithatë, këto janë arsyet që, sipas mendimit tim, ndikuan në rezultat. Gjithsesi, asgjë nuk është e pamundur. Mjafton një gol për ta ndryshuar rrjedhën e një ndeshjeje. Ashtu si Astana shënoi me një kundërsulm në takimin e parë, edhe Dinamo mund ta bëjë të njëjtën gjë në ndeshjen e kthimit dhe më pas gjithçka mund të marrë një drejtim tjetër.

Profesor, është një fenomen që po përsëritet pothuajse te të gjitha skuadrat e Superiores. Lojtarët që spikasin gjatë sezonit largohen menjëherë në fund të tij. Pse klubet shqiptare nuk arrijnë t’i mbajnë lojtarët e tyre më të rëndësishëm?

Kam përshtypjen, edhe pse nuk mund ta them me siguri të plotë, se kjo lidhet kryesisht me aspektin fi nanciar. Lojtarët më të mirë të një skuadre janë zakonisht edhe më të paguarit. Pikërisht për këtë arsye, kur ata zhvillojnë një sezon të mirë, marrin oferta nga klube të tjera. Po e marr si shembull rastin e Bregut te Dinamo. Ta zëmë se ai kishte një pagë të caktuar te Dinamo. Klubi mund t’ia rrisë pagën, por ndoshta vetëm pak. Ndërkohë, një klub tjetër mund t’i ofrojë më shumë. Po fl as në mënyrë hipotetike, sepse nuk i di shifrat konkrete.

Në atë moment futbollisti bën edhe llogaritë e veta. Ai mendon për kontributin që ka dhënë gjatë gjithë sezonit dhe pret që klubi ta vlerësojë. Nëse klubi ia rrit pagën vetëm pak, ndërsa një ekip tjetër i ofron më shumë, krijohet edhe një pakënaqësi te lojtari. Ai mendon: “Kam dhënë kaq shumë për këtë skuadër dhe nuk po vlerësohem sa duhet.” Kjo e bën edhe më të lehtë largimin. Kjo është diçka që e kam përjetuar edhe vetë gjatë viteve që kam qenë te Partizani dhe te Dinamo. Ka ndodhur shpesh që një klub të marrë një lojtar nga një rival vetëm sepse i ka ofruar një kontratë më të mirë. Kjo duhet të jetë një mësim për presidentët dhe drejtuesit e klubeve. Duhet ta kuptojnë se futbolli sot është bërë komercial.

Futbollistët janë profesionistë dhe, mbi të gjitha, luajnë për kontratën që kanë. Sigurisht, ata respektojnë fanellën dhe japin maksimumin në fushë, por faktori ekonomik ka peshën kryesore. Prandaj nuk duhet të habitemi kur një futbollist largohet për 300 mijë, 500 mijë apo edhe një milion lekë më shumë. Ky është realiteti i futbollit shqiptar, fanella ka kaluar e dyta. Diferencat nuk janë të mëdha, por mjaftojnë që një lojtar të ndryshojë skuadër. Sot fanella vjen e dyta, ndërsa kushtet ekonomike janë ato që ndikojnë më shumë në vendimin e futbollistit. Kjo nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por te ne ndihet edhe më shumë, sepse diferencat fi nanciare mes klubeve janë relativisht të vogla.

Duke parë mënyrën se si po ndërtohen skuadrat në këtë fazë të merkatos, cila nga ekipet ka më shumë mundësi të ecë më shumë?

Nga katër skuadrat tona në kupat e Europës, i kam ndjekur të gjitha. Ndeshjen e Dinamos nuk arrita ta shihja drejtpërdrejt, por më pas e pashë në përsëritje. Të tjerat i kam ndjekur të gjitha. Për mendimin tim, skuadra që më ka lënë përshtypjen më të mirë dhe që më është dukur më e konsoliduar është Egnatia. Mendoj se është ekipi që ka më shumë logjikë në lojë dhe, për rrjedhojë, edhe përqindjen më të lartë për t’u kualifi kuar. Sigurisht, uroj që të katër skuadrat tona ta arrijnë këtë objektiv, sepse edhe Vllaznia, edhe Elbasani i kanë mundësitë e tyre.

Por, nëse duhet të veçoj një ekip, do të thosha Egnatian. Kjo vjen edhe si rezultat i punës së bërë gjatë katër ose pesë viteve të fundit. Klubi ka ruajtur një vazhdimësi në staf dhe në mënyrën e punës. Më duket pozitive që edhe trajneri Dede po vazhdon në të njëjtën linjë. Kur arrin një nivel të caktuar, është më e vështirë ta ruash dhe ta përmirësosh sesa ta ndërtosh nga e para. Mendoj se ky është avantazhi i Egnatias. Natyrisht, ata që janë brenda klubit i dinë gjërat edhe më mirë se unë. Sa i përket kampionatit, është ende herët për të dhënë një parashikim.

Megjithatë, kam dëgjuar se Teuta po lëviz shumë në merkato dhe po investon seriozisht për të përforcuar skuadrën. Sot dëgjova edhe për afrimin e një portieri të një niveli shumë të lartë. Sigurisht, në letër kjo duket shumë mirë. Pastaj futbolli ka edhe anën tjetër, sepse ndonjëherë një lojtar mund të vijë me një karrierë të madhe, por të ketë probleme që nuk duken menjëherë. Uroj që të jetë një afrim i suksesshëm, sepse kjo do të tregonte se klubi është serioz dhe synon të bëjë një kampionat të fortë. Megjithatë, është ende shpejt për të folur për favoritët. Këto katër skuadra janë ende të angazhuara në Europë dhe kjo ndikon në përgatitjet e tyre.

Nëse Egnatia vazhdon më tej, do të ketë një ngarkesë edhe më të madhe. Kampionati nis më 22 gusht dhe, deri atëherë, këto skuadra do të kenë nevojë edhe për disa ditë pushim pas ndeshjeve europiane, përpara se të rifi llojnë përgatitjet për sezonin e ri. Për këtë arsye, mendoj se asnjë prej tyre nuk do ta nisë kampionatin në formën optimale. Si nga ana praktike, ashtu edhe nga ana teorike, është e pamundur të jenë në njëqind për qind të kapaciteteve të tyre. Prandaj, edhe ekipet kryesore të kampionatit do ta nisin sezonin me disa vështirësi dhe jo në gjendjen e tyre më të mirë.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL