Tuhel i ka “fikur” në stol, ja lojtarët e paaktivizuar te “Tre Luanët”
Jo të gjithë lojtarët e Tuhel kanë pasur mundësinë të kontribuojnë në fushë. Para gjysmëfinales ndaj Argjentinës, tre futbollistë të “Tre Luanëve” nuk kanë zhvilluar ende asnjë minutë në këtë Botëror dhe janë pikërisht Trevoh Çalobah, Ivan Tonei dhe Kobi Maino.

Tuhel ka ruajtur pothuajse të njëjtin formacion që nga fitorja 4-2 ndaj Kroacisë në ndeshjen hapëse, duke bërë shumë pak ndryshime gjatë turneut. Kjo ka bërë që disa lojtarë të mbeten jashtë planeve të trajnerit. Çalobah u thirr në skuadër si zëvendësues i minutës së fundit për Tino Livramenton, por ende nuk ka marrë rastin të debutojë në Botëror.
Kurse Tonei, i vetmi që aktivizohet jashtë një kampionati europian, s’ka pasur hapësira, pasi Kejn ka qenë zgjedhja e padiskutueshme në sulm dhe vetëm një dëmtim i kapitenit anglez mund t’i hapte rrugën sulmuesit për të luajtur.
Ndërkohë, mosaktivizimi më ‘i zhurmshëm’ ka qenë ai i Maino, lojtar që është përballur me konkurrencë të fortë në mesfushë, ku Morgan Roxhers, Deklan Rajs, Xhud Bellingam dhe Eliot Anderson kanë qenë zgjedhjet kryesore të trajnerit gjerman.
Tashmë duhet të shohim nëse Tuhel do t’u japë një mundësi ndonjërit prej tyre në gjysmëfinalen kundër Argjentinës ose në ndeshjen e fundit të turneut, qoftë finalja apo sfida që luhet mbrëmjen e së shtunës, për të caktuar vendin e tretë.
PANORAMASPORT.AL













