Shpërthen kritika në Holandë: Kapiteni Van Dajk shkatërroi futbollin holandez
Eliminimi i Holandës nga Botërori 2026 pas humbjes dramatike me penallti ndaj Marokut ka shkaktuar një stuhi kritikash në mediat holandeze, me kapitenin Virxhil van Dajk që është vënë në shënjestër si një nga përgjegjësit kryesorë për dështimin. Skuadra e drejtuar nga Ronald Kuman u mposht nga një Marok energjik dhe guximtar, që sipas shumë analistëve meritonte ta fitonte ndeshjen që në kohën e rregullt. Pas eliminimit, gazeta “De Telegraaf” publikoi një editorial shumë të ashpër të gazetarit Valentijn Driesen, i cili akuzoi Van Dajk dhe Kuman se kanë tradhtuar identitetin tradicional të futbollit holandez.

“Mënyra se si Kombëtarja holandeze u paraqit para botës, duke luajtur vetëm në mbrojtje dhe pa asnjë iniciativë, është një turp i madh”, shkruan Driesen. Sipas tij, Kuman dhe kapiteni Van Dajk zgjodhën një stil ultra-defensiv që bie ndesh me filozofinë historike të Holandës.
“Kuman dhe kapiteni i tij Van Dajk tradhtuan gjithçka që përfaqëson futbolli ynë kombëtar. Duke zgjedhur një stil tepër mbrojtës, Van Dajk nuk arriti as të garantonte siguri në prapavijë gjatë fazës së grupeve. Pavarësisht sa shumë mbrojtës vendos rreth tij, koha e Van Dajk ka mbaruar”, vijon editoriali. Gazetari nuk kurseu as trajnerin Ronald Kuman, duke e cilësuar një dështim total. “Nuk mund të ndryshosh filozofinë dhe formacionin dy ditë para ndeshjes së parë me eliminim direkt.
Një trajner që e bën këtë pas katër vitesh pune nuk është më i aftë për këtë detyrë”, shkruan ai. Driessen kërkon që Federata Holandeze e Futbollit të marrë masa të menjëhershme. “Para se Oranje të kthehet në Holandë, KNVB duhet të ndahet nga Kuman. Futbolli i nivelit të lartë është i pamëshirshëm. Ai nuk fitoi asnjë ndeshje ndaj një kombëtareje të renditur në Top 25 gjatë katër viteve të fundit dhe dështoi plotësisht në Meksikë. Duke shtuar edhe më shumë mbrojtës për të mbuluar mikun e tij Van Dajk, ai vetëm sa e fundosi ekipin edhe më shumë. Ka ardhur koha për një fillim të ri, pa Kuman dhe pa Van Dajk”, përfundon editoriali.
PANORAMASPORT.AL













