Rrebesh plumbash, horror në zonën e tifozëve të Botërorit në San Hoze

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2026 | 21:51

Rrebesh plumbash, horror në zonën e tifozëve të Botërorit në San Hoze

Një person mbeti i vrarë dhe një tjetër u plagos rëndë të dielën gjatë një sulmi me armë zjarri në një vend popullor argëtimi në San Hoze të Kalifornisë, i cili kishte shërbyer si një “zonë tifozësh” për transmetimin e ndeshjeve të Kupës së Botës, njoftoi policia. Në momentin e të shtënave nuk po shfaqej asnjë ndeshje e Kupës së Botës, pasi e vetmja sfidë e ditës për këtë turne kishte përfunduar rreth orës 14:00 sipas kohës lokale.

6666

“Njëri nga viktimat u shpall i vdekur në vendngjarje. Viktima e dytë u transportua në një spital lokal me lëndime kërcënuese për jetën”, tha policia e San Hoze në një postim në platformën sociale X. “Ky incident po hetohet si vrasje. Disa rrugë përreth në këtë zonë janë të bllokuara”. Ngjarja ndodhi në “San Pedro Square”, një nga disa vendet në zonën e Gjirit të San Franciskos ku turma të mëdha njerëzish janë mbledhur për të ndjekur ndeshjet e Kupës së Botës në ekrane gjigante në një atmosferë festive.

Zona e Gjirit ka mikpritur pesë ndeshje të Kupës së Botës deri më tani, ku ndeshja e fundit ishte ajo e fazës me eliminim direkt të mërkurën, midis Bosnjës dhe vendit bashkëorganizator, Shteteve të Bashkuara.

Një gazetar i agjencisë “Reuters” në vendngjarje pa një prani të madhe policore, mjete të shumta të forcave të rendit dhe një person në barrelë, të mbuluar pjesërisht me një çarçaf të bardhë, që po largohej me shpejtësi nga zona prej personave me uniformë. Skena e ngjarjes u rrethua me shirit sigurie dhe shumica e bareve në zonë u mbyllën pas incidentit.

Një roje sigurie, e cila refuzoi të identifikohej pasi nuk ishte e autorizuar të fliste për mediat, tha se e kishte parë personin e plagosur në gjendje të rëndë. “Ai person ende po rënkonte dhe ankohej. Kishte gjak rreth qafës dhe pjesës së sipërme të shpinës”, tha ajo. “Policia po bisedonte me stafin e sigurisë dhe me disa dëshmitarë”. Në të gjithë zonën e Gjirit të San Franciskos janë ngritur me dhjetëra zona të tilla për tifozët.

PANORAMASPORT.AL