EKSKLUZIVE/ Vajzat kuqezi të basketbollit fituan medalje argjendi, trajneri Xheka: Progres për skuadrën, përfaqësuese për të ardhmen
Shqipëria e basketbollit të femrave e mbylli me sukses përfaqësimin e saj në Kampionatin Europian të Shteteve të Vogla, aktivitet i zhvilluar disa javë më parë në Kosovë.

Vajzat kuqezi u renditën në vendin e dytë, duke u kthyer me medalje argjendi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Vladimir Xheka, trajneri i kombëtares flet për rrugëtimin e ekipit, sfidat e përgatitjeve, objektivat e arritura dhe perspektivën e basketbollit shqiptar. Xheka ndan vlerësimet e tij për paraqitjen e ekipit, zhvillimin e moshave dhe sfidat që vazhdon të përballet sporti i koshit në Shqipëri.
Xheka, Shqipëria e mbylli si nënkampione Europianin e Shteteve të Vogla? Si do ta komentoni këtë rezultat?
Ky rezultat përbën një progres për ekipin tonë kombëtar, duke marrë parasysh se që nga viti 2002 nuk kishim arritur të luanim në një finale. Gjithashtu, kemi një kombëtare të riformatuar, ku vetëm katër lojtare kanë qenë më parë pjesë e ekipit, ndërsa tetë të tjera janë afruar për herë të parë në ekipin kombëtar. Kemi afruar elementë të rinj dhe me perspektivë, të cilët janë ndërthurur në mënyrën më të mirë me lojtaret që kanë qenë pjesë e kombëtares. Gjithashtu, janë përfshirë edhe lojtare nga ekipi U-20, duke menduar edhe për vazhdimësinë e ekipit.
A i kishte mundësitë Kombëtarja për të synuar të artën?
Realisht, në momentin që mora detyrën e trajnerit të ekipit kombëtar, synimi im ishte të dilnim kampionë, sepse asnjëherë nuk bëj llogari humbësi dhe gjithmonë synoj maksimumin. Megjithatë, më duhet të them se kam hasur një sërë pengesash dhe jam detyruar ta rikonfiguroj disa herë ekipin kombëtar, pasi disa lojtare e kishin të pamundur pjesëmarrjen. Gjithashtu, gjatë përgatitjeve ishim stërvitur me një organizatore që luan në SHBA, por në momentin e fundit, për arsye burokratike, nuk mundëm ta kishim pjesë të ekipit. Mendoj se ndeshja gjysmëfinale me Kosovën, e cila ishte shumë e fortë, na kushtoi shumë energji. Ndërkohë, Malta pati një gjysmëfinale më të lehtë dhe kjo e vështirësoi arritjen e objektivit tonë, edhe pse ne nuk u dorëzuam në asnjë moment

INTERVISTËN E PLOTË MUND TA LEXONI NË VERSIONIN PRINT TË GAZETËS PANORAMA SPORT
ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













