Disfata me 5 gola në Europë, Vllaznia kthehet pas në kohë në vitet e akuzave për trukime ndeshjesh nga UEFA
Vllaznia i ka dhënë lamtumirën Europës në këtë edicion që në turin e parë të Ligës së Konferencë, e eliminuar në përballjen e dyfishtë me Malishevën, në atë që ishte sfida e parë mes një klubi të Superiores dhe një klubi të Superligës së Kosovës në Europë.

Pas fitores 2-1 në shtëpi, Vllaznia është mundur me shifrat 5-0 në Hajvali ku u luajt ndeshja e kthimit mes dy ekipeve. në një disfatë të thellë që kishte shumë vite që nuk e përjetonte në arenën ndërkombëtare.
Hera e fundit kur Vllaznia është mundur me 5 gola diferencë në Europë, ka qenë në sezonin 2009-2010 në Ligën e Europës, në përballjen e dyfishtë ndaj Rapidit të Vjenës në turin e dytë të atij kompeticioni. Asokohe, ato sfida të humbura 0-3 dhe 0-5 ndaj austriakëve përfunduan në radarët e UEFA-s dhe autoriteteve policore europiane, me akuza për manipulime të rezultatit të ndeshjeve në fjalë në favor të basteve sportive dhe me hetime që u hapën kundër ekipit shkodran.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













