Gjithçka në duart e Kivu dhe Amorim/ Interi dhe Milani nisin epokën e re në sezonin 2026-2027
Milano nis zyrtarisht sezonin e ri me dy realitete krejt të ndryshme. Interi, kampion i Italisë dhe fitues i Kupës së Italisë sezonin e kaluar, synon të mbrojë dominimin e tij, ndërsa Milani kërkon të lërë pas zhgënjimin e madh të dështimit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampioneve.

Zikaltrit mblidhen në “Apiano Xhentile” për testet fizike dhe stërvitjen e parë nën drejtimin e Kristian Kivu, ndërsa kuqezinjtë kanë nisur grumbullimin në “Milanelo” me Ruben Amorim, i cili do të zhvillojë seancën e tij të parë si trajner i Milanit.
Merkatoja ndryshoi atmosferën
Në fund të sezonit, Interi dukej skuadra më aktive në merkato, duke synuar emra si Palestra, Solet, Xhons dhe ëndrrën Niko Paz. Megjithatë, shumë prej këtyre objektivave nuk u realizuan, Palestra refuzoi, Solet mbeti jashtë planeve, Xhons nuk pranoi transferimin, ndërsa Komo investoi 60 milionë euro për të mbajtur Niko Paz.
Në anën tjetër, Milani, pas revolucionit në drejtim dhe largimit të Xhiorxhio Furlanit, Igli Tares, Xhefri Monkadës dhe Masimiliano Alegrit, reagoi fuqishëm. Pronari Xherri Kardinale vendosi t’i besojë pankinën Ruben Amorim dhe investoi mbi 100 milionë euro për afrimin e Gonçalo Ramos dhe Mario Gila, duke rikthyer optimizmin te tifozët kuqezi.
Lajmet nga kampet e dy skuadrave
Interi e nis sezonin me pak fytyra të reja. Kanë mbërritur Ivan Provedel, rikthehet Stankoviç Jr., ndërsa francezi Mazolin, i transferuar në janar nga Modena, është gati të vihet në dispozicion të Kivu. Gjatë ditës pritet edhe konferenca për shtyp e presidentit Bepe Marota dhe trajnerit rumun, ku do të prezantohen objektivat e sezonit.
Te Milani, edhe pse “Curva Sud” nuk do të jetë e pranishme në pritjen tradicionale të skuadrës, merkatoja ambicioze ka rikthyer entuziazmin. Përveç Gila-s, Amorim do të vlerësojë edhe lojtarët e rikthyer nga huazimet si Samuel Çukueze dhe Junus Musah, si dhe talentet Françesko Kamarda, Komoto, Sise dhe Kostiç.
Kivu dhe Amorim, sfida e madhe
Vëmendja kryesore do të jetë te dy trajnerët e rinj, Kristian Kivu dhe Ruben Amorim, të cilët i lidh edhe një detaj interesant: Jose Mourinjo. Kivu ishte një nga lojtarët e “Special One” tek Interi historik që fitoi gjithçka, ndërsa Amorim hodhi hapat e parë në karrierën e trajnerit gjatë një periudhe praktike te Mançester Junajtid, kur portugezi drejtonte klubin anglez.
Kivu e nisi aventurën te Interi në verën e kaluar me premtimin për një skuadër “më hibride dhe më të paparashikueshme”. Pavarësisht një starti të vështirë me humbje ndaj Udinezes dhe Juventusit, ai arriti ta transformojë ekipin, duke e udhëhequr drejt fitimit të kampionatit dhe Kupës së Italisë.
Nga ana tjetër, Amorim vjen në Milano pas një eksperience të vështirë te Mançester Junajtid, ku aventura e tij përfundoi në janar 2026. Në prezantimin e tij ai nuk i fshehu ambiciet: “Duam të fitojmë yllin e dytë dhe objektivi ynë është të ndërtojmë një skuadër që dominon ndeshjet.”
Milani beson se trajneri portugez mund ta rikthejë klubin në nivelet më të larta dhe të rikthejë qetësinë në ambientin kuqezi. Sfida nuk do të jetë e lehtë, por as Kivu nuk e pati të thjeshtë një vit më parë. Tani, të dy nisin një kapitull të ri, me pritshmëri të mëdha dhe përgjegjësinë për të rikthyer ose ruajtur suksesin në dy klubet më të mëdha të Milanos.
PANORAMASPORT.AL













