Ish-sulmuesi i Kombëtares, Llullaku analizon sfidën e Ligës së Konferencës: Dinamo favorite, Astana e rrezikshme brenda
Dinamo do të përballet me skuadrën e Astanës në turin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës. Për kryeqytetasit natyrisht pritet një ndeshje e vështirë ndaj gjigandëve kazakë, megjithatë edhe vetë rivalët janë në një moment të vështirë.

Në lidhje me këtë takim, ka folur edhe Azdren Llullaku. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, ka komentuar përballjen mes Astanës dhe Dinamo City-t në raundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës, duke vlerësuar se skuadra shqiptare mund të ketë një avantazh të lehtë përpara këtij dueli, por pa e nënvlerësuar forcën që kazakët shfaqin në fushën e tyre.
Llullaku, i cili ka veshur fanellën e Astanës gjatë vitit 2017 dhe e njeh mirë ambientin e klubit kazak, beson se ndeshja e parë në Tiranë do të jetë vendimtare për ecurinë e këtij çifti, ndërsa mendon se gjithçka mund të mbetet e hapur deri në sfidën e kthimit në Kazakistan. Duke folur për mediat kazake, ish-sulmuesi shqiptar analizoi favoritin e çiftit, pikat e forta të Dinamos, avantazhin e ndeshjes në shtëpi për Astanën, si edhe dha parashikimin e tij për rezultatin.
“Besoj se për Astanën gjëja më e rëndësishme tani është thjesht të mos humbasë në Shqipëri. Më pas, në shtëpi dhe para tifozëve të saj, duhet të marrë fitoren, sepse Astana luan gjithmonë shumë mirë në fushën e vet. Na pret një ndeshje e shkëlqyer mes dy skuadrave të forta. Pa dyshim, në kohën kur unë luaja për klubin, Astana ishte një forcë e frikshme në kompeticionet europiane. Por edhe tani, pavarësisht të gjitha vështirësive, skuadra ka burime dhe cilësi për të arritur rezultate të mira. Ndoshta sot pikërisht Dinamo duket favorite, megjithatë Astana tradicionalisht është shumë e fortë në fushën e saj”, tha fillimisht ish-sulmuesi i Kombëtares.
FORCA E DINAMOS Llullaku foli edhe për gjendjen e skuadrës së Dinamos ku duke parë sezonin e fundit, ai ka zbuluar te kazakët se sulmi i bluve është reparti më i rrezikshëm, duke mos qenë i qartë se aktualisht, nga Dinamo kanë ikur thuajse të gjithë sulmuesit e sezonit të shkuar dhe kanë mbetur vetëm disa nga alternativat.
“Klubi nga Tirana ka një repart sulmues shumë të rrezikshëm. Sulmuesit e kundërshtarit mund të krijojnë shumë probleme. Për këtë arsye, mbrojtësit e Astanës duhet të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm dhe të ruajnë përqendrimin maksimal gjatë të gjitha 90 minutave të ndeshjes”, u shpreh Llullaku në vlerësimin për blutë.
AVANTAZHI I FUSHËS Në fund, ish-sulmuesi kuqezi u ndal edhe te avantazhi i fushës për këtë takin, si edhe natyrisht te një parashikim për fituesin e mundshëm që do të kalojë në turin e dytë.
“Po, faktori i fushës ka një rëndësi shumë të madhe. Në shtëpi Astana luan gjithmonë fuqishëm, ndërsa tifozët besnikë e shtyjnë skuadrën përpara. Nëse duhet të jap një parashikim, mendoj se në Shqipëri ndeshja do të përfundojë 1- 1. Edhe takimi i kthimit në Kazakistan besoj se do të mbyllet në barazim, ndaj gjithçka mund të vendoset me penallti. U uroj fat të dyja skuadrave”, e mbyll deklaratën e tij Llullaku.
NDESHJA Astana dhe Dinamo do të përballen për një vend në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës. Ndeshja e parë do të zhvillohet më 9 korrik në Tiranë, ndërsa sfida e kthimit është programuar për më 16 korrik në Kazakistan. Llullaku ishte pjesë e Astanës gjatë gjysmës së parë të vitit 2017, ku zhvilloi 19 ndeshje në të gjitha kompeticionet, shënoi një gol dhe dha dy asistime, duke fituar edhe titullin kampion të Kazakistanit me klubin kryeqytetas. Më pas ai u transferua në formë huazimi te Tobol, ku regjistroi 13 paraqitje dhe një asist.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













