“Nuk të ndodh çdo ditë të luash në Ligën e Kampioneve”, ndizet dueli me deklaratat e Dedes dhe Makharadzes: Kemi besim se kualifikohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2026 | 19:14

“Nuk të ndodh çdo ditë të luash në Ligën e Kampioneve”, ndizet dueli me deklaratat e Dedes dhe Makharadzes: Kemi besim se kualifikohemi

Egnatia përballet sot me Petrokub të Moldavisë për sfidën e kthimit të turit të parë të Ligës së Kampioneve. Pas barazimit 1-1 në transfertë, skuadra rrogozhinase shpreson të mbyllë gjithçka me sukses në shtëpi dhe të sigurojë kualifikimin historik në turin tjetër.

egnatia

Trajneri Nevil Dede ka nxitur lojtarët e tij që të japin maksimumin për të arritur një suskes të tillë, të ndërgjegjshëm që shanse të tilla nuk të vijnë shpesh në jetë.

“Ne e kuptojmë se nuk të vjen rasti çdo ditë që të luash në Ligën e Kampioneve. Ky është një turne për të cilin ëndërrojnë mijëra futbollistë, ndaj motivimi dhe gatishmëria jonë duhet të jetë në maksimum. Ne e njohim kundërshtarin dhe tani e njohim edhe më mirë pas sfidës së parë, jo vetëm stafi teknik, por edhe lojtarët tanë.

Kundërshtari ka një ekip të organizuar me eksperiencë, histori dhe lojtarë me cilësi. Por ne besojmë se jemi më të fortë në fushën tonë. Bashkë me lojtarët kemi analizuar të gjithë zonat ku duhet të përmirësohemi dhe shpresojmë të arrijmë sukses. Jam besimplotë se skuadra do të jetë gati”, u shpreh Dede në prag të sfidës.

Edhe trajneri i Petrokub, Shota Makharadze, u shfaq optimist për ekipin e tij. “Fillimisht dua t’ju falënderoj për mikpritjen. Fusha është në gjendje shumë të mirë dhe do të na lejojë të luajmë futboll të mirë.

Pas ndeshjes së parë, ne studiuam mirë kundërshtarët tanë dhe jemi me besim te aftësitë që kemi për të kaluar në raundin tjetër. Ne kemi respekt të madh për kundërshtarët tanë, janë një ekip shumë i mirë dhe me një lojë të konsoliduar. Por ne kemi objektivat tanë dhe kemi një ekip të mirë. Jemi të motivuar, e dimë se ku mund të arrijmë. Jemi optimistë, pasi edhe ne jemi kampionët e vendit tonë”, tha ai.

PANORAMASPORT.AL