ZYRTARE/ Ndizet merkato, Teuta firmos me futbollistin që ishte kandidat për Kombëtaren e Shqipërisë
Sot është dita e prezantimeve për Teutën që më parë konfirmoi Rustem Hoxhën. Transferimi i paralajmëruar i Geraldo Bajramit tashmë është edhe zyrtar. Bëhet fjalë për një qendërmbrojtës 26-vjeçar, që për herë të parë do të luajë jashtë Anglisë.

Ish-futbollisti i Shpresave kuqezi, në sezonin e fundit ka luajtur te Krouli në kategorinë e katërt angleze, duke shfaqur një formë të mirë, teksa duhet theksuar se vinte pas një dëmtimi të gjatë që e la për një vit jashtë fushave të lojës.
Lojtari i cili ishte disa herë në listë pritje të Kombëtares A në vitet kur drejtohej nga Edi Reja, është transferuar si futbollist me parametër zero, pasi ka mbyllur kontratën me Bërton që zotëronte kartonin e tij.
Teuta deri tani ka prezantuar Malën, Fangajn, Umejiegon, Hoxhën dhe Bajramin.
Njoftimi i Teutës: Mirë se vjen, Geraldo Bajrami! KF Teuta ka kënaqësinë të zyrtarizojë afrimin më të ri në skuadër, qendërmbrojtësin Geraldo Bajrami.
26-vjeçari bashkohet me Teutën pas një karriere të zhvilluar tërësisht në Angli, duke sjellë eksperiencë dhe cilësi në repartin difensiv. Gjithashtu, Bajrami ka qenë pjesë e përfaqësueses U21 të Shqipërisë. Klubi i uron Geraldos mirëseardhje në Durrës dhe shumë suksese me fanellën blu!
PANORAMASPORT.AL













