Burreli nis sezonin e ri, trajneri Nikaj: Ruajmë boshtin e skuadrës dhe ndërhyjmë në merkato…
Burreli zbret sot zyrtarisht në fushë për të nisur përgatitjet për sezonin e ri futbollistik 2026-2027. Skuadra matjane, e drejtuar nga trajneri Samuel Nikaj, do të zhvillojë seancën e parë stërvitore pasditen e sotme, duke filluar nga ora 17:00.

Faza përgatitore do të zhvillohet në Burrel, mes aneksit stërvitor dhe stadiumit “Liri Ballabani”, ku skuadra do të punojë gjatë javëve në vijim për të ndërtuar formën optimale para nisjes së kampionatit. Ndryshe nga sezonet e fundit, këtë verë atmosfera në kampin matjan është shumë më optimiste. Jo vetëm drejtuesit, por edhe tifozët presin një Burrel më konkurrues, me synimin për të zhvilluar një sezon shumë më pozitiv se ai i kaluar. Trajneri Samuel Nikaj konfirmoi për “Panorama Sport” se puna nis me besim te grupi aktual, ndërsa bërthama e skuadrës do të ruhet. “Sot fillojmë përgatitjet për sezonin e ri. Faza përgatitore do të zhvillohet në qytetin e Burrelit.
Skuadra do të ruajë boshtin e sezonit të kaluar”, u shpreh tekniku shkodran. Nikaj bëri të ditur se paralelisht me stërvitjen, drejtuesit po punojnë edhe në merkato për të përforcuar ekipin me futbollistë cilësorë. “Normalisht, në këtë periudhë priten edhe afrime të reja, por rreth 70 për qind e skuadrës së sezonit të kaluar do të vazhdojë të jetë pjesë e ekipit edhe këtë sezon. Gradualisht do të ndërhyjmë me disa afrime cilësore”, shtoi trajneri. Gjatë fazës përgatitore, Burreli do të zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore, të cilat do t’i shërbejnë stafit teknik për të testuar gjendjen e ekipit dhe për të integruar futbollistët e rinj.
Ndërkohë, objektivat për sezonin 2026-2027 pritet të bëhen publike vetëm pas përfundimit të merkatos, kur drejtuesit të kenë ndërtuar skuadrën që do të përfaqësojë Burrelin në kampionatin e ri. Me ruajtjen e bërthamës së ekipit dhe afrimet që priten në javët në vijim, matjanët synojnë të paraqiten shumë më konkurrues në edicionin e ardhshëm.
NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL













