Nga Anglia në Hungari, Ferrari luan shanset e fundit për titull në Formula 1
Angli, Belgjikë dhe Hungari. Muaji korrik pritet të jetë, siç ka ndodhur shpesh në historinë e Kampionatit Botëror, pika e kthesës për ambiciet në luftën për titull. Tre Çmimet e Mëdha të fundit përpara pushimit veror mund të rezultojnë vendimtare në një sezon që Ferrari dukej se e kishte rihapur falë fitores së parë të Luis Hamiltonit me skuderinë italiane në Barcelonë. Megjithatë, rezultati i Çmimit të Madh të Austrisë e ka ngushtuar sërish betejën, duke e kthyer atë në një duel mes dy pilotëve të Mercedesit.

Ishte vetë “Sir” Luis Hamilton që e pranoi këtë vetëm pak minuta pasi e mbylli garën e tetë të sezonit në vendin e pestë. Sipas tij, Ferrari pritet të hasë vështirësi si në Silverston, ku do të zhvillohet edhe gara Sprint, ashtu edhe në Spa. Mundësia më e mirë për fitore për skuderinë nga Maranelo duket se do të vijë në fund të muajit në Hungaroring, një pistë që i përshtatet karakteristikave të SF-26, e cila shquhet për shkathtësinë në sektorët teknikë, por vuan mungesën e fuqisë në pistat me shpejtësi shumë të lartë si Anglia dhe Belgjika.
Hamilton, i vetmi pilot jashtë Mercedesit që ka kaluar shifrën e 100 pikëve në renditjen botërore dhe që ende mban ritmin e rivalëve të tij, ëndërron fitoren e dhjetë në Silverston. Pikërisht në këtë pistë nisi historia e Kampionatit Botëror të F1, plot 76 vjet më parë. Nëse shtatë herë kampioni i botës mban rekordin absolut të fitoreve në Silverston, edhe Ferrari ka një histori të jashtëzakonshme në këtë pistë. Skuderia italiane numëron 18 fitore, më shumë se çdo skuadër tjetër, ndërsa Mercedesi ka 15 triumfe.
Uilliams dhe MekLaren ndajnë nga 10 fitore secila. Nga sukseset e Mercedesit, tetë janë firmosur nga Hamilton, një nga Niko Rosberg në vitin 2013 dhe një tjetër nga Stërling Mos në vitin 1955. Ashtu si Ferrari, madje ndoshta edhe më shumë, objektivin kryesor në Silverston e kanë MekLareni dhe Red Bulli. Të dyja skuadrat e lanë pas Ferrarin në Çmimin e Madh të Austrisë dhe, falë motorëve Mercedes dhe Ford, kanë potencialin për të sfiduar dominimin e Mercedesit. MekLaren triumfoi me një dopietë në Silverston një vit më parë, ndërsa Maks Vershtapen synon fitoren e tretë në këtë pistë, pas suksesit të vitit 2023 dhe atij të arritur në vitin 2020.
PANORAMASPORT.AL













