Kaosi i “luksit” te Vllaznia e re, Martini duhet të vendosë për bërthamën fikse
Ndërsa numërimi mbrapsht për sfidën e parë të Conference League ndaj Malishevës ka nisur, një nga dilemat më të mëdha te Vllaznia mbetet formacioni startues. Ndeshjet miqësore të zhvilluara gjatë fazës përgatitore nuk kanë nxjerrë në pah një njëmbëdhjetëshe fikse, duke lënë të kuptohet se trajneri Edi Martini ende është në kërkim të balancave ideale.

Gjatë pesë testeve të verës, tekniku kuqeblu ka eksperimentuar vazhdimisht me formacionin, duke u dhënë minuta një numri të madh futbollistësh. Ndryshimet kanë qenë të shumta nga një ndeshje në tjetrën, por edhe brenda të njëjtit takim, çka tregon se stafi teknik vazhdon të vlerësojë alternativat përpara sfidave zyrtare.
Të vetmit lojtarë që kanë dhënë përshtypjen e titullarëve të padiskutueshëm kanë qenë portieri Jukaj, zv.kapiteni Gurishta dhe sulmuesi Bekim Balaj. Pjesa tjetër e skuadrës ka pësuar lëvizje të shumta, me rotacione në mbrojtje, mesfushë dhe repartin ofensiv. Kjo ka bërë që deri në këto momente të mos krijohet një ide e qartë se cili do të jetë formacioni që do të zbresë në fushë ndaj Malishevës.
Sigurisht, miqësoret shërbejnë pikërisht për eksperimente dhe për t’i dhënë mundësi çdo futbollisti të tregojë vlerat e tij. Megjithatë, me ndeshjet europiane tashmë në prag, koha për prova po mbaron dhe pritet që në ditët e ardhshme Martini të vendosë për një bërthamë fikse, mbi të cilën do të ndërtojë Vllazninë e sezonit të ri.
Përballja me Malishevën kërkon stabilitet dhe automatizma, dy elementë që ndërtohen vetëm përmes vazhdimësisë në formacion. Mbetet për t’u parë nëse trajneri kuqeblu i ka tashmë përgjigjet që kërkon, apo nëse dilemat për njëmbëdhjetëshen titullare do ta shoqërojnë Vllazninë deri në momentin e fundit përpara debutimit në Conference League.
PANORAMASPORT.AL













