Tirana, java e parakalimit dhe kthesa e sezonit. Bardheblutë shohin nga ngjitja në klasifikim
Tirana hyn në një nga javët më vendimtare të këtij sezoni, ku përballja me Flamurtarin merr vlerë shumë më të madhe sesa thjesht tri pikët.

Për bardheblutë, kjo sfidë është një mundësi e artë për të ndryshuar kursin e kampionatit dhe për të hedhur një hap konkret drejt shpëtimit. Qëllimi është i qartë dhe i dyfishtë. Nga njëra anë të sigurojnë fitoren përballë një rivali direkt, ndërsa nga ana tjetër të thellojnë diferencën me vlonjatët, duke i lënë në -6 pikë. Një skenar i tillë do të kishte peshë jo vetëm në renditje, por edhe në aspektin psikologjik, pasi do të rriste ndjeshëm besimin në kampin bardheblu dhe do të rëndonte situatën te Flamurtari.
KALENDARI – Kjo javë duket e projektuar për Tiranën. Kalendari u jep një dorë të rëndësishme bardhebluve, teksa rivalët për mbijetesë përballen me transferta dhe ndeshje të komplikuara. Bylisi udhëton në Rrogozhinë për t’u përballur me Egnatian, një kundërshtar që në shtëpi është treguar shpesh i fortë dhe i vështirë për t’u kaluar. Statistikat nuk janë në anën e ballshiotëve. Fitorja e fundit ndaj Egnatias daton më 16 dhjetor 2022 dhe ka ardhur çuditërisht në transfertë, çka e bën edhe më të vështirë një tjetër sukses në këtë përballje.
Nga ana tjetër, edhe Vora nuk duket se ka një mision të lehtë. Në pesë përballjet direkte me Teutën, nuk ka arritur asnjëherë të marrë fitoren, duke treguar një kompleks të qartë ndaj durrsakëve. Një tjetër ndeshje ku probabiliteti nuk është në favorin e tyre dhe që mund të ndikojë drejtpërdrejt në luftën për mbijetesë. Në këtë panoramë, Tirana ka shansin ideal për të bërë “parakalimin” e shumëpritur. Një fitore ndaj Flamurtarit, e kombinuar me hapa fals të rivalëve, mund t’i çojë bardheblutë në kuotën e 30 pikëve.
Një arritje që do t’i lejonte të linin pas Bylisin dhe të ngjiteshin në vendin e shtatë në renditje. Dalja mbi vijën e “play out”-it, qoftë edhe përkohësisht, do të ishte një injeksion i fortë besimi për ekipin, që ka vuajtur luhatje gjatë sezonit. Një pozicion më i qetë në tabelë do t’i jepte skuadrës hapësirë për të menaxhuar më mirë ndeshjet e ardhshme dhe për të ndërtuar një seri pozitive rezultatesh. Tashmë gjithçka varet nga Tirana. Fusha do të japë përgjigjet, por sinjalet janë të qarta. Kjo është java për të mos gabuar dhe për të bërë hapin që mund të ndryshojë gjithë sezonin.
OLSI AVDIAJ-PANORAMASPORT.AL













