“Dhimbje koke” për Deden, Egnatia nëntë mbrojtës për 4 vende

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2026 | 14:50

“Dhimbje koke” për Deden, Egnatia nëntë mbrojtës për 4 vende

Nëse ka një repart ku Nevil Dede mund të ndihet më i qetë përpara sfidës me Petrokubin, ai është pa diskutim mbrojtja. Egnatia ka ndërtuar një prapavijë të mbushur me alternativa, aq sa konkurrenca për një vend titullari pritet të jetë një nga më të fortat në skuadër.

nevil dede

Aktualisht, kampionët e Shqipërisë kanë plot nëntë mbrojtës në organikë, ndërsa në formacion ka vend vetëm për katër. Kjo do të thotë se çdo stërvitje dhe çdo ndeshje është kthyer në një garë të vërtetë për të fituar besimin e trajnerit. Në dispozicion të Dedes janë Eneo Bitri, Geralb Smajli, Andrej Jago, Alessandro Kacbufi, Eljon Sota, Arbenit Xhemajli, Zamig Alijev, Xheferson dhe Haime, një grup që ndërthur eksperiencën me energjinë e futbollistëve më të rinj.

SHUMË ALTERNATIVA – Merkatoja e kësaj vere tregoi qartë se drejtuesit e Egnatias e kishin një prioritet të qartë. Reparti mbrojtës ishte ai që mori më shumë vëmendje. Afrimet e Bitrit, Smajlit, Jagos dhe rikthimi i Kacbufit kanë rritur ndjeshëm nivelin e konkurrencës, ndërsa bërthama e sezonit të kaluar me Xhemajlin, Sotën, Alijevin, Xhefersonin dhe Haimen ka mbetur e paprekur. Në letër, Egnatia ka sot ndoshta repartin mbrojtës më të kompletuar në Superiore, me alternativa cilësore në qendër dhe në të dy krahët. Për një trajner, një situatë e tillë është një avantazh i madh. Nevil Dede tashmë ka mundësinë të ndryshojë formacionin sipas kundërshtarit, të bëjë rotacion pa ulur nivelin e skuadrës dhe të menaxhojë më mirë ngarkesën në një sezon që pritet të jetë i gjatë, mes kampionatit, kupës dhe pse jo edhe kupave të Europës. Në të njëjtën kohë, konkurrenca i detyron futbollistët të japin maksimumin në çdo seancë stërvitore, pasi askush nuk e ka të garantuar vendin në formacion.

SHITJET – Megjithatë, është e vështirë të imagjinohet që Egnatia ta mbyllë merkaton me nëntë mbrojtës në organikë. Klubi ka qenë shumë i kujdesshëm gjatë javëve të fundit dhe nuk ka pranuar të shesë futbollistë përpara ndeshjeve me Petrokubin, edhe pse interesimi për disa prej tyre ka qenë konkret. Drejtuesit nuk kanë dashur të prekin ekuilibrat e skuadrës në prag të sfidave më të rëndësishme të sezonit, duke i dhënë Dedes mundësinë të punojë me grupin e plotë.

Por pas përfundimit të aventurës europiane, skenari mund të jetë krejt tjetër. Për disa prej mbrojtësve bardhejeshilë ka kohë që ekziston interes nga klube jashtë Shqipërisë. Emri më i lakuar mbetet ai i Arbenit Xhemajlit, i cili vjen pas një tjetër sezoni shumë të mirë dhe vazhdon të ndiqet nga disa skuadra të huaja. Edhe futbollistë të tjerë të prapavijës kanë ngritur ndjeshëm vlerën e tyre në treg falë paraqitjeve me Egnatian. Duke njohur politikën e klubit, nuk do të ishte surprizë nëse pas ndeshjeve europiane do të realizohej një tjetër shitje e rëndësishme.FDH

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL