Pogradeci ruan bërthamën, pret tre rinovime dhe afron emra të rinj në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2026 | 13:44

Pogradeci ruan bërthamën, pret tre rinovime dhe afron emra të rinj në merkato

Pogradeci e ka nisur me optimizëm fazën përgatitore për sezonin e ri, ndërsa drejtuesit e klubit ua kanë bërë të qartë futbollistëve që në ditët e para se objektivi i vetëm mbetet ngjitja në Kategorinë Superiore. Te liqenorët nuk ka vend për kompromise, pasi rikthimi në elitë konsiderohet një mision i panegociueshëm.

pogradeci

Sipas drejtuesve, atmosfera pozitive dhe angazhimi maksimal i grupit janë sinjale të qarta se skuadra po ndërtohet për të qenë konkurruese deri në fund të kampionatit. Në të njëjtën kohë, klubi po punon për të ruajtur bërthamën e ekipit që zhvilloi një sezon shumë të mirë, duke e shoqëruar atë me afrime cilësore. Pogradeci ka konfirmuar se pjesë e skuadrës edhe për sezonin e ri do të jenë Staniç, Samake, Kasmollari, Abazaj, Bajraktari, Shanaj, Balliu, Lleshaj, Sadik, Preknicaj dhe Mertkola. Ndërkohë, drejtuesit kanë bërë të ditur se vijojnë negociatat me tre futbollistë të rëndësishëm të sezonit të kaluar: Kazem, Toshevski dhe Freeman Pius. Përfundimi i bisedimeve dhe çdo zhvillim zyrtar do të bëhet publik nga vetë klubi në momentin e duhur.

Dy mesfushorë nën urdhrat e Çelës

Pas prezantimeve të para të merkatos, Pogradeci ka mbyllur edhe dy afrime të tjera në repartin e mesfushës. Bëhet fjalë për Abaz Karakaçin dhe Romeo Kasumen, të cilët tashmë janë bashkuar me skuadrën dhe po stërviten nën urdhrat e trajnerit Emiljano Çela, edhe pse ende nuk janë zyrtarizuar nga klubi. Karakaçi, një mesfushor me eksperiencë në futbollin shqiptar, ka aktivizuar me disa skuadra në të gjitha kategoritë, nga Superliga deri në Kategorinë e Dytë. Ai vjen si ish-kapiten i Besëlidhjes, skuadër me të cilën sezonin e kaluar siguroi ngjitjen në Kategorinë e Parë. Ndërkohë, Romeo Kasume është një mesfushor 28-vjeçar nga Namibia, i cili vjen nga Liria e Prizrenit. Futbollisti afrikan është gjithashtu pjesë e përfaqësueses së Namibisë dhe konsiderohet një përforcim me vlera për mesfushën liqenore.

Në provë edhe një mbrojtës

Merkatoja e Pogradecit nuk është mbyllur ende. Në stërvitje me skuadrën ndodhet edhe mbrojtësi i djathtë nigerian Mujab Abiola Animasahun, i cili sezonin e kaluar ishte pjesë e Luftëtarit. Futbollisti po kalon një periudhë prove dhe vendimi përfundimtar për aktivizimin e tij do të merret nga trajneri Emiljano Çela dhe stafi teknik në ditët në vijim. Nëse bind me paraqitjet e tij, Animasahun pritet të jetë një tjetër përforcim i Pogradecit në prag të sezonit të ri. Me ruajtjen e bërthamës së skuadrës, afrimet e reja dhe negociatat për të mbajtur disa nga protagonistët e sezonit të kaluar, Pogradeci po ndërton një ekip me ambicie të qarta, ku rikthimi në Superiore mbetet objektivi i vetëm.

 

4 zyrtarizime në merkato ka kryer deri më tani Pogradeci. Ueturu Kambatao, Aris Koxha, Silvio Zogaj dhe Segreso Geci janë lojtarët që ka prezantuar deri më tani klubi liqenor në merkaton e verës.

PANORAMASPORT.AL