Egnatia kaloi turin në Champions, ja kush është kundërshtari i radhës dhe axhenda e rrogozhinasve
Egnatia ia ka dalë që të sigurojë turin tjetër të Ligës së Kampioneve duke kaluar për herë të parë një fazë në turneun më të rëndësishëm për klube në kontinent.

Pasi kaloi Petrokub të Moldavisë, ekipin rrogozhinas e pret një kundërshtar edhe më i vështirë. Përballë në turin e dytë e pret Çelje e Sllovenisë, e cila e ka nisur edicionin e saj pikërisht nga ky tur.
Skuadra sllovene ka pasur një rritje të ndjeshme në arenën kombëtare e ndërkombëtare, pasi duhet theksuar se në dy sezonet e kaluara ka shkuar rregullisht në fazën në grupe të Ligës së Konferencës dhe ia ka dalë edhe ta kalojë atë, duke u eliminuar një herë në çerekfinale e një herë në 1/8.
Në radhët e skuadrës sllovene ka disa emra të njohur, pasi aty tashmë luajnë ish-sulmuesi i Dinamos, Veton Tusha, si dhe sulmuesi i U21 të Kosovës, Milot Avdyli.
Sipas shortit të hedhur nga UEFA, Egnatia do të luajë ndeshjen e parë si pritëse në javën e ardhshme, ndërsa do të luajë ndeshjen e dytë në transfertë në Slloveni.
PANORAMASPORT.AL













