VIDEO/ “S’kam thënë asnjëherë dalim kampion”, i gjithë debati që acaroi Kërnajën. Përplasja me Milorin e bëri të braktiste intervistën: M’u drejto me ju se nuk njihemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 15, 2026 | 22:05

VIDEO/ “S’kam thënë asnjëherë dalim kampion”, i gjithë debati që acaroi Kërnajën. Përplasja me Milorin e bëri të braktiste intervistën: M’u drejto me ju se nuk njihemi

Trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja, ka zhvilluar sot një tjetër debat të ndezur me Arben Milorin, ish-futbollistin e njohur të Dinamos, Partizanit dhe Kombëtares shqiptare, duke lënë në mes intervistën për RTSH pas humbjes ndaj Vorës.

bandicam 2026-01-15 21-40-29-956

Milori e pyeti për lojën e të kuqve duke i kujtuar deklaratat e mëparshme dhe aty nisi një shkëmbim i ndezur që kulmoi me largimin e Kërnajës. Debati i plotë në vijim:

Milori: Kam dëgjuar që objektivat e Partizanit janë madhorë: hyrja në katër ekipet më të mira dhe synimi i titullit, pse jo. Tani, mendon që me këtë mënyrë të të luajturi dhe me një kundërshtar që ka si synim mbijetesën mund t’i arrini këto objektiva madhorë? Se po t’i referohemi kësaj ndeshje, mos harro do të keni edhe ndeshje shumë të vështira në të ardhmen me ekipet e forta, gjë të cilën ka treguar historia që i keni humbur. Tani duke iu referuar ndeshjes së sotme, sa larg mund të shkojë ky ekip? Duke iu referuar objektivave që keni, që i keni shkrehur vetë ju personalisht.

Kërnaja: Për këtë pyetje Beni, nëse ke shumë interes, duhet të pyesni më lart, jo mua. Unë flas anën taktike të futbollit, me këtë mënyrë loje apo tjetër Partizani ka marrë goxha pikë me mua. Ndoshta dikujt nuk i pëlqen.

Milori: Jo, jo, po i referohem çfarë ke…

Kërnaja: Të lutem të mbaroj deri në fund. Partizani ka objektiv, e kam thënë dhe e them prapë. Mos harrojmë se mund të kemi humbur siç thua ti me Dinamon, por kanë qenë episodet që kemi humbur, siç e mban mend shumë mirë. Në minutën e 85 ke qenë në studio që kemi thënë që mund të mbaronte 2-2. Episodet kanë vendosur që ne jemi sot ku jemi këtu. Mos harrojmë nga kemi ardhur. Sot jemi ndër 8 ekipet më të mira të kampionatit, në Kupë, jemi në vend të 6 e synojmë për më lart. Shpresojmë dhe synojmë që të jemi atje. Mënyra e të luajturit pastaj nuk arrij ta kuptoj leximin e lojës. Ndoshta lexojmë ose interpretojmë lojën në mënyrë të ndryshme unë këtu në fushë dhe ju atje në studio. Por në ndeshjen e sotme, nëse do shikoni statistikat, goditjet në portë, posedimin e topit, interceptimet, rastet për të shënuar, besoj Partizani sot ka qenë jashtëzakonisht shumë më mirë se Vora. Pavarësisht mos harrojmë se edhe Vora është një ekip solid, ka fituar edhe me ekipe që janë edhe në vend të parë si Elbasani në Elbasan. Nuk është një ekip siç mund ta quani ju të vogël. Por, futbolli i tillë është. Mos harrojmë, mbrëmë edhe Albasete është një ekip i vogël por mundi Realin. Kështu që futbolli prandaj është i bukur Beni. Ndoshta nga studio është pak më i kollajtë por në fushë është pak më i vështirë.

Milori: Shiko, unë ju referova çfarë ju keni thënë për objektivat e Partizanit. Nuk i referohem le të themi intervistave të drejtuesve të klubit. Kështu që unë ta bëra pyetjen ty direkte, në mos gabohem ke thënë ‘neve synojmë katërshen dhe pse jo, të dalim kampionë’. Pyetja ishte me këtë mënyrë të të luajturit…

Kërnaja: Pse jo të dalim kampion s’e kam thënë asnjëherë.

Milori: Më fal, ta mbaroj?

Kërnaja: Më thuaj çfarë problemi kishte sot mënyra e të luajturit. Po mbaroje Beni dhe m’u drejto me ju, jo me ty se nuk njihemi bashkë.

Milori: Mënyra e të luajturit kishte problem, se nuk pashë një aksion të rëndësishëm, fluid të Partizanit, përveç atyre rasteve që the ti kemi shkuar tre herë 3 kundër 2. 3 kundër 2 nuk është rast, është episod që mund të shkojë te rasti, apo jo? Raste të pastra apo aksione të pastra unë nuk pashë.

Kërnaja: Beni, penalltia a është rast të lutem?

Milori: Penalltia nuk ishte rast, penalltia ishte gabim i mbrojtësit…

Kërnaja: S’ishte rast ai i penalltisë…

Milori: Pënalltia ishte gabim i lojtarit të Vorës që e shfrytëzoi shumë mirë Isgandarli. Kjo nuk është rast, nuk ishte aksion i mirëfilltë. Nuk është rast me aksion.

Kërnaja: Nuk është rast penalltia?

Milori: Ore po them nuk është rast.

Kërnaja: Goditje standarte nuk është rast i krijuar?

Milori: Nuk është rast si rezultat i një aksioni të mirëmenduar. Erdhi si pasojë e gabimit të lojtarit të…

Kërnaja: Goditja standarte është e menduar, nëse doni jua çoj me video. Jua çoj me video nëse doni. Beni, të lutem…

Milori: Atë analizën bëjë për veten tënde kur të bësh analizën me ekipin. Unë nuk kam nevojë se e kam parë ndeshjen në mënyrë shumë korrekte dhe shumë të saktë.

Kërnaja: Faleminderit, nuk kam përgjigje, faleminderit. (heq kufjen dhe largohet)

Milori: Në qoftë se nuk i pranon këshillat dhe sugjerimet tona, atëherë është përgjegjësia e jote dhe pjesë e jotja. S’është faji im.

SHIH VIDEON

PANORAMASPORT.AL