Dortmundi rikthehet në fushë, shumë të rinj dhe synime të mëdha
Borusia Dortmundi ka zhvilluar seancën e parë stërvitore për sezonin e ri me një grup të mbushur me talente të rinj. Një veteran i skuadrës shkaktoi një moment paniku, ndërsa në prapaskenë vazhdon puna për afrimet e reja. Borusia Dortmundi e nisi fazën përgatitore me një stërvitje të zhvilluar me dyer të mbyllura, ashtu si në vitet e kaluara.

Pas dy ditësh testesh fizike, skuadra zbriti të martën në fushën stërvitore në Brakel, në kushte ideale moti. Megjithatë, grupi i trajnerit Niko Kovaç ishte larg përbërjes së zakonshme: për shkak se lojtarët që morën pjesë në Kupën e Botës janë ende me pushime, shumë futbollistë të ekipeve U19 dhe U23 u stërvitën së bashku me profesionistët Serou Guirasi, Xhob Belingham dhe Fabio Silva.
Edhe pse Kovaç u tregua miqësor me gazetarët përpara stërvitjes, 54 vjeçari nuk kurseu lojtarët e tij. Seanca e parë zgjati gati dy orë, ku 22 lojtarët e fushës zhvilluan ushtrime intensive vrapimi, pasime dhe ndeshje me grupe të vogla, nën vëzhgimin e drejtuesve të klubit, përfshirë Karsten Kramer, Lars Riken dhe Ole Buk.
Portierët, mes tyre edhe Diant Ramaj, i rikthyer nga huazimi dhe që mund të largohet këtë verë, u stërvitën veçmas nga pjesa tjetër e skuadrës. Momenti më shqetësues erdhi pas pak më shumë se një ore, kur Serou Guira si e ndërpreu stërvitjen për shkak të një shqetësimi në kofshë. Klubi sqaroi më vonë se bëhej fjalë vetëm për një masë paraprake. Po ashtu, Dortmundi konfirmoi se Julian Rajerson, i cili u zëvendësua herët në çerekfinalen e Kupës së Botës ndaj Anglisë, nuk ka pësuar dëmtim, por vetëm ngërçe muskulore.
Mbrojtësi i djathtë pritet të rikthehet në Dortmund në formë të plotë pas pushimit trejavor. Kjo mund ta rikthej në qendër të diskutimeve largimin e Jan Koutos, edhe pse braziliani u stërvit normalisht të martën. “Një, dy ose tre transferime të mira” pritet të realizohen në javët e ardhshme, deklaroi drejtori sportiv Lars Riken. Klubi po synon futbollistë që mund ta përmirësojnë menjëherë skuadrën, sidomos pas largimit të mesfushorit të tyre, Julian Brandt.
PANORAMASPORT.AL













