Lushnja nis nga e para, të rinjtë zgjojnë shpresën e ringjalljes. Spaho dhe Gjika marrin në dorë rindërtimin
Futbolli lushnjar është zgjuar më në fund nga “letargjia”, edhe pse rruga drejt rikthimit është ende e gjatë. Që prej së hënës, Lushnja ka nisur zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri, një sezon që do ta gjejë skuadrën duke garuar në Kategorinë e Dytë.

Është një realitet i ri dhe i hidhur për një klub me histori, por që tashmë duhet pranuar, në mënyrë që të hidhen themelet e një projekti të ri për rikthimin e verdhejeshilëve në nivelet që u takojnë. Në këtë fazë të parë, skuadra ka nisur punën nën drejtimin e dy prej figurave më të përkushtuara të klubit, trajnerit të portierëve Mikel Spaho dhe përgatitësit atletik Llazi Gjika. Të dy kanë qenë prej vitesh pjesë e strukturave të Lushnjës, duke punuar jo vetëm me ekipin e parë, por edhe me akademinë, ndaj drejtuesit u kanë besuar organizimin e fazës së parë të përgatitjeve. Fokusi kryesor në këto ditë është evidentimi dhe seleksionimi i futbollistëve të rinj. Duke qenë se rregullorja e Kategorisë së Dytë vendos kufizime për aktivizimin e futbollistëve të huaj dhe atyre që nuk janë nga qarku përkatës, Lushnja është e detyruar, por njëkohësisht edhe e favorizuar, të mbështetet te talentet vendase.
Ky mund të jetë momenti ideal që futbollistët e rinj lushnjarë të tregojnë vlerat e tyre dhe të fitojnë një vend në ekipin e parë, duke i dhënë një frymë të re futbollit verdhejeshil. Pikërisht për këtë arsye, faza e parë përgatitore do të ketë karakter seleksionues, ndërsa Spaho dhe Gjika do të vlerësojnë nga afër çdo element që mund të jetë pjesë e projektit të ri. Vetëm pas përfundimit të kësaj faze pritet të merren vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e klubit. Drejtuesit do të përcaktojnë buxhetin e sezonit, strukturën organizative, si edhe emrat që do të përbëjnë stafin teknik përfundimtar.
Për momentin, Mikel Spaho dhe Llazi Gjika konsiderohen një zgjidhje tranzitore, por puna e tyre në këtë periudhë mund të ndikojë edhe në vendimet që do të merren për vazhdimësinë. Të dy kanë shprehur gatishmërinë për të marrë përgjegjësi edhe më të mëdha, nëse klubi vendos t’u besojë drejtimin e projektit të ri.
PANORAMASPORT.AL













