Transfertë apo shtëpi, shifrat “ngrohin” të kuqtë e Partizanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2026 | 23:59

Transfertë apo shtëpi, shifrat “ngrohin” të kuqtë e Partizanit

Partizani luan të enjten përballë vendasve të Vorës ndeshjen e parë të kampionatit duke nisur kështu fazën finale dhe vendimtare të Abissnet Superiore. Të kuqtë e nisin në transfertë me Vorën që për herë të parë në këtë sezon do të luajë në shtëpinë e saj dhe do të mund të shfrytëzojë të gjithë entuziazmin dhe atmosferën që mund të sjellë stadiumi i rikonstrukturuar.

partizani

Një faktor që mund të vendosë disi në vështirësi kryeqytetasit, të cilët duhet të gabojnë me pikatore për të qëndruar në garën për t’i renditur në zonën e “Final Four”. Megjithatë, nëse i hedhim një sy statistikave të këtij sezoni, kryeqytetasit kanë treguar se dinë të bëjnë mirë edhe në transfertë. Aktualisht, Partizani është në vendin e gjashtë me 23 pikë, teksa 11 prej këtyre pikëve i ka arritur larg shtëpisë.

Madje, Partizani edhe shënon më shumë kur luan në transfertë pasi nga 15 golat e realizuar këtë sezon në Superiore, më shumë se gjysma e tyre, saktësisht nëntë, kanë ardhur në transfertë dhe vetëm gjashtë në shtëpi. Por, nëse ka një aspekt në të cilin “Demat e Kuq” duhet ta përmirësojnë në ndeshjet jashtë fushe, është reparti difensiv që “fut ujë” më shumë kur luhet larg kryeqytetit. Kështu, nga 22 golat që Partizani ka pësuar në total përgjatë 18 ndeshjeve të kampionatit, 13 kanë ardhur kur skuadra ka luajtur në “Arenën e Demave”, dhe nëntë të tjerë më pas janë pësuar në shtëpi.

Tashmë, në vitin 2026, të kuqtë duhet të gjejnë një balancë më të mirë në mbrojtje për të rritur shanset e rezultateve pozitive. Një start me fitore dhe trepikësh në kampionat do të shtonte edhe më tej besimin te 17-herë kampionët e Shqipërisë.

Në dy ndeshjet e para të këtij sezoni me Vorën, Partizani ia ka dalë të grumbullojë katër pikë, një fitore 1-0 dhe një barazim 0-0 në fazën e dytë duke ruajtur kështu një bilanc pozitiv. Skuadra e drejtuar nga Oltijon Kërnaja do të tentojë deri në fund për të mbërritur në katërshen e parë të kampionatit dhe për të luajtur më pas shanset e tyre për titull apo kualifikim në Kupat e Europës kompeticion ky tejet i rëndësishëm për arkat e klubit.

PANORAMASPORT.AL