Kualifikimi historik në Champions, Egnatia nxjerr shpenzimet e sezonit me fitimet marramendëse nga UEFA
Egnatia ka arritur që të kalojë për herë të parë turin në Ligën e Kampioneve, në tentativën e tretë të saj, duke eliminuar Petrokub të Moldavisë.

Një arritje e rëndësishme sportive, por edhe për financat e klubit, i cili ka të garantuara fitime kolosale të cilat praktikisht mbulojnë shpenzimet e sezonit për klubin rrogozhinas. Egnatia ka të siguruar në rastin më të keq të mundshëm, arritjen deri në fazën play-off të Ligës së Konferencës, në bazë të sistemit të shkallëzimit të kompeticioneve të UEFA-s.
Kjo do të thotë se në bazë të përfitimeve të ndryshme nga UEFA me sistemin e bonuseve të saj për ekipet pjesëmarrëse, skuadra rrogozhinase do të përfitojë minimalisht 1,71 milionë euro nga pjesëmarrja në Europë, edhe nëse nuk ia del të arrijë në fazën në grupe duke u ndalur në play-off.
Me kalimin në grupet e cilitdo prej turneve të UEFA-s, fitimet financiare të rrogozhinasve do të ishin shumë më të larta, duke e ndihmuar që të konsoliduar edhe më shumë pozitën si dominuese në futbollin shqiptar në vitet e fundit.
E.KUKA-PANORAMASPORT.AL













