“U largova nga Partizani për shkak të kushteve”, Isgandarli flet për kalimin te rivalët e Vllaznisë: Këtu është ndryshe, duam të kalojmë turin
Vusal Isgandarli i ka dhënë lamtumirën Partizanit në merkaton e verës dhe i është bashkuar menjëherë klubit të Malishevës, skuadrës e cila do të ketë rivale në Ligën e Konferencës Vllazninë. Sulmuesi azer ka folur për mediat në vendlindjen e tij rreth mënyrës se si rrodhën ngjarjet, nga largimi i tij nga të kuqtë, e deri te firma me klubin kosovar që u ndikua nga vetë trajneri Thomas Brdariç.

Ju u larguat nga klubi shqiptar i Partizanit. Megjithëse, nëse nuk gabohem, kishit një kontratë me ta. Çfarë ndodhi?
Kontrata ime me Partizanin ishte një marrëveshje për një tjetër vit ku opsionet ishin të hapura për të dyja palët. U ulëm dhe biseduam. Diskutuam buxhetin dhe gjithçka tjetër. Pas kësaj, vendosëm të ndaheshim. Thjesht arritëm në përfundimin se ishte më mirë t’i mbyllnim gjërat miqësisht dhe të ndiqnim rrugët tona të ndara. Sepse kishte disa nuanca. Kur nënshkrova kontratën, nuk mora shumë gjëra parasysh. Por nëse do të nënshkruaja një marrëveshje të re, do të duhej ta merrja parasysh këtë. Çështja është se nuk do të jetoja më këtu vetëm. Kështu që në fund, vendosëm që ndarja ishte opsioni më i mirë. Partizani është një klub shumë i dashur dhe i rëndësishëm për mua. U uroj atyre vetëm më të mirën.
Çfarë luajti rolin kryesor në transferimin tuaj te Malisheva?
Do të thosha se ishte një vend që as nuk e kisha menduar. Ishsin duke u zhvilluar negociatat me klube të tjera. Kishte një klub në Rumani me të cilin çështja e kontratës ishte pothuajse finalizuar. Ishte çështje një ose dy ditësh. Pikërisht atëherë, mora një telefonatë nga Malisheva, nga vetë trajneri. Biseduam pak. Faktori vendimtar ishte se ata luajnë në garat europiane, vetë trajneri më donte në ekip dhe në përgjithësi, ata janë një klub europian. Plus ata ranë dakord me të gjitha kushtet e mia, kështu që i përfunduam negociatat me një notë pozitive. Besoj se do të jem edhe më i suksesshëm këtu.
A pati ndonjë ofertë nga Azerbajxhani?
Po, pati. Njëra prej tyre mbeti e hapur deri ditën e fundit, pak para se të nënshkruaja kontratën. Jam përjetësisht mirënjohës për çdo klub që tregoi interes për mua. Ishte thjesht dëshira ime të luaja jashtë vendit. Dhe jam shumë i lumtur që arrita ta bëj këtë realitet.
A do të jenë të ardhurat tuaja në klubin kosovar më të larta se te Partizani? A janë kushtet më të mira në përgjithësi?
Po, kushtet ishin vërtet shumë të ndryshme. Kur luaja te Partizani, kisha një kontratë krejtësisht të ndryshme. Nuk po flas vetëm për aspektin financiar, por edhe për aspekte të tjera. Megjithatë, në situatën aktuale, duke pasur parasysh që nuk do të jetoj vetëm, ato kushte nuk më përshtateshin më. Ua shpjegova këtë. I falënderoj për mirëkuptimin. U jam mirënjohës për këtë.
Portieri i Azerbajxhanit, Jusif Imanov, luante te Malisheva. Por atij nuk iu dha shumë mundësi për të luajtur. A ju shqetëson kjo?
Jo, nuk shqetësohem për asgjë. Në fakt, unë kam kohë pa u stërvitur. ekipi aktualisht po stërvitet në Bullgari dhe ka filluar të luajë ndeshje. Tani për tani, jam plotësisht i përqendruar në rikthimin në formë. Ka ndeshje përpara. Trajneri gjithashtu dëshiron që unë të jem gati për ndeshjet e ardhshme. Nuk kemi folur për Jusif Imanov, por e di që ai vlerësohet shumë si portier këtu.
A do t’ju pengojë transferimi juaj në ligën e Kosovës që të thirreni në ekipin kombëtar të Azerbajxhanit? Të paktën, niveli i ligës shqiptare është më i lartë. A keni kërkuar mendimin e Ajhan Abasov?
Nuk kam pasur kohë të flas me të. Do të bëj gjithçka që është e mundur për të luajtur futbollin tim më të mirë këtu. Besoj se trajneri ynë do ta vlerësojë këtë. Më besoni, niveli i futbollit në këto vende po përmirësohet çdo ditë. Arsyeja është se ata bëjnë shumë transferime, zhvillojnë shumë lojtarë dhe i kushtojnë më shumë vëmendje futbollit. Nuk mendoj se kjo do të më pengojë të hyj në ekipin kombëtar.
Malisheva do të luajë kundër ekipit shqiptar Vllaznia në Ligën e Konferencës. A mendoni se mund ta mposhtni këtë kundërshtar? Dhe cilat janë objektivat e klubit në Ligën e Konferencës?
Qëllimi ynë është të fitojmë dhe do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta arritur. Nëse e kalojmë këtë kundërshtar, do të përballemi me një kundërshtar edhe më të vështirë, klubin skocez Hibernian. Por duam t’i çojmë gjërat hap pas hapi. Tani për tani, e gjithë ajo për të cilën mund të mendojmë është ndeshja kundër Vllaznisë. Qëllimi kryesor është të kalojmë këtë raund dhe pastaj mund të mendojmë për kundërshtarin tjetër.
PANORAMASPORT.AL













