Bellingam shihet si “arma vrastare” e Anglisë, Xhon Terri dhe Rio Ferdinand i thurin elozhe para Argjentinës
“Xhud Bellingam është futbollisti më i mirë anglez në historinë e turneve madhorë që nga viti 1966. E them me bindje të plotë”.

Për këtë nuk ka dyshime një nga legjendat e futbollit anglez, Rio Ferdinand, i cili përpara sfidës së shumëpritur me Argjentinën, e ka vendosur mesfushorin mbi të gjithë yjet, që kanë veshur fanelën e Anglisë në Botërorë dhe Kampionate Europiane gjatë 60 viteve të fundit. Ish-mbrojtësi beson se mesfushori i Real Madridit po udhëheq “Tre Luanët” drejt lavdisë në Kupën e Botës 2026.
Gjithashtu, edhe një tjetër legjendë e futbollit anglez, Xhohn Terri, ka mbushur me elozhe Bellingamin, duke e shkuar deri aty, sa që e krahason me ikonën franceze Zinedin Zidan. Në podkastin zyrtar të FIFA-s, Terri u shpreh se Xhud i kujton Zizun për ndikimin që ka në ndeshjet vendimtare dhe për qetësinë që shfaq brenda dhe jashtë fushës.
“E kam thënë që në fillim të këtij Botërori, ai më kujton Zidanin. Po e merr mbi supe këtë skuadër. Është një lojtar i klasit botëror dhe ka një qetësi të jashtëzakonshme”, u shpreh Terri.
Padyshim që Bellingam ka qenë vendimtar në rrugëtimin e Anglisë drejt gjysmëfinales, duke realizuar dy gola në fitoren ndaj Norvegjisë në çerekfinale, pasi më parë kishte shënuar edhe një tjetër dygolësh në suksesin dramatik 3-2 ndaj Meksikës. Me gjashtë gola në turne, ai është bërë mesfushori i parë në histori që arrin këtë shifër në një Kupë Bote.Me vlerësimin e ishmbrojtësit është bashkuar edhe ish-kampioni i botës me Brazilin, Gilberto Silva, i cili tha se krahasimi me Zidan është plotësisht i justifikuar.
“Në ndeshjet e mëdha ke nevojë për lojtarët më të mirë dhe Bellingham e ka treguar këtë vazhdimisht. Ai ka ende shumë për të dhënë dhe ngjan me Zidan, në mënyrën sesi ndikon në lojë”, u shpreh braziliani. Në prag të gjysmëfinales ndaj Argjentinës, Terri u tregua optimist dhe tha se nuk e sheh skuadrën e Lionel Mesit si superiore.
“Nuk shqetësohem për Argjentinën. Mendoj se jemi skuadër më e mirë se ata. Kam ndjesinë se gjithçka po shkon në favorin tonë dhe besoj se ka ardhur koha e Anglisë për të fituar Botërorin”, e mbylli ish-mbrojtësi prononcimin e tij.
PANORAMASPORT.AL













