EKSKLUZIVE/ Çështja e hapur te Partizani, ndërhyn edhe presidenti Demi pas këmbënguljes së drejtuesve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2026 | 14:24

EKSKLUZIVE/ Çështja e hapur te Partizani, ndërhyn edhe presidenti Demi pas këmbënguljes së drejtuesve

Partizani vijon punën për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm, por një nga çështjet që ende nuk ka marrë zgjidhje lidhet me të ardhmen e Saliu Sembenes. Mbrojtësi senegalez mbetet një nga prioritetet e drejtuesve në këtë merkato vere, të cilët kërkojnë ta mbajnë në organikë edhe për sezonin e ardhshëm, duke e konsideruar një pjesë të rëndësishme të projektit të ri. Megjithatë, deri në këtë moment palët nuk kanë gjetur ende gjuhën e përbashkët.

sembene

Partizani i ka paraqitur ofertën e tij futbollistit, por 24- vjeçari nuk e ka pranuar ende, duke bërë që situata të mbetet pezull. Pikërisht për këtë arsye, në ditët në vijim pritet të ketë kontakte të reja mes palëve, me shpresën se do të gjendet një zgjidhje që kënaq të dyja palët. Në klub ekziston bindja se Sembene duhet të jetë pjesë e skuadrës edhe në sezonin e ardhshëm. Për këtë arsye, në përpjekjet për të zhbllokuar negociatat pritet të angazhohet edhe vetë presidenti Gazment Demi, i cili synon të mbyllë sa më shpejt këtë çështje dhe t’i japë fund ngërçit të krijuar.

Sezoni i kaluar tregoi qartë rëndësinë që kishte mbrojtësi në organikën e Partizanit. Senegalazi ishte një nga futbollistët më të aktivizuar gjatë kampionatit, duke fituar besimin e stafit teknik falë paraqitjeve të tij dhe vazhdimësisë që tregoi në fushë. Ai u shndërrua në një element të rëndësishëm të repartit difensiv dhe shpesh ishte zgjedhja e parë në qendër të mbrojtjes. Rëndësia e tij është rritur edhe më shumë pas largimit të Altin Bytyçit.

Me eksperiencën e mbrojtësit tashmë jashtë skuadrës, Partizani nuk dëshiron të humbasë edhe një tjetër futbollist që njeh ambientin dhe që ka treguar se mund të mbajë peshë në repartin defensiv. Drejtuesit besojnë se Sembene ka ende hapësira të mëdha për t’u përmirësuar. Mosha e re dhe cilësitë fizike e bëjnë atë një lojtar me perspektivë, i cili mund të rritet edhe më shumë nëse vazhdon të jetë pjesë e Partizanit dhe të ketë vazhdimësi në aktivizim. Përveç aspektit sportiv, në klub shohin te Sembene edhe një mundësi përfitimi në të ardhmen. Nëse senegalezi firmos një kontratë të re dhe vazhdon të zhvillohet, Partizani mund të ketë mundësinë ta shesë më vonë, duke përfituar financiarisht nga kartoni i tij.

Ky është një model që drejtuesit kanë tentuar ta ndjekin edhe me futbollistë të tjerë të rinj, duke investuar te lojtarë me potencial, të cilët mund të rrisin vlerën e tyre në treg pas paraqitjeve me fanellën e kuqe. Për momentin, gjithçka mbetet e hapur dhe nuk ka ende një vendim përfundimtar. Negociatat pritet të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme, ndërsa Partizani shpreson që dëshira për të vijuar bashkëpunimin të mbizotërojë mbi çdo pengesë. Ajo që duket e sigurt është se te Partizani nuk duan ta humbasin Saliu Sembenen. Drejtuesit e konsiderojnë një element me vlerë për të tashmen dhe për të ardhmen, ndaj do të bëjnë përpjekje deri në fund për ta bindur senegalezin të vazhdojë aventurën në kryeqytet. Nëse palët arrijnë marrëveshjen, Partizani jo vetëm që do të ruajë një titullar të rëndësishëm në mbrojtje, por edhe një aset që mund të ketë vlerë të madhe sportive dhe financiare në sezonet që do të vijnë.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL