Nga hero, në zhgënjim! Në Francë nuk kursehen me yllin e ekipit: Më vjen keq që e krahasuam me Platini dhe Zidan
Një nga yjet më të mëdhenj të Francës është vënë në epiqendër të kritikave pas humbjes në gjysmëfinalen e Kupës së Botës përballë Spanjës. Majkëll Olise, anësori i sulmit të “gjelave”, ka qenë lojtari më i kritikuar pas kësaj sfide.

Pesë asistet e dhuruara në këtë Botëror, por edhe forma që kishte shfaqur në ndeshjet e mëparshme apo gjatë sezonit, e kishin kthyer atë në një yll të turneut. Por ndaj Spanjës, ai praktikisht nuk ishte në fushë, duke marrë kritika të shumta në vendlindje.
“Ne e ulëm Olize në një tryezë me Platini dhe Zidan dhe ai nuk është as në kuzhinën e tyre!”, ishin fjalët e Daniel Riolo për “RMC”. “Për herë të parë në 20 vjet në këtë emision, më vjen shumë keq që kam bërë disa komente…”, theksoi ai, duke iu referuar lëvdatave të shumta që kishte bërë për Olize gjatë ndeshjeve të mëparshme.
Statistikat e ndeshjes së djeshme ishin masakruese për francezin: 0 gjuajtje, 0 driblime, 20 humbje topi, 50% të dueleve të fituara dhe 76% saktësi në pasime. Nuk ishte rastësi që në minutën e 72-të, ai u largua kokulur nga fusha e lojës për t’i bërë vendin Sherki.
PANORAMASPORT.AL













