EKSKLUZIVE/ Argjendi që riktheu besimin, trajneri Xheka: Progres për skuadrën, përfaqësuese për të ardhmen (E PLOTË)
Shqipëria e basketbollit të femrave e mbylli me sukses përfaqësimin e saj në Kampionatin Europian të Shteteve të Vogla, aktivitet i zhvilluar disa javë më parë në Kosovë.

Vajzat kuqezi u renditën në vendin e dytë, duke u kthyer me medalje argjendi. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Vladimir Xheka, trajneri i kombëtares flet për rrugëtimin e ekipit, sfidat e përgatitjeve, objektivat e arritura dhe perspektivën e basketbollit shqiptar. Xheka ndan vlerësimet e tij për paraqitjen e ekipit, zhvillimin e moshave dhe sfidat që vazhdon të përballet sporti i koshit në Shqipëri.
Xheka, Shqipëria e mbylli si nënkampione Europianin e Shteteve të Vogla? Si do ta komentoni këtë rezultat?
Ky rezultat përbën një progres për ekipin tonë kombëtar, duke marrë parasysh se që nga viti 2002 nuk kishim arritur të luanim në një finale. Gjithashtu, kemi një kombëtare të riformatuar, ku vetëm katër lojtare kanë qenë më parë pjesë e ekipit, ndërsa tetë të tjera janë afruar për herë të parë në ekipin kombëtar. Kemi afruar elementë të rinj dhe me perspektivë, të cilët janë ndërthurur në mënyrën më të mirë me lojtaret që kanë qenë pjesë e kombëtares. Gjithashtu, janë përfshirë edhe lojtare nga ekipi U-20, duke menduar edhe për vazhdimësinë e ekipit.
A i kishte mundësitë Kombëtarja për të synuar të artën?
Realisht, në momentin që mora detyrën e trajnerit të ekipit kombëtar, synimi im ishte të dilnim kampionë, sepse asnjëherë nuk bëj llogari humbësi dhe gjithmonë synoj maksimumin. Megjithatë, më duhet të them se kam hasur një sërë pengesash dhe jam detyruar ta rikonfiguroj disa herë ekipin kombëtar, pasi disa lojtare e kishin të pamundur pjesëmarrjen. Gjithashtu, gjatë përgatitjeve ishim stërvitur me një organizatore që luan në SHBA, por në momentin e fundit, për arsye burokratike, nuk mundëm ta kishim pjesë të ekipit. Mendoj se ndeshja gjysmëfinale me Kosovën, e cila ishte shumë e fortë, na kushtoi shumë energji. Ndërkohë, Malta pati një gjysmëfinale më të lehtë dhe kjo e vështirësoi arritjen e objektivit tonë, edhe pse ne nuk u dorëzuam në asnjë moment.
Cilin do të veçonit si momentin më të bukur nga Europiani?
Momenti më i bukur ishte ndeshja gjysmëfinale me Kosovën, e cila konsiderohej skuadra favorite për titull, pasi kishte nisur përgatitjet shumë më herët se ne dhe, për më tepër, luante në shtëpi, me mbështetjen e publikut vendas. Megjithatë, ekipi ynë zhvilloi një paraqitje të shkëlqyer. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj të gjitha vajzat dhe stafin për kontributin dhe përkushtimin e tyre.
Ndërkohë, dy prej lojtareve tona, Ornela Lalaj dhe Enisa Semanjaku, u zgjodhën në formacionin më të mirë të aktivitetit…
Ky vlerësim bëhet nga FIBA, duke marrë parasysh edhe votimin e ekipeve pjesëmarrëse, të cilat nuk mund të votojnë për lojtaret e tyre, por vetëm për lojtaret e ekipeve të tjera. Unë mendoj se ekipi ynë kishte disa lojtare shumë cilësore, përveç dy vajzave që u përzgjodhën në formacionin më të mirë, dhe për këtë jam krenar. Gjatë gjithë punës jam përpjekur të jap maksimumin. Puna e trajnerit është e vështirë dhe zgjedhjet nuk mund t’u pëlqejnë të gjithëve, por jam i lumtur që mundi ynë nuk shkoi dëm dhe arritëm të kishim sukses.
Si e shihni situatën e basketbollit në Shqipëri?
Të them të drejtën, kam punuar si me djemtë, ashtu edhe me vajzat, dhe mund të them se janë dy realitete të ndryshme. Te djemtë ka më shumë elementë cilësorë dhe ata e vazhdojnë basketbollin për një periudhë më të gjatë. Te vajzat vihet re më pak pjesëmarrje dhe, mbi të gjitha, problemi kryesor mbetet fakti se, pasi mbarojnë moshën e ekipeve të të rejave, shumica shkëputen nga basketbolli për arsye të ndryshme. Një ndër arsyet kryesore është mungesa e stimujve financiarë, që do t’u mundësonin ta shihnin basketbollin edhe si profesion. Kur vendosëm të grumbullonim ekipin kombëtar, problemi më i madh ishte se pothuajse të gjitha vajzat e kishin të pamundur të shkëputeshin për një periudhë të gjatë nga angazhimet e tyre, pasi janë në punë dhe e praktikojnë sportin si një aktivitet plotësues. Në këto kushte, e shoh si emergjente miratimin dhe zbatimin e ligjit për sportin, në mënyrë që i gjithë komuniteti sportiv në vend të trajtohet me dinjitet. Sportistët dhe trajnerët duhet të kenë mundësi të zhvillohen dhe të ndihen të vlerësuar.
Edhe unë, si trajner i ekipit kombëtar, nuk jam i dedikuar vetëm basketbollit, por vazhdoj paralelisht edhe punën time. Edhe këtë verë nuk kanë munguar polemikat për sa u përket grumbullimeve në ekipet e moshave. Keni ndonjë koment?
Unë mendoj se basketbolli ynë ka shumë djem dhe vajza të talentuar e të apasionuar, të cilët duhet të inkurajohen dhe të promovohen, jo të paragjykohen. Personalisht, në rrugëtimin tim si trajner më ka mbështetur profesori i nderuar Astrit Greva, të cilit i jam mirënjohës për të gjithë mbështetjen që më ka dhënë gjatë viteve të bashkëpunimit. Për këtë arsye, kur formoj stafin tim, përpiqem të kem pranë njerëz të përgatitur dhe profesionistë, në mënyrë që të ndërtojmë një ekip sa më cilësor.
Për shembull, këtë vit asistent kisha Kliti Saulin, një trajner të ri dhe shumë të përgatitur, i cili ushtron profesionin në nivele të larta në Francë. Po ashtu, kemi edhe trajnerë të tjerë të rinj, të cilët po tregojnë progres të vazhdueshëm dhe po kualifikohen duke ndjekur klinika ndërkombëtare. Prandaj mendoj se nuk duhet të jemi kaq paragjykues. Nuk duhet të sillemi si studenti që thotë: “Profesori nuk ma dha provimin”, pa pranuar se nuk ka mësuar sa duhet.

ARTIN LLESHAJ-PANORAMASPORT.AL













