Kamp stërvitor në Kosovë, diaspora sjell potencial të ri në hendbollin shqiptar
Kosova po mirëpret një kamp stërvitor të rëndësishëm për grupmoshat e reja, ku janë mbledhur talentet më premtuese të hendbollit nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqiptare. Kampi, i organizuar nga Federata e Hendbollit e Kosovës, synon evidentimin dhe zhvillimin e lojtarëve të rinj, duke krijuar një urë bashkëpunimi mes të gjithë hendbollistëve shqiptarë, pavarësisht vendit ku aktivizohen.

Pjesë e këtij kampi janë edhe lojtarë shqiptarë që luajnë në kampionate të forta evropiane, ndërsa gjatë ditës së sotme grupit iu bashkua edhe Milo Roux. Talenti që aktivizohet në Francë dhe ka origjinë nga Vlora po përfundon procedurat për pajisjen me pasaportë shqiptare dhe ka shprehur dëshirën e tij për të përfaqësuar Kombëtaren Shqiptare të Hendbollit.

Roux është një nga emrat që simbolizon afrimin e talenteve shqiptare nga diaspora me ekipet kombëtare. Së bashku me lojtarë të rinj që aktivizohen në Francë, Gjermani, Danimarkë, Norvegji, Itali dhe Greqi, ai pritet të jetë pjesë e brezit të ri që do të veshë fanellën kuqezi në arenën ndërkombëtare.

PANORAMASPORT.AL













